Të tjera
Greqi: Një vizitë e veçantë në Janinë, Meteora, Delfi, Athinë…
Një parandjenjë emocionndjellëse më shtyri që të shkoja drejt fundit të rrugës: Akropolisit... Nga ku se ç’m’u kujtua një thënie e Sokratit: “Nga këtu mund të ndihesh vetëm qytetar i botës, as athinas, as grek, as...”
Idenë e kamotshme të një vizite gjithëpërfshirëse Greqisë historike dhe turistike e realizova këtë mesprill, me pikat të cilat tashmë i kisha përcaktuar si prioritet i këtij udhëtimi: Janina do të ishte ndalesa e parë. Kaluam në Kakavijë procedurat e kalimit të kufirit pa telashe, vijuam rrugën drejt Janinës nëpër një ambient fare ndryshe nga ai shqiptar që tashmë e kishim lënë prapa. Hotel Kalaja, brenda mureve të kështjellës së Ali Pashë Tepelenës në Janinë, i përzgjedhur qëllimshëm, ngase ishte personaliteti i Ali Pashë Tepelenës që më kishte nxitur ta vizitoja këtë kala. Varri i rrethuar me një rrjet hekuri, në qoshe të oborrit të xhamisë jofunksionale, qëndronte i ruajtur, me një tabelë që tregonte të dhëna për këtë monument të këtij personaliteti.
Nga anash mure shumëformëshe që mezi po i qëndronin kohës, por që megjithatë ruanin histori të atëhershme jete, me muret anësore që dëshmonin madhështinë e kësaj kalaje, sado që shteti grek sikur e kishte “përvetësuar” me ndryshime të brendshme, siç ishte kisha ortodokse, funksionale! Nga kalaja e shihje qytetin si në pëllëmbë të dorës, me një pamje të bukur, rrethuar nga liqeni i qetë dhe ngjyrëkaltër që po dremiste nën rrezet e diellit të atij mëngjesi të bukur prilli.
Meteora ishte caku i radhës: nga kyçja në autostradën Igumenica- Selanik, pjesa deri te pika dalëse për Meteora ishte me aq shumë tunele sa nuk më kishte rastisur të hasja më parë, e rruga tutje ishte me shumë kthesa, por me pamje piktoreske që të mahnitnin. Ç’ madhështi kishte krijuar natyra në Meteora, një pamje përrallore, vërtet e paparë dhe vështirë e rrokur me mend! Ashtu si ndërtimin mjeshtëror të atyre objekteve të manastireve me qëllime misionare, në majë të atyre shkëmbinjve, që vështirë ta besojë njeriu! Numri i shumtë i vizitorëve gjithandej ishte gjithashtu një befasi tjetër, mbase i mundësuar edhe nga moti i mirë dhe rrugët e mirëmbajtura.
Nga Kalambaka vijova rrugën drejt Trikalla-s, Kardisa-s, për të vijuar drejt Lamia-s dhe me kyçjen në autostradën Selanik-Athinë, posa u shfaq tabela për Amfisa dhe Termopylea devijova rrugën në të djathtë drejt Delfit, aty ku kisha cakun e radhës.
Një pamje kohe që gjatë e kisha kërkuar
Delfi, një qytet i vogël, rrëzë kodrave me pamje nga deti, nuk të bënte ndonjë përshtypje për arkitekturën apo infrastrukturën e tij, por posa dilje në anë tjetër në drejtim të Thivas dhe Athinës, të shfaqeshin themelet e rrënojave arkeologjike të qytetit të lashtë antik të Delfit. Një qytet arkeologjik, i quajtur edhe si “qendra e universit”. Në anën e majtë të rrugës shumë vetura dhe autobusë ishin ndaluar, shenjë që tregonte se ishte pika ku duhej vizituar. Bileta kushtonte 12 euro për person dhe shtigjet e rregulluara të tregonin kahun e ecjes. Po ngjitesha atyre trotuareve në të dy anët e të cilëve shihje gjurmë të qytetit antik, me mbishkrime në greqisht dhe anglisht dhe sikur po dyshoja se isha brenda atyre mureve dhe tempujve mijëravjeçarë… Po kujtoja shekujt e kaluar dhe çastin e tashëm: sa pak vlen njeriu para historisë së pafundme! Nga ana tjetër, një minutë e vetme mund të vlejë sa një milenium…! Dhe, unë po jetoja këtë minutë “universal dhe të pafund” që, pa dyshim, kishte vlerën e një jete të tërë! Gjatë kisha pritur që ta përjetoja këtë çast!
U ktheva në të tashmen: aq shumë vizitorë, të të gjitha kombeve! Tabelat shpjeguese në çdo qoshe, mure të shumta, gjurmë tempujsh dhe lashtësi civilizimi, pamje madhështore sa s’të linin të largoheshe… Në anën e djathtë të rrugës, vetëm pak metra tutje, përsëri gjurmë të tjera, pjesë e të njëjtit kompleks. Ç’ histori ruan ky qytet antik, i lidhur gjithsesi me historinë e Akropolit të Athinës, që ende po i përballonte kohës… Në përfundim të vizitës, diçka e brendshme më nxiti që të kthehem edhe një herë e t’i shikoja në të dy anët ato gjurmë lashtësie, ngase sikur nuk isha “ngopur” së shikuari dhe regjistruari vizualisht dhe mendërisht ato pamje që më kthenin në të kaluarën e largët të jetës njerëzore…
U nisa drejt qytetit Thiva, rrugës për në Athinë. Një rrugë e mirëmbajtur dhe lehtësisht e kalueshme, për t’u ndalur posa e kaluam qytetin Arhova: ç’pamje madhështore shtrihen përpara! Një luginë mes dy kodrave që të lë pa frymë me bukuritë e saj! Pasi u kyçëm në autostradë, udhëtimi ishte më i lehtë dhe tek në hyrje të Athinës kolanat sikur e prishën këtë përvojë.
Athina! E premte, mëngjes i bukur dhe me diell. Nga hoteli u nisëm këmbë që ta përjetonim qytetin dhe objektivi i parë ishte Akademia e Athinës me Aristotelin dhe Platonin, të cilët po qëndronin lart mbi tempuj me madhështinë e urtësisë së tyre. Ata po reflektonin pavdekshmërinë e dijes, përjetësinë e gjeniut dhe vetëdijen e vlerës së personaliteteve të veçanta njerëzore. Kjo dëshmohej me kureshtjen e aq shumë vizitorëve pranë tyre! Objekti i Parlamentit grek me ushtarët e veshur veçanërisht pranë po zgjonin gjithashtu interesimin e vizitorëve të shumtë… Parku kombëtar i Athinës kishte një strukturë të rregulluar rrugësh, bimësh, lulesh dhe drurësh të gjithfarshëm! Në një kënd të tij statuja e Lordit Bajron ma riktheu në kujtesë historinë e tij në raport me shqiptarët…Pothuajse përballë po qëndronte me hijeshinë e tij madhështore dhe antike Stadiumi Olimpik, me historinë e tij të lashtë dhe me shumë vizitorë kureshtarë rreth tij. Kaluam rrugën dhe hymë në pjesën e vjetër të qytetit, në kompleksin e Akropolit. Vijuam drejt burgut të Platonit, për të vijuar në kompleksin e monumentit të Attalos-it (159-139 b.c.), një objekt monumental i ruajtur dhe madhështor, me aq shumë tempuj dhe hapësira befasisht të mirëmbajtura! Brenda atij kompleksi edhe dy statuja: Aristoteli përballë Konfuqit! Një “kombinim” ky, sigurisht, i bërë me synimin e joshjes së vizitorëve kinezë dhe, kam bindjen se “kanë goditur” qëllimin! Për fund qëllimshëm e kisha lënë ta vizitoja kompleksin e Akropolisit:
Të zbresësh në rrënjët mitologjike të së shkuarës
20 euro bileta hyrëse, pas një pritjeje 30 minutëshe! Dhe, përsëri hyrja ishte e kontrollueshme: vetëm në kohën e caktuar, që të mos krijohej kaos vizitorësh, një gjetje e qëlluar kjo, sado mund të tingëllonte fillimisht absurde! Po ngjitesha “kalasë përpjetë” dhe po shikoja me etjen e njohjes historike: m’u rikthyen në kujtesë kompleksi i piramidave në Kajro të Egjiptit, ai i Trojës në Çanakkala të Turqisë dhe tashmë Akropolisi në Athinën e lashtë: ato s’mund të kenë asgjë nga lidhshmëritë e kohës, ama kureshtjen njerëzore për njohjen e tyre e mbajnë gjallë njësoj! Nga një pikë e lartë, nga ku shihje si në pëllëmbë të dorës gjithë Athinën, po u mbijetonin shekujve këto struktura monumentale që dëshmojnë aq lashtësi, sa tashmësi! Dhe, në këtë vorbull mendimesh, duhej aktivizuar njohjen. E motivuar nga kjo që po shihja! Ama, po e ndieja se po u dashka edhe të dish të shohësh! S’po mjaftuaka vetëm të shikosh…E kisha lexuar diku: “Të shohësh, do të thotë të dish pa u kujtuar”. Dhe, ishte çasti kur më nxiste pikërisht – të mendoja! Për lashtësinë. Për teknikat e ndërtimit të këtyre tempujve. Për menaxhimin perandorak. Për frymën e atij civilizimi, për frymën e kohës…Dhe, krejt kjo: në një çast të vetëm, ose në një hark kohor prej 20-30 minutash. Për një ekzistencë mijëvjeçarësh…Ta shohësh botën nga dritarja athinase apo nga jashtë të përpiqesh të shohësh çfarë ka brenda kësaj dritareje… Sipërfaqësisht sheh vetëm gurë dhe struktura gjysmë të rrënuara tempujsh, e nga brenda rrëshqet thellë në shekujt e së shkuarës, pa ditur ku do të ndalesh!
Vizitorë të shumtë po gumëzhinin gjithandej duke hulumtuar nëpër çdo skutë! Gurë, shtylla gurësh dhe gjurmë mbishkrimesh nga antikiteti! U ndala në një qoshe dhe kurrsesi të shkëputesha nga vështrimi me etjen e pafund të thellimit në njohje, që s’po më shuhej as pas 40 minutash ecjeje të pandalshme e vrojtime ta pafundme. Se ç’më kishte hipur në kokë të qëndroja edhe më… Se nga më ishte zhdukur edhe etja ngase nuk isha kujtuar të merrja një shishe ujë me vete! Ama, s’kisha rrugëzgjidhje: më duhej të zbrisja teposhtë shkallëve për të dalë jashtë atij kompleksi madhështor…edhe pse gjykoja veten: “Të pritesh me vjet për të arritur këtu dhe vetëm për më pak se një orë të dalësh”! Sikur s’mund ta arsyetoja veten! Megjithatë, edhe kaq minuta brenda këtij kompleksi ishin një përvojë unike dhe e papërsëritshme! Po, mund ta vizitoja përsëri e përsëri këtë vend, por ndjesinë e njëjtë kurrë ta përjetoja më! Seç m’u kujtua titulli i një proze: “Vetëm një herë në jetë! Po, pa dyshim po! Vetëm tash po përjetoja atë ndjesi që s’mund të përsëritet më… Dhe, po zbrisja poshtë për të dalë jashtë atij kompleksi duke lënë prapa pafundësinë e civilizimit njerëzor dhe misterin shpjegues të kësaj pafundësie…
Muhamet Reçica
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve