Integrimi
Goneta dhe Alban Jakurti, motër e vëlla, punonjës bankash
“Lumturinë e njeriut e përcaktojnë shumë gjëra në jetë. Paraja është vetëm njëra nga ato”, thotë Goneta Jakurti, punonjëse në Institutin Financiar Britanik Artorius Wealth AG në Zürich. Ndërsa Albani, vëllai i saj më i ri, punon në Banca Popolare di Sondrio, në Bernë
Goneta Jakurti, e lindur ne Langenthal me prindër nga Gjakova, pas shkollimit të mesëm në UBS, edhe 7 vjet ka punuar në selinë qendrore të Bankës UBS në Zürich. Tani ajo është absolvente e ekonomisë dhe sapo është kthyer nga Londra me një eksperiencë interesante bankiere. Sot ajo punon në Institutin Financiar Britanik Artorius Wealth AG në Zürich. Krahas tri gjuhëve të huaja që i zotëron në nivelin C2, mbresëlënëse është rrjedhshmëria me të cilën ajo flet gjuhën shqipe.
Goneta, cili ishte motivi juaj të bëheni bankiere?
Nuk e di saktësisht, por ndoshta nga fakti se si fëmijë shpeshherë i dëgjoja të rriturit që ishin të brengosur për para, që paraja ishte një temë e vazhdueshme – (tani e di se kjo kishte të bënte me krizën në vendlindjen e prindërve dhe përpjekjet e tyre për të ndihmuar, krahas obligimeve që kishin këtu)! Në fantazinë time, asokohe përpiqesha të zbërtheja se pse paraja është aq e rëndësishme, pse njerëzit nuk kanë para aq sa u nevojiten, si bëhet paraja, kush e përcakton vlerën e saj… Mendoj se kjo fazë e fëmijërisë sime është një nga arsyet që unë sot jam bankiere.
Dhe tani që jeni bankiere, a e keni kuptuar këtë “mister”?
Natyrisht se kjo ishte pjesë e mësimeve të mia. Unë tani jam në fund të studimeve të larta, por atë që akoma nuk e kam kuptuar është fakti pse njerëzit ngarendin aq shumë pas parasë, pse janë aq të etur për para?…
Ndoshta për t`u bërë të lumtur ?
Mendoj se atë që më së miri e kam kuptuar është pikërisht fakti se paraja nuk i bën njerëzit të lumtur. Pa dyshim se ajo është e domosdoshme dhe se mungesa e parasë mund të ndikojë në palumturinë e njerëzve, por ata që e kërkojnë lumturinë në para, dyshoj se do ta gjejnë ndonjëherë. Lumturinë e njeriut e përcaktojnë shumë gjëra në jetë. Paraja është vetëm njëra nga ato. Ajo është e domosdoshme për të plotësuar nevojat elementare në jetë, siç janë ushqimi, veshmbathja, banimi, transporti… pastaj vijnë pushimet, kultura, sporti…
Dhe, secili dëshiron të ngjitet sa më lart?
Të jetuarit në një shoqëri të konsumit, nuk është e lehtë. Megjithate dëshirat duhet të jenë në harmoni me mundësitë, përkatësisht dëshirat duhet të përcaktohen nga mundësitë sepse në të kundërtën dëshirat mund të shndërrohen në iluzione dhe kjo nuk është më e shëndetshme. Për shembull: një punëtor i pakualifikuar dhe baba i katër fëmijëve dëshiron ta bëjë një udhëtim njëvjetor nëpër botë! Kjo nuk është dëshirë por është iluzion dhe kjo mund të sjellë palumturinë. Ndërkaq, një çift i ri me të ardhura mbimesatare dhe me një menaxhim të mirë të financave një dëshirë të tillë mund ta realizojë dhe kjo mund të zgjojë ndjenja lumturie.
Megjithatë, do të dëshiroja të dija se si duken njerëzit e pasur?
Të ndryshëm. Ata që në familjet e tyre pasurinë e kanë traditë, që pasurinë e tyre e kanë bërë me dije dhe me punë, janë të lumtur sepse pasuria e tyre është në harmoni me dijen, punën dhe disiplinën e tyre, por edhe me kulturën dhe vetëdijen. Ndërkaq, ata që pasurinë e bëjnë shpejt dhe në saje të fatit, shpeshherë janë paksa të çrregulluar sepse pasuria e tyre nuk është në harmoni as me kulturën, as me vetëdijen dhe as me rrethin social ku ata jetojnë. Prandaj kjo sjellë më shumë frustrime se sa lumturi.
Në përgjithësi, kategoria e parë janë kryesisht njerëz modestë, shumë të sjellshëm, të gatshëm për t’i ndihmuar të tjerët dhe lumturia e tyre është diskrete. Kategoria e dytë preferojnë më shumë “status simbole”. Dëshirojnë të jenë në qendër të vëmendjes dhe shpeshherë nuk e arrijnë respektin që do ta dëshironin, prandaj edhe duken ngapak të frustruar.
Edhe një pyetje: a kanë bankierët më shumë para se të tjerët ?
Bankierët në radhë të parë duhet të kenë më shumë disiplinë se sa të tjerët, ngase natyra e punës së tyre e imponon një gjë të tillë: Unë që nga mëngjesi e deri në mbrëmje punoj me miliona e miliona franga, por në fund të muajit i marr vetëm disa mijëra. Natyrisht se duke e njohur sistemin bankar pra edhe atë financiar ndoshta bankierët mund të marrin vendime më të sigurta se ku, kur dhe sa të investohet. Megjithatë, edhe në mesin e bankierëve ka njerëz me probleme financiare, sepse raporti me para nuk mësohet vetëm në shkollë dhe në punë, por që nga fëmijëria. Ajo është më shumë çështje e edukatës dhe kulturës familjare se sa e profesionit.
Cila është puna konkrete që ju sot e bëni në bankën ku punoni?
Menaxhimi i pasurisë së klientëve internacionalë. Për shembull, ne i përcjellim zhvillimet në tregjet financiare në botë dhe klientëve tanë ju propozojmë se kur dhe ku të investojnë. Por edhe transaksionet e tyre ua bëjmë ne. Një punë jashtëzakonisht interesante, prandaj aspak monotone.
Cili është perceptimi juaj për sistemin bankar në Kosovë?
Shumë i vrazhdë. Sistem i toleruar nga shteti që ka ndikuar në varfërinë e skajshme të gjysmës së popullsisë duke ju dhënë kredi pa kurrfarë kriteresh dhe me kamata marramendëse. Dhe kjo, në shtetin më të varfër në Evropë! E dhimbshme.
Alban Jakurti: Më pëlqen të zgjidh probleme
Alban Jakurti, me gjatësinë e tij 1.95 cm, është vëllai i vogël i Gonetës. Mbase pikërisht Goneta ishte inspirimi i Albanit për t`i vijuar mësimet në të njëjtën bankë si edhe motra, në Bankën UBS në Langenthal. Por jo vetëm kjo. “Që në vizitën e parë në Bankën UBS më pati pëlqyer ambienti i punës, ndërkaq bisedat me motrën natyrisht se ma mundësonin një parafytyrim me të qartë për natyrën e punës që bëhej aty dhe sidomos kushtet e mira që banka ofronte për nxënës”, thotë Alban Jakurti.
Albani, pas tre vjetësh në sektorin e klientëve privatë ka kaluar në qytetin e Bernës në Banca Popolare di Sondrio, e cila është e specializuar për financimet hipotekare: “Sot jam shumë i lumtur që kam zgjedhur këtë profesion dhe sidomos kontakti intensiv me klientë më pëlqen shumë. Më pëlqen të merrem me problemet që i kanë dhe t`i ndihmoj në zgjidhjen e tyre, qoftë duke i hulumtuar variantet më të mira, qoftë duke u ofruar opsione te ndryshme”… Por a ka punë edhe me klientë shqiptarë dhe në cilën gjuhë i këshillon ata ? “Ne jemi bankë e specializuar në fushën e hipotekave dhe pa dyshim që kemi edhe klientë shqiptarë. Me ata të gjeneratës së re ne flasim gjermanisht, ndërkaq më të vjetrit i këshillojmë në gjuhën shqipe dhe kjo vlerësohet lart nga ata”.
Edhe Albani flet rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe ne e pyesim për raportet e tij me Kosovën. “Kosova është vendlindja e prindërve të mi dhe unë çdo vit i kaloj së paku disa ditë atje. Gëzohem sa herë që i takoj familjet e prindërve të mij. Ndërkaq për shkak të kohës së shkurtër që unë qëndroj atje nuk kam krijuar shoqëri edhe pse në fakt atje çdo verë i takoj shokët që i kam këtu. U gëzohem edhe ndryshimeve pozitive që i vërej për çdo vit, ndërkaq më vjen shumë keq për moshatarët e mi kur i shoh pa punë dhe me shumë ankesa“.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?