Kosova

Haxhiu kërkon transferim në Kosovë të katër kosovarëve që po mbahen në burgjet e Serbisë

Ministrja Haxhiu i ka dërguar letër ministres serbe të Drejtësisë me kërkesën për transferim

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, i ka dërguar letër ministres serbe të Drejtësisë, Maja Popoviç, përmes së cilës ka kërkuar që kosovarët që po mbahen në burgje të Serbisë, të kthehen dhe të gjykohen në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ajo ka shkruar se Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa po mbahen në burgjet e Serbisë dhe duhet të kthehen për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

“Javën e kaluar kam kërkuar nga ministrja serbe e Drejtësisë që të transferohen qytetarët tanë që po mbahen në burgjet serbe. Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa duhet të kthehen në Kosovë për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm nga autoritetet”, ka pohuar ministrja Haxhiu.

Tutje, në letër ajo ka përmendur edhe marrëveshjen bazike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.