Shqipëria

Gruaja falënderon ushtarët që e shpëtuan

“I falënderoj shumë për ndihmën që na kanë dhënë”, shprehet Trëndafile Miçi

Disa efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë shpëtuan një të sëmurë duke e transportuar nga fshati i saj i izoluar nga dëbora, drejt spitalit të Kukësit.

E veçanta e kësaj kolone është se eci 3 orë në këmbë, duke e mbajtur të sëmurën me barrelë. Kjo bëri bujë në rrjetet sociale. Akti i ushtarakëve u cilësua heroik dhe fotot e tyre morën shumë pëlqime.

Gjendja shëndetësore e Trëndafile Miçit është e mirë. “I falënderoj shumë për ndihmën që na kanë dhënë”, shprehet Trëndafile Miçi për “TCH”.

Mark Nufi ishte mjeku roje që e priti dhe që po vazhdon ta ndjekë. Ai thotë se pacientja tani është jashtë çdo rreziku.

Trëndafile Miçi ia doli të mbërrijë në spitalin e Kukësit pas sakrificës së 7 ushtarakëve të divizionit të Kukësit, të cilët e transportuan të sëmurën me barrelë duke ecur 3 orë në këmbë pasi rrugët e bllokuara nuk lejonin futjen e automjeteve, përcjell albinfo.ch.

“Në një kohë rekord u nisën forcat dhe mjetet për transportimin e të sëmurës nga fshati Ymisht në drejtim të Kukësit”, shprehet Kastriot Imeraj, major i FA.

“Rruga ishte një terren tepër i vështirë. Pasi shkuam në fshatin Tejdrinë nuk kalohej më me mjete transporti. Organizova efektivin me barrelë për të tërhequr të sëmurën për ta sjellë në Kukës”, thotë Mirton Kerxhalliu, Kapiten i FA.