Lajme

Harmonizohet agjenda evropiane e Kosovës

Një zyrtar në ambasadën e Kosovës, në Bruksel do të koordinojë punën në përmbushjen e kritereve për integrime euroatlantike

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Vlora Çitaku kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me te cilin parashihet harmonizimi dhe avancimi i agjendës evropiane të Kosovës.

 

Ministrat Hoxhaj dhe Çitaku janë marrë vesh edhe për caktimin e një zyrtari në ambasadën e Kosovës, në Bruksel i cili do të koordinojë punën e dy ministrive në përmbushjen e kritereve për integrime euroatlantike .

 

Sipas ministrit Hoxhaj, marrëveshje ka për qëllim përshpejtimin e procesit të liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërkaq ministrja Çitaku ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret teknike për të marr udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Pa përmendur ndonjë afat kohor, Çitaku ka thënë se Kosova shumë shpejt do ta marr këtë udhërrëfyes.

 

Është bërë e ditur se, ministrja Çitaku nesër do të udhëtojë për në Bruksel, ku pritet të ketë takime me komisionerin për zgjerim të BE-së, Stefan Fuele, si dhe Komisionin për punë të brendshme dhe tregti.