Emrat shqiptarë në politikën zvicerane

Herolinda Rexhepi ia mësyn Parlamentit të Zvicrës me CVP-në

Jo të gjithë politikanët shqiptarë po garojnë në zgjedhjet nacionale të tetorit në Zvicër me socialdemokratët (SP-PS).

Përjashtim ka bërë kandidatja Herolinda Rexhepi, e cila kishte zgjedhur CVP-PDC subjektin politik, i cili mbështetet në vlerat kristiane për të kandiduar nga Solothurni për deputete të Parlamentit nacional të Zvicrës.

22-vjeçarja ka tre vjet që merret me politikë dhe ka zgjedhur CVP-në, ngase thotë të jetë parti e vlerave.

“Kryesisht do të veçoja se është parti popullore, e cila mbështetet në vlerat e familjes, prosperitetin e në shoqëri. Nga të gjitha programet që i kam lexuar, e kam veçuar programin e CVP-së, arsyeton aderimin në CVP Herolinda Avdili-Rexhepi.

Në rrafshin e politikës nga Kosova duket që rryma që përputhet më shumë me konceptet e CVP-së është me LDK-në, thotë Herolinda Rexhepi.

„Këto dy parti përputhen edhe në program, por edhe me konceptet e tyre politike, janë të djathta, e i takojnë që të dyja Brukselit në gjirin e Partive Popullore të EU-së, atje ku janë edhe të regjistruara dhe të pranuara. Kohët e fundit, e më konkretisht më 11 mras, një grup parlamentarësh nga LDK-ja është pritur nga një grup parlamentarësh dhe nga kryetari i CVP-së, z.Christophe Darbellay, në Bundeshaus”, tregon për lidhjet që i ka CVP me LDK-në e Kosovës.

„Ishte një takim i suksesshëm i nivelit të lartë në mes të këtyre dy partive. Të dy palët u dakorduan se në të ardhmen do të bashkëpunojnë shumë ngushtë njëra me tjetrën. Po të njëjtën ditë edhe kryetari i Delemontit ishte në Prishtinë dhe është pritur nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Edhe në këtë takim ishte shprehur një gatishmëri se do të intensifikojnë kontaktet, e do të bashkëpunojnë ngushtë për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka deklaruar politikania me origjinë kosovare e CVP-së, Herolinda Rexhepi.

Kandidimi i Herolinda Avdili-Rexhepit nënkupton një besim të konsiderueshëm të CVP-së për politikanen me rrënjë nga Kosova.

Ajo ka falënderuar CVP-në që i ka dhënë shansin të jetë kandidate e tyre në zgjedhjet nacionale që do të mbahen në tetor në Zvicër.

„Në të ardhmen do të jem shumë më e përkushtuar, e do të angazhohem edhe më shumë për prosperimin e CVP-së, si një parti e vlerave të mirëfillta”, thekson Herolinda Rexhepi.

Duket që Herolinda është e vetmja kandidate shqiptare që CVP-ja deri tani i ka dhënë shansin të jetë kandidate në zgjedhjet nacionale.

„Me sa kam informacione, CVP-ja është parti e vlerave, është e hapur për të gjithë ata që e pranojnë programin e këtij subjekti politik, e që me veprimet e tyre deri më tani nuk kanë rënë ndesh me ligjin. Nuk mund t’iu them me saktësi, por e di se në CVP ekziston një gatishmëri jashtëzakonisht e madhe që të bashkëpunojnë shumë ngushtë me ne dhe të gjithë të tjerët. Jam e informuar se edhe një kandidat me prejardhje shqiptare është nga St. Galleni, nëse nuk gabohem, Prend Berisha, po mendoj për zgjedhjet kantonale”, deklaron polikania e re shqiptare.

Nëse siguron një ulëse në Parlamentin e Zvicrës, Herolinda Rexhepi do të angazhohet për familjen, për një shkollim cilësor, si dhe do të angazhohet për integrimin e të huajve në shoqërinë zvicerane.

„Mendoj se do të jemë një zë shumë i fuqishëm i elektoratit, duke qëndruar pranë tyre, e duke dialoguar me ta në mënyrë që kërkesat e tyre të paraqiten aty ku duhet, në këtë rast në Parlamentin e Zvicrës. Ne në Zvicër jetojmë me një shtet demokratik, me një shoqëri pluraliste, e me një angazhim të mirëfilltë ka mundësi shumë për t’u bërë, me që ka edhe mjete dhe fonde të mjaftueshme për realizimin e tyre. Moto imja do të jetë: “Të jetojmë së bashku me familje, me fëmijët tanë, në shtëpi, në shkollë e kudo që gjendemi, për një arsim cilësor dhe për një prosperim të familjes në përgjithësi”, tregon synimet poltike, kandidatja e CVP-së.

Herolinda Avdili-Rexhepi u shpreh me shumë besim se do të kenë përkrahjen e shqiptarëve dhe janë disa arsye që e kanë shtyrë atë të merret me politikë.

„Unë jam e propozuar nga CVP-ja dhe do të jem në shërbim të të gjithë qytetarëve të Zvicrës, pa dallim race, kombi apo diçka tjetër. Mendoj se shqiptarët e kanë një arsye më shumë për të më votuar, me që jam me prejardhje shqiptare, e sigurisht se në projektin tim do ta kenë edhe ndihmën në integrimin e prosporitetin e tyre në shoqërinë zvicerane. Është e një rëndësie të veçant t’iu kushtojmë gjeneratave të treta, të cilët po shkollohen dhe emancipohen këtu. Kjo kategori meriton një tretman të veçantë”, thotë Herolinda, sipas së cilës imazhi i komunitetit shqiptar në Zvicër ka filluar të përmirësohet.

„Shqiptarët historikisht kanë përjetuar shumë fatkeqësi e vuajtje. Fal zotit e Zvicrës, ne nuk gabojmë që Zvicrën e quajmë atdheun e dytë të shqiptarëve, meqë Zvicra ka bërë e po bën jashtëzakonisht shumë për shqiptarët. Ju e dini se kemi pasur probleme të theksuara në të kaluarën, por dita-ditës shqiptarët kanë filluar të shkollohen, të integrohen në të gjitha poret e jetës. Andaj edhe imazhi për ata ka filluar të përmirësohet, uroj që në një të ardhme të afërt ky imazh të përmirësohet edhe më shumë”, tha në këtë intervistë për albinfo.ch politikania shqiptare e CVP-së, Herolinda Rexhepi.

Herolinda Avdili-Rexhepi ka lindur dhe është rritur në Zvicër. Ajo ka mbaruar shkollën e pedagogjisë për njerëz me aftësi të kufizuara. Si hobi e ka pasur boksin. Politikania me prejardhje nga Kosova është angazhuar edhe në projekte humanitare, duke shpërndarë ndihma në Kosovë. Në politikë është inkuadruar prej vitit 2013, duke aderuar në partinë e të rinjve të CVP-së të Solothurnit.