Integrimi
Gratë shqiptare në politikën zvicerane – portret i Rixhil Agushit
Rixhil Agushi, shqiptare nga Maqedonia, ështe asambliste socialdemokrate dhe tashmë shtatë vite pjesë e politikës në Parlamentin e Komunës së Schlierenit, Kantoni i Cyrihut. Si ndërmjetëse kulturore, ajo i ka dhënë vetes për detyrë zbehjen e paragjykimeve ndaj të huajve dhe krijimin e një hapësire më të madhe të mirëkuptimit
“Përse jam në politikë? Për faktin që unë dua të angazhohem për pakicat në shoqëri dhe për reduktimin e paragjykimeve”, thotë Rixhil Agushi në intervistën për albinfo.ch.
Për këtë arsye ajo, në vitin 2009, ishte anëtarësuar në SP (Partinë Socialdemokrate) në Schlieren të Cyrihut, qytet ky në të cilin ajo jeton që nga mosha e saj 2 vjeçare.
Dy vjet pas fillimit në politikë, ajo, në Asamblenë e Komunës së Schlierenit kishte zënë vendin e një kolegu të saj partiak, i cili kishte dhënë dorëheqje. Në vitin 2014 Rixhili ishte zgjedhur për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë asambliste, ndërsa në shkurt të vitit 2018 ajo tashmë është zgjedhur në legjislaturën e dytë të këtij parlamenti.
“Nuk e di nëse komuniteti shqiptar ka luajtur një rol të madh me rastin e zgjedhjes sime”, shprehet Rixhili. Ndërsa receta e saj për suksesin në zgjedhje është kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre. Por ajo është e sigurt se mbi bazë të angazhimit të saj si ndërmjetësuese në mes të të krishterëve dhe myslimanëve, ka fituar votat e shumë mbështetësve të partisë EVP (Evangelische Volkspartei). “Mirëpo ndodh që disa njerëz, nisur nga parimi i tyre, e fshijnë emrin tim nga lista”. Kjo “i ka rënë në vesh” nga qarqe të ndryshme”.
Politikane lokale me vullnet të fortë
Njëri ndër preokupimet më të mëdha të Rixhilit është ngritja e një varreze për myslimanët në komunën e saj. “Unë jam rritur në Schlieren, në këtë qytet kam mbaruar shkollimin për asistente mjekësore dhe punoj si kontabiliste në Klinikën Im Park në Wollishofen”.
Kërkesa në fjalë e saj është hedhur poshtë dy herë, por kjo nuk e ka ndaluar politikanen me vullnet të fortë që të provojë edhe një herë. “Njerëzit duhet të kenë kohë që të informohen lidhur me këtë temë. Rreth saj duhet të bisedohet dhe diskutohet, për të kuptuar arsyen përse për ne është kaq e rëndësishme që të varrosemi sipas riteve myslimane në Zvicër”, thotë Rixhil Agushi.
Pranimi i popullatës myslimane në Zvicër ka rëndësi të madhe. Sipas mendimit të saj, do të duhej që të drejtat dhe detyrimet e myslimanëve të përcaktoheshin, në mënyrë që secili person të ketë të drejtën që ta praktikojë religjionin e tij ashtu siç ai e konsideron se është në rregull, por pa shkelur me atë rast ligjet.
Për Rixhilin ka shumë rëndësi që te qytetarët të zhvillohet mirëkuptimi për shqetësimet e banorëve myslimanë të Komunës së Schlierenit. Kur ky mirëkuptim të jetë arritur, atëherë personat me të drejtë vote, do të votojnë për iniciativën e saj, shpreson ajo. Por për të ardhur deri aty nevojitet edhe pak kohë.
100 talente nën moshën 30 vjeçare
Bashkësia e Gazetave të Zvicrës Veriore për çdo vit prezanton 100 persona të cilët kanë rënë në sy me arritjet e tyre të veçanta. Në nëntorin e vitit 2014, kjo përzgjedhje ishte bërë nën moton “100 talente nën moshën 30 vjeçare”. Krahas politikanëve si Cedric Wermuth, kryetares së Juso-s Samira Marti, yllit të futbollit, Xherdan Shaqiri dhe personaliteteve tjera të njohura, juria prej tetë anëtarësh e pati zgjedhur edhe Rixhil Agushin në mesin e 100 talenteve.
“Politikania e re është angazhuar së fundi në parlamentin e qytetit edhe si ndërmjetësuese kulturore në mes të të krishterëve dhe myslimanëve. Dhe, këtë e ka bërë në një kohë kur myslimanët në Zvicër e shohin veten të nënshtruar ndaj një dyshimi të përgjithshëm”, thuhet në botimin special.
Këtë angazhim në nivelin lokal, qytetarja e zellshme e Schlierenit synon ta vazhdojë, me ç`rast atë e josh edhe një shkallë e mëtejshme drejt shkallës më të lartë të karrierës.
“Zgjedhjet Kantonale?” Rixhili buzëqesh me modesti. “Po, dikur, në të ardhmen e afërme do të kandidohem për zgjedhjet kantonale”.
Ermira Ljutvija
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
-
Maltina Jashari, garuesja e parë shqiptare në Formula
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane