Lajme

Greta Thunberg nominohet për Çmimin Nobel për Paqe, për herë të dytë

Aktivistja suedeze, Greta Thunberg, është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin e dytë me radhë.

Dy politikanë në Suedi e nominuan adoleshenten e famshme për çmimin prestigjioz për punën e saj rreth ngritjes së vetëdijes për krizën klimatike në mbarë botën.

Politikanët Jens Holm dhe Hakan Svenneling nga Partia e Majtë thanë se vajza 17-vjeçare ka punuar shumë për t’i bërë politikanët që t’i hapin sytë para krizës klimatike.

Ata shtuan se aktivistja Thunberg dhe puna e saj në zvogëlimin e gazrave dhe respektimin e Marrëveshjes së Parisit është edhe vepër e bërjes së paqes, shkruan “Daily Mail”.

Thunberg-u ishte nominuar për këtë çmim edhe vitin e kaluar, por nuk kishte arritur ta fitonte çmimin përballë kryeministrit të Etiopisë, Abiy Ahmed.

Nxënësja suedeze i ka inkurajuar të rinjtë dhe fëmijët në mbarë botën që ta braktisin përkohësisht mësimin dhe të protestojnë për të kërkuar më shumë masa kundër ndryshimeve klimatike. Kjo lëvizje tashmë është përhapur në disa kontinente në tërë botën, transmetojnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.