Shkurt.ch

Grup për “mbrojtje qytetare” nga azilkërkuesit

Qytetarët e Landegg-ut kishin krijuar një grup për "mbrojtjen qytetare”, duke marrë në një mënyrë në dorë kompetencat e forcave të rendit

Në fshatrat Landegg të kantonit St. Gallen dhe Hasliberg të Bernës, ekseset e shkaktuara kohëve të fundit nga azilkërkuesit e vendosur në strehimoret e atjeshme ishin bërë shumë shqetësuese për banorët.

Madje, qytetarët e Landegg-ut, siç shkruan “20Minuten” kishin krijuar një grup për “mbrojtjen qytetare”, duke marrë në një mënyrë në dorë kompetencat e forcave të rendit. Ata kanë përcjellë në çdo hap azilkërkuesit dhe kanë marrë shënime për çdo veprim të tyre. Por ndërkohë policia kantonale ka marrë masat për të vënë nën kontroll të plotë rendin dhe ligjin. Edhe pse këto masa nënkuptojnë rritje të shpenzimeve, kanë qenë të domosodoshme, thonë në polici.

Sipas planit të miratuar, tash e tutje në këtë qendër dhe afër saj do të patrullojë edhe një ekip i punëtorëve të sigurimit (Securitas).

Ndërkohë organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si AI etj. kanë reaguar kundër mënyrës së organiozimit të përmendur të grupit të qytetarëve. Ky organizim, sipas tyre është paragjykues dhe kufizohet me racizmin.

Masa të ngjashme për parandalimin e ekseseve të azilkërkuesve janë marrë edhe në fshatin Hasliberg.

Përveç angazhimit të punëtorëve të Securitas-it, Zyra Federale për Migracion ka njoftuar se në Haslibergd o të zvogëlohet numri i azilkërkuesve të strehuar, nga 100 në 60 sish. Veç kësaj, nga qendrat federale të paraqitjes së azilkërkuesve, në këtë qendër strehimi do të dërgohen më pak afrikanë të veriut, arabë. Këta të fundit janë ekspozuar më shumë si shkaktarë të ekseseve.

Shkase të drejtpërdrejta të marrjes së këtyre masave kanë qenë zënkat që javën e kaluar kishin shpërthyer në mes të azilkërkuesve nga grupe të ndryshme etnike, të strehuara këtu.