Zhvillim

HELVETAS-i ndihmon goranët e Kosovës në kultivimin e mjaltit

Projekti zbatohet në katër zona të Kosovës, duke përfshirë Dragashin, Shterpcën, Novobërdën dhe Kamenicën

Në vazhdën e aktivitetit për zvogëlimin e varfërisë, rritjen e mundësive për punësim dhe gjenerim e të ardhurave në zonat rurale të Kosovës, Organizata HELVETAS – Swiss Intercooperation në Kosovë tashmë ka hyrë në vitin e dytë të veprimit përmes projektit APR – Aftësitë për Punësim Rural. Projekti zbatohet në katër zona të Kosovës, duke përfshirë Dragashin, Shterpcën, Novobërdën dhe Kamenicën, falë suksesit të zbatimit të tij, që konsiston në trajnimin teorik dhe praktik të përfituesve, projekti pritet të jetë i mirëpritur edhe në zona të tjera gjithandej Kosovës.

Projekti APR ka përbëhet nga  grupet e mësimit që synojnë të rinjtë e papunë, programet e trajnimit të sektorit privat për punonjësit e rinj dhe ekzistues, fuqizimin e lidhjes në zinxhirin e furnizimit, dhe ngritjen e kapaciteteve të ofruesve lokalë të shërbimeve. 

Gjatë vitit 2013, në katër zonat e lartcekura kanë përftuar shtatë grupe të interesuarish në trajnimet për bletari nga komponenti një dhe tre, si pjesë e projektit të APR-së e ku janë përfshirë 118 bletarë, prej të cilëve 113 kanë vazhduar aktivitetin me bletari duke krijuar të ardhura dhe mundësi punësimi.  Ndërkaq për pjesën e parë të vitit 2014, janë paraparë 16 grupe bletarësh  me gjithsej 242 bletarë potencialë.

Me këtë rast organizata joqeveritare e bletarëve dhe blegtorëve „UFMD“ (Udruženje farmera pčelara i stočara Majčina Dušica) e cila numëron 35 bletarë të fshatrave të Gorës, është përfituese  e projektit për trajnimin e bletarëve të rinj, por edhe të atyre ekzistues.
 
    Blegtorët zhdëmtohen ndërsa bletarët jo!

Duke pasur parasysh veprimtarinë e bujshme të bletarit të suksesshëm nga Krusheva, Nasuf Brenoli si dhe njohuritë profesionale të tij rreth kultivimit të bletarisë, ai është përzgjedhur në cilësinë e trajnerit për seminaret e parapara nga projekti APR që i organizon me bletarët e komunitetit goran në fshatin Krushevë. 

Me njohuritë profesionale që posedon, z. Brenoli ndihmon bletarët e rinj, por edhe ata me përvojë, që të marrin njohuri rreth kultivimit të bletarisë. Ai u shpjegon për sëmundjet e ndryshme me të cilat përballen bletët dhe për format e shërimit të tyre; u shpjegon për sëmundjet dhe  dëmtuesit siç janë: varroa, tenja, miu, shpendët e ndryshëm e deri tek ariu.

„Unë kam arritur të kultivoj një bletishtë prej 40-50 kosheresh, por shpesh më janë dëmtuar në masë të madhe, gati deri në zhdukje, si pasojë e mosnjohjes teorike dhe praktike mbi dëmtuesit dhe sëmundjet e bletëve. Tani që po ndjek trajnimet për kultivimin e bletarisë, kam arritur të mësoj për gjenezën e sëmundjeve dhe dëmtuesve të bletëve si dhe parandalimin me kohë të këtyre sëmundjeve dhe shpresoj në një sukses më të qëndrueshëm në kultivimin e bletarisë“, shpreh falënderimin e tij për këtë seminar bletari Sali Seferi nga Krusheva.

Shumica e bletarëve kanë njohuri paraprake në bletari, kështu që gjatë seminarit dialogohet edhe për problemet me të cilat ballafaqohen bletarët. Meqë bletishtet e tyre janë të shpërndara në fshatrat e Maleve të Sharrit, një nga dëmtuesit kryesorë, e ndaj të cilit janë të pafuqishëm, ata e kanë ariun. Prandaj, në pamundësi të fortifikimit të bletishteve, këta bletarë kërkojnë të kenë një përkujdesje edhe nga ministria përkatëse, në mënyrë që në raste të dëmtimeve nga ariu dhe shpendët e ndryshëm bletarët të zhdëmtohen materialisht nga shteti.

„Kur një pronari ia ha ujku një lopë ai zhdëmtohet, kurse kur një bletari i dëmtohen 20-30 koshere bletësh askush nuk e ndihmon. Fundja, bletarët me këtë profesion mbajnë familjet dhe dëmet janë goxha të kushtueshme“, shpreh brengën e tij kryetari i kësaj shoqate, z. Nasuf Brenoli.
 
     Bletaria, motiv për të jetuar në këtë zonë

Ndryshe, bletaria është edhe një nga motivet kryesore për të jetuar në këtë zonë të Kosovës, ishte zëri i shumicës së bletarëve. Natyra e pastër dhe e pasur me shumë lloje bimësh bën që bletarët e kësaj ane të fitojnë rendimente të larta të mjaltit e i cili është shumë i kërkuar në tregun e Kosovës, por edhe jashtë vendit.

Meqë kjo anë ka një mërgatë të madhe jashtë atdheut, bletarët kanë vendosur që nga ky vit ta organizojnë edhe „Ditën e mjaltit“ e që do të jetë njëra nga datat prej 1-5 gusht.

Interesimi i bletarëve të rinj sa vjen e shtohet, por ata edhe duhet të stimulohen nga ministria përkatëse. Ta zëmë, nëse një bletar ndihmohet me 3 koshere bletësh, vitin e ardhshëm ai do t`i ketë 12-13 koshere. Kjo formë krijon edhe të ardhura, por edhe vende të reja pune. Synimi i këtyre bletarëve, padyshim, është edhe ndërtimi i një fabrike për prodhimin e pogaçeve, hojeve dhe prodhimeve të tjera nga mjalti.

Një bletar tjetër i devotshëm i kësaj shoqate është edhe Rasim Maloki nga Rapça e Poshtme. Ai ka 40 vjet që merret me bletari dhe konsideron se investimi në bletari është edhe investim në gjithë ekonominë e Kosovës, duke pasur parasysh dobinë që e ka njeriu, por edhe flora nga nga ky insekt. „Gjatë karrierës sime në bletari kam ndjekur shumë seminare e panaire. Kam fituar shumë mirënjohje e diploma për prodhim cilësor të mjaltit. Besoj që bletarët e rinj do të përfitojnë shumë nga këto seminare, por edhe nga përvoja jonë e gjatë dhe e begatshme“, shprehet z. Maloki, duke porositur që një ditë ta vizitojmë edhe bletishtën e tij.

„Këtu kemi mjaltin më të mirë, mjaltin ekologjik, këtu kemi mbi 200 lloje të bimëve dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për prodhim të mjaltit cilësor“, thotë bletari tjetër, Rexhep Ramçevci nga Zlipotoku.

Pjesëmarrësit e trajnimit falënderojnë HELVETAS-in dhe shprehin mirënjohje për praninë e vazhdueshme të asistentit të projektit z. Besnik Imeri.

Xhevdet Kallaba
 
 
Festa “Dita e Mjaltit”

Meqë kjo anë ka një mërgatë të madhe jashtë atdheut, bletarët kanë vendosur që nga ky vit ta organizojnë edhe „Ditën e mjaltit“ e që do të jetë njëra nga datat prej 1-5 gusht.