Kosova

Hapet panairi i librit `Prizreni 2024`

Në qytetin e Prizrenit, sot u hap panairi i librit “Prizreni 2024”, një ngjarje e rëndësishme kulturore për rajonin dhe për të gjithë dashamirësit e letërsisë, përcjell albinfo.ch.

Në këtë edicion të panairit do të marrin pjesë shtëpitë botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Turqia, duke bërë të mundur një bashkëpunim të gjerë letrar dhe kulturor.

Panairi po zhvillohet në ambientet e “Sheshit të Lidhjes”, në qendër të qytetit të Prizrenit, duke u kthyer në një pikë takimi për autorë, lexues dhe profesionistë të industrisë së librit.

Çdo mbrëmje, fillimisht nga ora 20:00, në Kej, buzë Lumbardhit, do të mbahen takime letrare, ku do të promovohen vepra dhe do të diskutohet për letërsinë dhe historinë kulturore të rajonit.

Në listën e autorëve të ftuar për të prezantuar veprat e tyre gjatë panairit, përfshihen emra të njohur, si Adil Olluri, Roland Spahiu, Qerim Lita, Merita Kuçi, Skënder Zogaj, Xhevair Lleshi, Fjolla Spanca, Engin Noyan, Donika Dabishevci, dhe do të kujtohet veprimtaria artistike e shkrimtarit të nderuar, Haqif Mulliqi.