Futboll

Granit Xhaka, ylli i Leverkusen-it vendos rekord

Po e fiton më në fund titullin e parë të madh.

Granit Xhaka është me të vërtetë një nga shtyllat e Leverkusenit që dominon Bundesligën, dhe një i tillë që vendos edhe rekorde, përcjell albinfo.ch.

Kapiteni i Zvicrës ishte krejtësisht i veçantë në fitoren 2-0 ndaj Wolfsburgut.

Referuar agjencisë së statistikave “sofascore”, Xhaka shërbeu 89 pasime në 30 metrat e fundit, nga të cilat 87 të sakta. Asnjë futbollist në 5 ligat kryesore europiane nuk ka dhënë më shumë se 77 pasime në pjesën e tretë të fushës këtë sezon.

Shqiptari i Zvicrës njihej që më parë si mjeshtër i organizimit të lojës pranë portës kundërshtare. Shpesh këtë vit është theksuar aftësia e Xhakës për të lidhur aksionet që çonin Leverkusenin te goli. Edhe pse ka shënuar vetëm një herë, dhe ka shërbyer vetëm një asist, sërish kontributi i tij është shumë më i madh se kaq.

Në radhë të parë, Leverkuseni fiton sepse ka një kolektiv, por gjithsesi ish-ylli i Arsenalit, shqiptari i Kosovës është njëri nga kryesorët.

Wolfsburgu u mposht nga Leverkusen, e “aspirinat” kanë tani 67 pikë ndaj 57 të Bajernit, dhe titulli duket tepër pranë.