Kosova

Haxhiu thotë se do t’i shkruajë kryetares së Speciales pas refuzimit për pjesëmarrjen e Thaçit në varrimin e babait të tij

Raportimet se ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është refuzuar leja për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij kanë nxitur reagime në Kosovë.

Pas organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton albinfo.ch.

Ajo ka shkruar se proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta dhe të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore.

“Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, është krejt absurde ajo që kuptuam nga mediat, se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait. Lidhur me këtë vendim të padrejtë, do t’i shkruaj kryetares së Dhomave të Specializuara”, ka shkruar Haxhiu.