Shkurt.ch

Heidi Lushtaku, konkurrente në “Dancing with the Stars”

Edicionit të pestë të spektaklit të vallëzimit “Dancing with the Stars” në Shqipëri i është bashkangjitur edhe Heidi Lushtaku, modelistja shqiptare nga Zvicra, imazhi i së cilës përfaqësohet sot suksesshëm në botën ndërkombëtare të modës.

Bukuroshja nga Zvicra hyn në listën e konkurrentëve VIP dhe do të kërcejë për çdo të hënë në orën 21:00 në TV Vizion Plus.

“Dancing with the Stars” është një patentë nga BBC Worldwide dhe në Shqipëri ka rezultuar e suksesshme. Vitin e shkuar kishte fituar garën e kërcimit Lori Hoxha.

Për ndryshe, Heidi Lushtaku, 24-vjeçarja me origjinë kosovare, ka shkëlqyer në botën e bukurisë. Ajo e ka nisur karrierën e modelimit prej moshës 13-vjeçare, por suksesi i saj shpërtheu menjëherë pas pjesëmarrjes në “Miss Zvicra 2013”. Heidi, një prej 5 vajzave me origjinë shqiptare që konkurruan në këtë kompeticion bukurie, ishte pretendentja kryesore për kurorën e më të bukurës së Zvicrës.

Heidi ka nisur tashmë suksesshëm karrierën e saj si modeliste dhe kulmin e ka arritur në kontinentin aziatik, ku prej afro dy muajsh ia doli të sfidojë tajlandezet me bukurinë e saj ekzotike. Kjo eksperiencë në Bangkok të Tajlandës i hapi 23-vjeçares dyert e modës ndërkombëtarisht, e tashmë vajza me origjinë shqiptare ka firmosur disa kontrata të rëndësishme.

Kudo ku shkel, Heidi nuk harron të përmendë vendlindjen e saj, Kosovën. Ajo është fëmija e një familjeje të madhe, me 7 motra e vëllezër të tjerë. E lindur në Vushtri, edhe pse është larguar nga vendi i saj shumë e vogël, lidhjet me të janë ende të forta.