Uncategorized
“Gomarët e kufirit” në dramën shqiptare të absurdit
Varfëria, e kombinuar me absurditetet që pjellin ideologjitë e kohës, bëhet terren ideal për një dramë bizare, si kjo që paraqet filmi
Filmi më i ri kosovar, “gomarët e kufirit” ka bërë të hënën që shkoi ndalesën e radhës, në festivalin ndërkombëtar të filmit FIFF, në Friburg të Zvicrës, që pati edicionin e tij jubilar, të 25. Së bashku me filmin, në Friburg kishin ardhur edhe regjisori Jeton Ahmetaj, aktori dhe asistenti i producentit , Hazir Haziri dhe ai i skenografisë dhe kostumografisë, Besim Morina.
Pllakati i filmit
Filmi kosovar është shfaqur në seksionin “Panorama”, jashtë konkurrencës zyrtare. Megjithatë, ai ka gëzuar një pritje të ngrohtë nga publiku dhe organizatori.
Një peizazh kodrinor, i thatë ku mungon shumëçka dhe mbi të gjitha mungon uji. Ky është Hasi i thatë, i ndarë nga kufiri shqiptaro-shqiptar, ambienti ku regjisori ka vendosur zhvillimin e veprimit të filmit “Gomarët e kufirit”. Varfëria e tokës dhe e njerëzve, e ngatërruar me absurditetet që pjellin ideologjitë, bëhet terren ideal për një dramë skurrile, si kjo që paraqet filmi.
Në kroin që gjendet diku në tokën e askujt, shqiptarët nga Shqipëria dhe ata nga Kosova, mund të mbushin ujë me ndërrime, dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të kufitarëve të armatosur. Ky është burimi i vetëm i ujit për këta njerëz të varfër, i cili, nga çasti në çast edhe mund tu ndalohet, në varësi nga teket e diktatorëve të vegjël, komandantëve të kufirit nga të dyja anët. Në këtë mikrokozmos, krahas fshatarëve vendës, fati e sjell edhe mësuesin, një prototip të idealistit naiv, tipik për jetën e izoluar të kohës.
Zhvillimet politike në qendrat e dy shteteve që kufizohen mes vete, reflektohen edhe në këtë provincë të humbur. Këtu madje, ato marrin trajtat e tyre më groteske. Kështu, për demonstratat e zhvilluara në Prishtinë fshatarët e varfër të Hasit, nga ana e Kosovës, ndëshkohen me ndalim furnizimi me ujë. Ndërsa hasjanët nga ana tjetër e kufirit duhet të vuajnë për ujë nga shkaqet më banale. Kalimi i një gomari nga Shqipëria në Jugosllavi bëhet shkas për teori të ndryshme të konspiracionit dhe burim fatkeqësie për njerëzit e të dyja anëve. E gjithë kjo ndërthurje rrethanash dhe situatash, përbën një sfond të përshtatshëm për filmin.
Regjisori dhe para tij, skenaristi (Jeton Neziraj) ka bërë me sukses, mbindërtimin artistik të një realiteti që vlon nga situatat absurde. Megjithatë, figura e mësuesit, idealistit me shpërthime të pakontrolluara, patetike të një atdhedashurie naive, vuan nga parodizimi që herë herë rrëshqet në një teatralitet të shtirë. Ndërsa skena e fundit e filmit, me një simbolikë disi të tejdukshme, rreket të paraqesë synimin e shqiptarëve drejt perëndimit.
Qyteti i Friburgut frymonte në shenjë të festivalit të 25 të tij të filmit
Pas shfaqjes së filmit u bë edhe prezantimi i ekipit realizues me ç`rast u zhvillua një debat me pjesëmarrje të publikut. Regjisori Jeton Ahmetaj iu përgjigj interesimeve të publikut zviceran lidhur me specifikat e filmit, temën, realizimin e tij etj. Ai dha një pasqyrë të gjendjes aktuale të kinematografisë në Kosovë, me vështirësitë dhe sfidat e saj. Ahmetaj, përpjekjet për realizimin e filmave në Kosovë, përfshirë edhe filmin e tij, i quajti “përpjekje pionierësh” në këtë fushë. Sigurimi i financave për një film është vështirësia më e madhe në të cilën hasin kineastët kosovarë, ka theksuar ai.
Ndërkaq Ahmetaj për albinfo.ch thotë se filmi, i cili gjatë të gjitha fazave të realizimit të tij është përballur me probleme, po has në vështirësi edhe tash, kur ai duhet të bëjë jetën e tij nëpër festivale. “Na mungon përkrahja e institucioneve për të bërë promovimin e filmit në festivale të ndryshme. Në shumicën e rasteve duhet të gjendemi si të dimë vetë. Duke gjetur me mundime të mëdha sponsorë ose duke paguar vetë, nga xhepi”, shpalos ankesat e tij regjisori i filmit “Gomarët e kufirit”.
Sidoqoftë, ky është festivali i pestë në të cilin po merr pjesë filmi, ndërsa deri më tash, në disa festivale, ka marrë edhe çmime.
Filmi “Gomarët e kufirit” ka siguruar pjesëmarrjen edhe në një festival tjetër ndërkombëtar. Bëhet fjalë për Festivalin e filmit të Evropës Juglindore në Paris, i cili do të mbahet prej 12 deri më 17 prill.
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra