Integrimi
Gzim Hasanaj: Shqiptarët duhet të kenë së paku 2 deputetë në Zvicër
“Bazuar në praninë tonë në Zvicër, duhet të kishte deri në tre pjesëtarë të komunitetit tonë në Parlamentin Nacional. Mirëpo ne jemi pak të vonuar...”
Në vitin e kaluar, herë të parë në historinë e Parlamentit të Kantonit Baselland është zgjedhur një deputet me rrënjë shqiptare. Ai është aktivisti i njohur dhe eksperti i të drejtës sociale, Gzim Hasanaj. Hasanaj është përfaqësues i Partisë së Gjelbër. Studimet për Shkencat Sociale i ka mbaruar në St. Gallen, ndërsa në po këtë drejtim studimet për Master i ka ndjekur në Bernë, Luzern dhe St. Gallen. Përveç si deputeti i parë nga komuniteti shqiptar në kantonin e tij, në Baselland, Gzim Hasanaj është i pari shqiptar në Zvicër që është zgjedhur si kandidat nga Partia e Gjelbër.
Albinfo.ch: Jeni nominuar nga Partia e Gjelbër (Grüne) si kandidat për zgjedhjet që do të mbahen më 22 tetor të këtij viti. Ju keni një bagazh të pasur të angazhimit në politikën lokale dhe kantonale. Çfarë ju ka shtyrë konkretisht të provoni veten edhe në nivelin nacional?
G.Hasanaj: Temat të cilat trajtohen në Parlamentin Nacional kanë zgjuar tek unë gjithmonë një interes më të madh. Disa prej tyre janë: politika ndërkombëtare, politikat sociale, ligjet për të huajt dhe për integrim, e energjisë, posaçërisht energjitë e ripërtërishme, siguria dhe pavarësia energjetike etj. Pikërisht për shkak të bagazhit tim ma merr mendja që mund të jap një kontribut më të madh në këto tema. Nga studimet në shkencat sociale dhe nga puna shumëvjeçare ne këtë fushë, unë sjell me vete mjaft njohuri dhe përvojë përkitazi me politikat sociale. Pëvoja ime e migrimit dhe kalimi i të gjitha fazave të integrimit në shoqërinë vendëse, mund të ndihmojë në krijimin e një legjislacioni të mirë për migracionin. Në rininë time kam studiuar për disa vite në Fakultetin e Elektroteknikës në Prishtinë. Edhe pse kjo përvojë është shumë larg në kohë, prapë se prapë ka mbetur një interesim për çështjet energjetike, një prej temave më të ndjeshme të kohës që po jetojmë. Patjetër, edhe rezultati në zgjedhjet e fundit kantonale më ka trimëruar që ta pranoj nominimin për zgjedhjet nacionale.
Albinfo.ch: Ka pasur, disa vjet më parë, një numër të madh kandidatësh shqiptarë për Parlamentin e Zvicrës. Siç është parë më vonë, një pjesë e mirë e tyre kanë qenë që në fillim të pagjasa dhe kanë shërbyer vetëm si burim votash nga komuniteti shqiptar, për partitë përkatëse. A mendoni se kësaj here, me rastin tuaj, qasja është ndryshe?
G.Hasanaj: Çdo parti politike gjatë përpilimit të listave përpiqet që në listë të ketë një shumëllojshmëri të kandidatëve që i përgjigjet edhe diversitetit shoqëror në Zvicër. Kjo është legjitime dhe këtë e bëjnë të gjitha partitë. Nga ana tjetër, karriera politike këtu ndërtohet në një periudhë më të gjatë kohore, pra duhet pasur durim, edhe nëse dikush nuk zgjidhet menjëherë.
Kjo është një këshillë që me dëshirë do t`ua jap të rinjve që kanë vendosur të merrenme politikë. Unë jam inkuadruar aktivisht në politikë në një moshë goxha të madhe, prandaj edhe më është dashur t`i kapërcej disa shkallë dhe kandidimin e parë ta kem në nivel kantonal, ndërsa tani të dytin, në nivel nacional. Kjo është diçka që ndodhë rrallë, prandaj të rinjtë nuk duhen dekurajuar, nëse nuk korrin fitore menjeherë në kandidimin e parë. Nga ana tjetër unë kam një përvoje nëntëvjeçare si drejtor për çështje sociale në një komunë në kantonin ku jetoj. Ndërsa për të pasur gjasa të mira për t’u zgjedhur, krahas gatishmërisë personale për angazhim politik, rezultati varet edhe nga renditja në listë. Vendet e para në listat zgjedhore, kanë gjasa më të mira për të fituar mandate. Fitorja ime në zgjedhjet e fundit për parlamentin kantonal, ka të bëjë pikërisht me vendin tim në listë. Unë isha bartës i listës në qarkun tim zgjedhor, prandaj edhe i kisha gjasat e mira për të fituar, gjë që pastaj edhe ndodhi.
Albinfo.ch: Ju jeni nominuar nga partia juaj dhe i jepni llogari asaj. Por, komuniteti shqiptar ka po ashtu interesin e tij në këto zgjedhje: Sipas tij “janë pjekur kushtet” që më në fund të ketë një ose më shumë politikanë me rrënjë shqiptare në Parlament. A mendoni edhe ju se “janë pjekur” këto kushte?
G.Hasanaj: Krahasuar me pjesëmarrjen tonë në numrin e popullsisë duhet të kishte së paku dy ose tre pjesëtarë të komunitetit tonë në Parlamentin Nacional. Mirëpo ne jemi pak të vonuar në këtë pikpamje. Është mjaft injurajues interesimi i të rinjve viteve të fundit për tu angazhuar në politikë. Ne kemi treguar një energji të jashtzakonshme, në sport dhe në biznes, prandaj mbetet që të shpresojmë, që ky sukses të përsëritet edhe ne politikë.
Albinfo.ch: A llogaritni shumë në mbështetjen nga komuniteti shqiptar në këto zgjedhje apo mendoni se e keni bazën e sigurt te zgjedhësit tradicionalë të partisë suaj?
G.Hasanaj: Mbasi kam hyrë aktivisht në politikë vetëm para një viti dhe nuk jam ende i njohur në tërë kantonin, mbasi në zgjedhjet nacionale i tërë kantoni është një qark zgjedhor, do të jetë mjaft e vështirë që të zgjidhem vetëm me votat tradicionale të partisë. Pra natyrisht që përkrahja e komunitetit do të më gëzonte dhe do t`i shtonte gjasat për fitore. Unë prej shumë vitesh angazhohem për komunitetin, kam qenë mjaft aktiv në Kuvendin e Shqiptarëve në Zvicër etj. Në Bazel jam anëtar aktiv në dy shoqata, njëra angazhohet për shkëmbim kulturor në mes Bazelit dhe Gjakovës, ndërsa tjetra për shkëmbim në kulturë dhe sport në mes të vendësve dhe mërgimtarëve në qytetin e Bazelit dhe në rrethinë.
Albinfo.ch: Çfarë u premtoni zgjedhësve, në rast se do të zgjidheni deputet?
G.Hasanaj: Do të angazhohem për të drejtat e mërgimtarëve, për barazi sociale, për mundësi të barabarta për të gjithë pavarësisht prejardhje dhe përkatësisë. E përkrah nismën për krijimin e mundësive që të fitohet nënshtetësia në mënyrë të lehtësuar mbas pesë vitesh qëndrimi në Zvicër, që të krijohen mundësi të barabarta për shkollim cilësor për të gjithë, për krijimin e kushteve për pjesëmarrje në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe në çdo lloj të punës, posaqërisht në kompanitë shtetërore (publike), në të cilat mërgimtarët nuk janë të përfaqësuar sa duhet.
Albinfo.ch:Deri në zgjedhje kanë mbetur rreth 5 muaj, që nuk është një periudhë aq e gjatë. A keni bërë planin për fushatën tuaj zgjedhore? Nëse po, si duket ajo, në pika të shkurtra? Keni paraparë takime edhe me komunitetin shqiptar të këtushëm?
G.Hasanaj: Jam duke bërë një plan tani dhe nuk është përfunduar ende në tërësi. Do të jem më aktiv në rrjetet sociale, që është një risi per mua, pasi deri tani nuk kam qenë fare i pranishëm në to. Natyrisht jam i gatshëm tu përgjigjem ftesave për bashkëpunim dhe bashkëbisedim me shoqatat dhe grupimet e interesuara në Kantonin e Bazellandit, pasi fushata ime shtrihet në këtë kanton.
Të gjithë ata që kanë të drejtë vote, duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi
G.Hasanaj: Të gjithë ata që kanë të drejtën e votës, le ta shfytëzojnë këtë të drejtë dhe le të votojnë për kandidatët për të cilët mendojnë se do t`i përfaqësojnë më së miri. Demokracia është një e arritur e madhe shoqërore, në kohën kur në botë janë duke u shtuar tendencat autoritare dhe totalitariste, prandaj të gjithë ata që e kanë fituar të drejtën e votës, patjeter duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Falënderoj platformën albinfo. ch për këtë mundësi dhe për përhapjen e informatave në mesin e bashkatdhetarëve, për krijimin e mundësive për një njohje më të gjerë dhe për mundësinë e dhënë për t`iu drejtuar lexuesve tuaj.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve