Grupi punues, i përçarë rreth kritereve për dëbim

Brengosin (mos)pajtueshmëria me kushtetutën federale dhe dilema nëse iniciativa është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare

Grupi punues i caktuar nga ministrja e drejtësisë Simonneta Sommaruga për jetësimin e iniciativës për dëbimin e të hujave kriminelë, ka hasur në mosmarrëveshje, veç tjerash, lidhur me përshtatjen e iniciativës me kushtetutën federale.

Grupi po shqyrton katër variante për zbatimin e iniciativës, shkruan 20minuten.online. I pari parasheh si bazë një listë precize të delikteve që mund të jenë shkak për dëbim nga Zvicra. Varianti i dytë konsiston në definimin e një norme pa bërë ndonjë katalog të detajuar.

Ndërkohë, varianti i tretë parasheh futjen e një klauzule të jashtëzakonshme për deliktet e lehta dhe varianti i katërt thotë që për kriteret për dëbim të mbështeten në të drejtën për të huaj dhe jo në të drejtën penale.

Sipas kryetarit të grupit, profesorit Heinrich Koller, mendimet në mes të anëtarëve vazhdojnë të jenë të ndara pikërisht lidhur me pranimin e njërës nga këto variante.

Një pikë tjetër në të cilën nuk pajtohen anëtarët e grupit është çështja e proporcionalitetit: a duhet të merret si bazë për dëbim pesha e veprës penale apo vetëm ekzistimi i një aktgjykimi për veprën.

Sipas Koller, pajtueshmëria me kushtetutën federale është pika më e ndjeshme e debatit. Po ashtu ekziston dilema nëse iniciativa është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Grupi punues do të takohet katër deri në gjashtë herë para se të sjellë vendimin përfundimtar. Rezultatet do të publikohen në muajin qershor.