Kosova

Grupi “#Protestoj” anulon protestën, akuzon opozitën

Iniciativa e qytetarëve “Protestoj” me anë të një njoftimi ka treguar se këtë javë nuk do të ketë protestë, pasi thonë se ata nuk mund të vazhdojnë të protestojnë pasi që nuk po shohin potencial për masivizim të protestave.

Ata kanë kërkuar nga ana e qytetarëve që të rrisin aktivitetin dhe të bashkohen për të protestuar për kauza të rëndësishme, përcjell albinfo.ch.

Arsye tjetër është mosmarrja përkrahje nga ana e partive opozitare, sidomos e LDK-së dhe Vetëvendosjes. “#PROTESTOJ shpreh keqardhje për dështimin e opozitës që ta kuptojë rëndësinë e momentit dhe situatës për reagim të përbashkët, me ç’rast do t’i tejkalonin dallimet e tyre për kauza më të rëndësishme.

Iniciativa qytetare i ka bërë thirrje opozitës që të tejkalojë ambiciet afatshkurta elektorale e të bashkohet për masivizimin e protestave për t’i ndalur pasojat që mund të shfaqen për shkak të keqqeverisjes dhe keqpërdorimit nga ana e presidentit të funksioneve të tij në politikën e jashtme, por nuk ka hasur në mirëkuptim”, thuhet në njoftim.