Futboll

Hadërgjonaj: E kam zgjedhur me zemër Kosovën, do të jetë sfidë speciale

“E njoh Xherdanin, jemi në kontakt. Kemi qenë në krah të njëri-tjetrit dhe kemi miqësi të ngushtë. Është e veçantë për të dy ne ndeshja e nesërme”, u shpreh Hadërgjonaj

Mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadërgjonaj ka folur në konferencën për media para ndeshjes ndaj Zvicrës. “Kemi një ndeshje speciale, edhe për faktin se unë kam qenë te Zvicra, por nuk do të thotë se jam më i motivuar apo në stres. Do jetë speciale për Kosovën se Zvicra është një nga skuadrat më të mira dhe shpresoj të përgatitemi siç duhet. Ne përgatitemi për çdo ndeshje dhe kemi kapacitet dhe e kemi treguar me kundërshtarë të nivelit të mesëm si Zvicra, duam të fitojmë”, është shprehur Hadërgjonaj.

“Presion nuk do ketë, do jetë një atmosferë e bukur për të gjithë futbollistët edhe për ata që luajnë për Zvicrën. Është miqësore dhe nëse do të ishte zyrtare mund të ishte pak më ndryshe. Ne do të provojmë atë që kemi bërë në stërvitje, kemi trajner të ri dhe shpresojmë t’i kënaqim tifozët. Dy vitet e fundit kemi qenë pa tifozë dhe ata do të na motivojnë se stadium do të jetë plot. Duhet ta marrim seriozisht se jemi profesionistë aq më tepër kur do të ketë shumë shqiptarë në stadium”, ka shtuar tutje Hadërgjonaj.

“E njoh Xherdanin, jemi në kontakt. Kemi qenë në krah të njëri-tjetrit dhe kemi miqësi të ngushtë. Është e veçantë për të dy ne ndeshja e nesërme. E kam thënë gjithmonë se nuk e kam bërë gabim që zgjodha Kosovën, ka qenë zgjedhje prej zemrës. E kam pasur mundësinë të luaj për ekipin A të Zvicrës në një miqësore, por zgjodha me zemër dhe jam shumë i lumtur që kam bërë këtë zgjedhje”, shtoi tutje mbrojtësi i Kosovës.