Lajme

Greqi, arrestohet shqiptari për krimin e bërë 18 vjet më parë

Autoritetet greke kanë arrestuar autorin e një krimi makabër të kryer 18 vjet më parë në zonën e Volosit, në Greqi.

Sipas policisë, autoritetet ishin në kërkim të autorit të grabitjes së dhunshme të një 80-vjeçareje greke, e cila pasi u lidh dhe u dhunua prej grabitësit, gjeti vdekjen si pasojë e plagëve të marra.

Ngjarja kishte shokuar opinionin vendas, për shkak të dhunës ekstreme që autori kishte ushtruar ndaj viktimës.

80-vjeçarja ishte rrahur barbarisht dhe, pasi ishte dhunuar, ndaj saj ishte përdorur thikë, plagët e së cilës i kushtuan jetën.

Ndonëse policia besonte që në fillim se bëhej fjalë për një krim me qëllim grabitjeje, pasi në banesë ishin zhdukur gjithë sendet me vlerë, nuk kishte mundur të arrestonte autorët.

Shenjat e gishtërinjve kanë “treguar” autorin e ekzekutimit të të moshuarës greke.

Duket se autori, një shtetas shqiptar rreth të pesëdhjetave, emri të cilit për momentin nuk bëhet publik, ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë, por është vënë në pranga sapo u paraqit pranë autoriteteve për të përfunduar procedurën e dhënies se lejes së qëndrimit, procedurë në të cilën emigrantët duhet të japin shenjat e gishtave.

Autori është shoqëruar në polici, ku fillimisht kishte mohuar se kishte lidhje me ngjarjen, por pas paraqitjes së provave në ngarkim të tij, e pranoi autorësinë, duke u justifikuar se ishte tepër i ri dhe se nuk donte ta vriste viktimën, por ajo e kishte njohur./tch