Kosova

Hapet në Toronto Java e Kulturës së Kosovës

Mbrëmjen e së shtunës në Toronto është hapur Java e Kulturës së Kosovës në Kanada me një koncert të tenorit Ramë Lahaj.

Në ceremoni ka marrë pjesë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se në sallën e mbushur me shqiptarë, por dhe mysafirë kanadezë, nën drejtimin e dirigjentit Bujar Llapaj, Orkestra Filarmonike e Torontos, luajti vepra të ndryshme shqiptare dhe klasike.

“Me emocion dhe përmallim, si një kor madhështor, mbrëmjen e përfunduam duke kënduar së bashku me Ramë Lahajn, tenorin me famë botërore këngën ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’. Java e Kulturës e Kosovës në Kanada organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada, mbahet në kuadër të 25-vjetorit të shënimit të mikpritjes kanadeze për mbi 7000 refugjatë nga Kosova në vitin 1999 si dhe 15-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Kanadasë dhe gjatë ditëve të ardhshme do të përfshijë shumë aktivitete të ndryshme kulturore. Refugjatët e atëhershëm, sot janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë kanadeze. Ata janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Ndërtojnë ura të fuqishme mes Kosovës dhe Kanadasë, por pa harruar asnjëherë vendin e tyre”, ka shkruar ajo, transmeton albinfo.ch.