Futboll

Granit Xhaka: Jam i lumtur në Kombëtaren e Zvicrës, nuk mund të luaj për Kosovën

Mesfushori i Kombëtares së Zvicrës, njëherësh edhe lojtar i gjigantit anglez, Arsenal, me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka, në një prononcim për EkonomiaOnline ka thënë se është krenar me Përfaqësuesen e Kosovës, por edhe me atë të Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

I pyetur nëse një ditë do t’i bashkëngjitet Kosovës, Xhaka ka thënë se për një veprim të tillë tashmë është vonë.

Thotë se është i lumtur në Kombëtaren e Zvicrës.

“Kosova dhe Shqipëria kanë shumë lojtarë të mirë. Të dy ekipet na bëjnë krenarë. Nuk është e mundur të kthehem në Kombëtaren e Kosovës. Ajo kohë tashmë ka shkuar. I përkrah të dyja, por mbetem në Zvicër”, tha ai.

Vitin 2019 me Arsenalin, Xhaka po e vlerëson të suksesshëm. Thotë se pas pushimeve, do t’i “përvishet punës”.

“Me Arsenalin ka qenë një vit i suksesshëm, edhe pse nuk kemi mundur me u kualifikue për Ligën e Kampionëve. Jam i lumtur edhe me kombëtaren e Zvicrës dhe do të vazhdoj pas pushimeve”, përfundoi talenti shqiptar i Zvicrës.