Lajme

Gratë bëhen me qendrën e tyre tregtare

Kjo qendër është themeluar nga “Gratë në Biznes”, ndërsa do të promovohen dhe shiten prodhimet shtëpiake, vendore që prodhohen nga gratë ndërmarrëse

Autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare të akredituara në Kosovë e kanë inauguruar  të hënën në Prishtinë, Qendrën Tregtare të Grave, e cila synon përkrahjen e grave ndërmarrëse, duke u mundësuar atyre që në të ardhmen të kenë një pikë të përhershme të shitjes dhe promovimit të produkteve të tyre.

Kjo qendër është themeluar nga Organizata Joqeveritare “Gratë në Biznes”, ndërsa e veçanta së në këtë qendër do të jenë prodhimet shtëpiake, natyrale, vendore, që prodhohen nga gratë ndërmarrëse.

Fillimisht në këtë qendër do të plasojnë produktet e tyre 25 gra nga rrjeti i grave ndërmarrëse Gratë në Biznes.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova ka shumë nevojë për gratë në biznes.

“Zhvillimi ekonomik i Kosovës do të jetë i hovshëm kur të gjitha kategoritë të kenë përfaqësimin e vet dhe gjithashtu do të kenë bizneset e veta. Gratë sot përfaqësohen me vetëm 10 për qind, në ndërmarrësi, përderisa janë 50% e popullsisë”, deklaroi Kusari-Lila.

Kjo qendër, siç tha Kusuari-Lila do të jetë si model për Prishtinën dhe gjithë Kosovën.

Në këtë ceremoni, ambasador i Holandës në Prishtinë, Robert Eduard Bosch ka theksuar se Holanda ka qenë e angazhuar për një kohë të gjatë për zhvillimin e Kosovës dhe për fuqizimin e grave afariste dhe përfaqësimin e tyre në ekonomi.

“Gratë janë punëtore të mëdha dhe janë kreative në punën që bëjnë. Ne jemi në favor të krijimit të shanseve për gratë në përgjithësi. Sot ne po flasim për gratë në biznes të cilat duhet të marrin fatin e tyre në dorë dhe të bëjnë biznes. Për këtë ne bashkëfinancuam këtë projekt”, ka thënë Bosch.

Ndërsa, menaxherja e programit në Ambasadën e Finlandës, Jehona Ademaj-Sejdiu, ka thënë se projekti ka të bëjë me zhvillimin e mundësive të tregut për gratë ndërmarrëse në prodhime dhe shërbime.

“Mbështetja e grave afariste të Kosovës nuk do t’i ndihmojë vetëm ato personalisht, apo qëndrueshmërinë e bizneseve të tyre, por në përgjithësi do të rezultojë në ekonominë e Kosovës. I inkurajoj edhe donatorët e tjerë që t’i kanalizojnë mjetet e tyre në projekte konkrete”, ka thënë Ademaj-Sejdiu.

Ndërsa drejtoresha e organizatës, “Gratë në Biznes”, Hamide Latifi tha se krijimi i një ambienti të sigurt për të gjitha gratë ndërmarrëse, është i domosdoshëm për promovimin, rrjetëzimin, bashkëpunimin dhe rritjen e bizneseve të grave.

“Hapja e kësaj qendre është vetëm një pikënisje drejt zhvillimit dhe rritjes së potencialit ekonomik të grave në Kosovë. Dëshiroj të theksoj se në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe me organizatën e grave Giving Women, do të zhvillojmë më tutje këtë projekt”, ka thënë Latifi.

Përfaqësuesja e grave që do të përfitojë nga Qendra Tregtare e Grave, Fatime Limaj, ka thënë se Organizata “Gratë në Biznes” i ka ndihmuar ato në vetëdijesim dhe zhvillim, sidomos gratë që vijnë nga zonat rurale.

“Gratë në biznes na kanë përkrahur si nga ana morale ashtu dhe nga ana financiare për të rritur kapacitetet tona”, ka theksuar Limaj.

Ndryshe projekti i Qendrës Tregtare të Grave u zhvillua dhe do të menaxhohet nga OJQ Gratë në Biznes duke trasuar rrugën për themelimin e ndërmarrjes së parë shoqërore në Kosovë, të udhëhequr nga gratë. 

 Ky projekt është përkrahur nga Komisioni Evropian, Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Ambasada e Holandës, Ambasada e Finlandës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Komuna e Prishtinës.