Lajme

Grupet më të përhapura të gjakut nëpër kontinente

Visualcapitalist ka zbuluar se grupi më i zakonshëm i gjakut në 7,9 miliardë njerëz, të shpërndarë në 195 vende dhe 7 kontinente, është ai 0+ me 39 për qind të popullsisë së botës. Më i rralli ndërkohë është grupi i gjakut AB- me vetëm 0.40% të popullsisë së botës.

Duke e zbërthyer në nivel kombëtar, këto statistika fillojnë të ndryshojnë. Meqenëse faktorë të ndryshëm gjenetikë luajnë një rol në përcaktimin e grupit të gjakut të një individi, çdo vend dhe rajon tregon një histori të ndryshme për njerëzit e tij.

Azi

Edhe pse grupi i gjakut 0+ mbetet më i zakonshëm këtu, grupi B është relativisht i zakonshëm gjithashtu. Afërsisht 20 për qind e popullsisë së Kinës ka këtë grup gjaku, dhe i njëjti po ashtu rezulton i zakonshëm në Indi dhe vende të Azisë Qendrore. Ndërkohë, në vende të Azisë Perëndimore, si Armenia dhe Azerbajxhani, grupi A+ është mbizotërues.

Amerikë

Grupi i gjakut 0 është më i zakonshmi në 70 për qind të amerikano-jugorëve. I njëjti grup është gjithashtu i zakonshëm në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.

Afrikë

0+ është një grup gjaku mbizotërues mes vendeve afrikane. Vende si Gana, Libia, Kongo dhe Egjipti kanë më shumë njerëz me grup gjaku 0- sesa AB+.

Europë

Grupi i gjakut A është i zakonshëm në Europë. Gati 40 për qind e danezëve, norvegjezëve, austriakëve dhe ukrainasve kanë këtë tip gjaku.

Oqeania

0+ dhe A+ janë grupet mbizotëruese të gjakut në vendet oqeanike, me përjashtim të Fixhit, ku shumica e popullsisë ka grup gjaku B+.