Fun

Google ia kalon Coca Colës

Markat më të vlefshme në gjithë botën vazhdojnë të jenë ato të kompanive amerikane dhe aty këtu edhe ndonjë nga Evropa e Azia

Edhe radhitja e tyre ka mbetur pak a shumë e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Por, në ranglistën e sivjetme, përkundër Apple-s që ka ruajtur vendin e parë, Coca Cola ka rrëshqitur për një vend më poshtë. 

Kompania më e madhe botërore e pijeve freskuese dhe deri pak vite më parë më e madhja në përgjithësi, këtë vit është detyruar t`ia lëshojë vendin e dytë një kompanie tjetër. Fjala është për makinën kërkuese të internetit, Google, e cila tashmë është e dyta në botë, pas Apple-s, e cila vlen 137 miliardë dollarë ose 113 miliardë euro. 

Google ka pasur gjatë këtij viti një ngritje prej 22.7% të vlerës së saj, ka bërë të ditur organizata Eurobrand e cila ka përpiluar ranglistën. Por diferenca në mes të Apple-s dhe Google-s është mjaft e madhe. Google vlen “vetëm” 67.47 miliardë euro, opse për 50 miliardë më pak se Apple. Ndërsa Coca Cola është vlerësuar me 64.78 miliardë euro. Afër tyre për nga vlera janë edhe Microsoft (62.31 miliardë) dhe IBM (54). 

Nga kompanitë zvicerane më së larti është ranguar kolosi i industrisë ushqimore, “Nestle”, i cili me 33 miliardë euro ka zënë vendin e 18-të në botë, që paraqet  një rënie për tri vende në krahasim me një vit më parë. Por Nestle, sipas kësaj rangliste është kompania e dytë për nga vlera e brendit në Evropë, pas firmës franceze LVMH që peshon 39.35 milionë euro. 

Të gjitha 10 vendet e para në ranglistë i zënë kompanitë nga SHBA.