Ukraina

Gjendet kutia e zezë e aeroplanit, ku humbi jetën Prigozhin

Hetuesit në Rusi kanë gjetur kutinë e zezë të aeroplanit, ku supozohet se humbi jetën shefi i grupit mercenar, Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe nëntë persona të tjerë që ishin në bord.

Komiteti hetimor ka thënë gjithashtu se trupat e gjetur në vendin e aksidentit do t’i nënshtrohen testit gjenetik për të konfirmuar identitetin e tyre, shkruan albinfo.ch,

Përmes njoftimit në kanalin e tyre në Telegram, thuhet se hetimi do të kontrollojë me kujdes të gjitha versionet e mundshme të asaj që ka ndodhur teksa ende nuk është paraqitur asnjë provë konkrete për të vërtetuar vdekjen e tyre.

Ndër të tjera, komiteti shtoi se “sendet dhe dokumentet që janë të rëndësishëm për të vërtetuar të gjitha rrethanat e rrëzimit janë gjithashtu duke u sekuestruar” për ekspertizë mjeko-ligjore.

Ndryshe, kutia e zezë e aeroplanit përmban sasi të mëdha të të dhënave të fluturimit për t’u analizuar, si dhe regjistrime audio të kabinës.