Kosova
Guidat profesionale u rrisin vlerën destinacioneve turistike
Mentor Vokshi, guidë malor i certifikuar me përvojë shumëvjeçare në këtë rajon, sapo ka përfunduar trajnimin që ka mbajtur për grupin e ri të guidave
Një tjetër emër për Pejën si destinacion turistik mund të jetë dhe “qyteti i Via Ferratave”, pasi atje gjenden katër të tilla: Ari, Mat, Marimangat dhe Shpella. Ato dallojnë për nga shkalla e vështirësisë, natyra ku janë ndërtuar, peizazhet që shpalosen kur ngjitesh deri lart dhe nga mundësitë e ndryshme që ofrojnë për të përjetuar edhe produkte të tjera turistike shoqëruese. Peja po ashtu ka zipline, Urën Tibetane dhe shumë aktivitete të tjera të turizmit në natyrë.
Zhvillimi turistik i Pejës në këtë drejtim ka kontribuar në shtimin e numrit të vizitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, gjë që ka paraqitur nevojën që aktorët e sektorit të turizmit të ndërmarrin hapa për përmirësimin më tej të shërbimeve dhe përvojave që ofrojnë. Një nga këta hapa është rritja e numrit të guidave të certifikuar, sidomos për Via Ferratat. Guidat e përgatitur si duhet profesionalisht dhe të pajisur me njohuritë e nevojshme ia shtojnë vlerën destinacionit dhe produktit të Via Ferratave.
Mentor Vokshi, guidë malor i certifikuar me përvojë shumëvjeçare në këtë rajon, sapo ka përfunduar trajnimin që ka mbajtur për grupin e ri të guidave. Ky trajnim, i organizuar nga OJQ-ja “Marimangat e Pejës”, ka certifikuar 15 guida të rinj që tashmë janë të gatshëm të ofrojnë shërbime për turistët dhe vizitorët.
Mentori vetë prej kohësh punon si guidë kryesisht për aktivtete të aventurës dhe në natyrë, përfshirë biciklizmin malor, ecjet shumëditorë në kuadër të “Peaks of the Balkans”, ‘Via Dinarica” dhe Via Ferratat. Këtë herë, ai ka qenë dhe trajneri i guidave të reja që sapo e kanë nisur këtë rrugëtim të ri profesional.
“Trajnimi ka pasur pjesën teorike dhe praktike. Së pari, i kemi informuar pjesëmarrësit për historikun e Via Ferratave, pastaj për nivelet e vështirësisë në ngjitje. Të gjitha këto i demonstrojmë edhe me foto, edhe me video. Për dy ditë kanë patur pjesën praktike, ku kemi provuar tre linja. Në kuadër të trajnimit është edhe rubrika e mirëmbajtjes së Via Ferratave, pasi edhe kjo pjesë hyn tek angazhimi i guidave, që të shohin anomalitë dhe dëmtimet që kanë ndodhur sidomos gjatë periudhës së dimrit dhe fillimit të pranverës”, tregon Mentori.
Në trajnimet e tilla, përveç guidave të reja, marrin pjesë edhe guidat e certifikuar më herët me qëllim të rifreskimit të njohurive, sidomos për ndihmën e parë. Pjesëmarrësit e rinj këtë vit ishin nga qytete të ndryshme të Kosovës, gati gjysma vajza të reja.
Mentori tregon se pjesëmarrësit kryesisht e kanë nga një profesion tjetër, por dëshira për të punuar në të ardhmen edhe si guida, për shembull gjatë kohës së lirë, i ka shtyrë të bëhen pjesë e këtij trajnimi. “Janë të rinj entuziastë dhe mendoj se ata do të plotësojnë kërkesën në rritje për guida dhe do të zëvendësojnë guidat me përvojë”, thotë ai.
Sipas Mentorit, nëse të rinjtë i përkushtohen vërtet këtij profesioni, jo vetëm gjatë fundjavave, mund t’i krijojnë vetes perspektiva shumë të mira punësimi. “Po shohim se numri i turistëve po rritet çdo vit, interesimi për guida është gjithnjë e më i madh. Edhe numri i Via Ferratave në Kosovë është në rritje, pra një mundësi e mirë punësimi për ta. Nëse vazhdon kështu puna për ngritjen e kapaciteteve turistike, ky profesion ka indikacione që nga një pune sezonale të shndërrohet në punë me kohë të plotë”, thotë ai.
Grupi i ri i guidave të sapocertifikuar i shton Pejës si destinacion një vlerë të madhe, pasi guidat kontribuojnë me aftësitë e tyre profesionale edhe në rritjen e vetëdijes turistike, japin informata turistike të mira, kontribuojnë në përmirësimin e qasjes ndaj turistëve dhe rrisin cilësinë e mikpritjes. “Është një profesion mjaft kompleks”, thotë Mentori.
Ky trajnim i organizuar nga OJQ “Marimangat” është përkrahur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha