Lajme

Hajdari: Investimet nga Zvicra dhe diaspora, çelës i zhvillimit të Kosovës

Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë një vend tërheqës për investime të huaja, ndonëse investitorët nuk duhet të hezitojnë të kontaktojnë dhe të komunikojnë me Odën Ekonomike Zvicerano-Kosovare ose me Ambasadën e Zvicrës, në mënyrë që të eksplorohet potenciali i pashfrytëzuar që shteti i Kosovës ka për të ofruar.

Kështu është thënë sot gjatë inaugurimit të zyrave të Odës Ekonomike Zvicerano-Kosovare në Prishtinë, e cila është themeluar në maj të këtij viti.

Zëvendësambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Pauline Menthonnex – Gacaferri, ka thënë se beson se shumë kompani, si nga Kosova, ashtu edhe nga Zvicra, do të tregojnë interes dhe dëshirë për t’u bashkuar me këtë nismë të re.

“Investitorët nuk duhet të hezitojnë të kontaktojnë për të komunikuar me shoqatën ose Ambasadën, në mënyrë që të eksplorojmë potencialin e pashfrytëzuar që shteti i Kosovës ka për të ofruar. Unë do të theksoj këtu punën e mirë të ministres [Rozeta] Hajdari. Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë një vend tërheqës. Në fakt shoqata u hap zyrtarisht më 28 maj. Rreth pesë kompani na kanë kontaktuar tashmë me planin për të investuar, për të punësuar, dhe për të krijuar vende pune këtu në Kosovë. Pra, ky është padyshim një lajm i mirë dhe unë gjithashtu dua ta ndaj me ju këtë lajm disa javë më parë”, theksoi Menthonnex – Gacaferri.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se investimet e huaja nga Zvicra dhe diaspora janë çelës i zhvillimit të Kosovës.

Që të arrihen këto investime, ministrja Hajdari ka kërkuar nga kjo odë që në bashkëpunim edhe me institucionet arsimore nga Zvicra dhe Kosova t’i prezantojnë nevojat e tregut të punës, siç tha ajo për adaptimin e profileve dhe kërkesave të tregut.

“Si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nuk ndihem rehat nëse i shoh të rinjtë tanë pa punë, kurse shoh industritë e tjera që kanë nevojë për industritë tona, por edhe ndërkombëtare që kanë nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar. Andaj, me ndihmën e juaj kërkoj sa më shumë bashkëpunim edhe me institucionet arsimore si nga Zvicra dhe këtu në Kosovë si odë që t’i afrojmë nevojat e tregut dhe t’i adaptojmë profilet sipas nevojave të tregut, sepse vetëm kështu mund ta zhvillojmë industrinë dhe të sjellim investitorë për fuqi punëtore të kualifikuar. Unë i takoj disa investitorë gjermanë, që thonë se, ne vet do t’i trajnojmë fuqinë punëtore në Kosovë, sepse kemi llogari të fillojmë me vija të prodhimit në Kosovë. Kështu që praktika të tilla kam dëshirë t’i shoh më shumë. Pra, sa më afër të jemi në bashkëpunim me industrinë, sa më afër me diasporën që është çelës i zhvillimit për vendin tonë”, ka theksuar Hajdari.

Kryetari i Odës Ekonomike Zvicerano-Kosovare, Fikret Murati, para të pranishmëve u shpreh optimist se do të jetësojë projektet që pritet të rrjedhin nga bashkëpunimi i mirëfilltë mes palëve.

“Nuk kam çka të shtoj më shumë, përveç se t’ia nisim punëve së bashku dhe t’i qasemi sinergjive tona, ku mendoj se Zvicra është shembull për neve si vend. Kështu që është mënyra e duhur se si duhet të zhvillohemi si Odë e re në tregun evropian. Faleminderit për prezencën e juaj!”, theksoi Murati.

Kjo odë është themeluar në maj të këtij viti. /KP