Kosova

Glauk Konjufca e padit Dardan Molliqajn për shpifje

Glauk Konjufca, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka dorëzuar sot padi në gjykatë për shpifje kundër deputetit Dardan Molliqaj.

Konjufca tha se është shpifje e patolerueshme që dënohet me ligjet e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Erdha këtu para Pallatit të Drejtësisë dhe po drejtohem kah Gjykata Themelore, jam këtu për ta paditur shpifësin Dardan Molliqaj, i cili ka thënë edhe në Kuvend të Kosovës, por sa për Kuvend të Kosovës ai e ka imunitetin nuk kisha ç’t’i bëj, por sa i përket deklaratës së tij në njërin prej televizioneve tona publike se unë kam qenë punëtor i SHIK-ut dhe kam punuar për SHIK-un. E kam marrë deklaratën e tij me vete dhe do ta padis në Gjykatën Themelore, këtu në Pallatin e Drejtësisë. Është një shpifje e patolerueshme, e cila dënohet me ligje të Kosovës. Ne kemi një legjislacion që e trajton këtë çështje. Ky ka qenë një mashtrim, për të cilin ai duhet të japë llogari. Ai ka thënë publikisht që unë duhet ta demantoj, unë jo që po e demantoj, por po e padis Dardan Molliqajn”, tha ai, raporton “Kosovapress”.

“Nga Pallati i Drejtësisë i bëj thirrje Dardan Molliqajt t’i qesë krejt çka ka për mua dhe SHIK-un”, shtoi ai.