Integrimi
Gjysmë shekulli në Zvicër
Raif Hajrullahu: “Ka qenë 26 maji i vitit 1964, ditë e hënë, dita kur e kam shkelur për herë të parë tokën e Zvicrës”
Shqiptarët me veshjet e tyre kombëtare mund t`i shohësh edhe në Zvicër. Rëndom në manifestime të mbyllura, por edhe në parakalimet nëpër sheshe qytetesh, kur ftohen nga zviceranët. Por një shqiptar në moshë të shtyrë, me plis, tirq e xhurdi, dhe me “një pash” mjekër e mustaqe, sikur bacën Raif, kot do ta kërkoni. Të tillët janë bërë të rrallë e ekzotikë edhe në Kosovë.
Pikërisht për këtë, Raif Hajrullahu nga Dremjaku i Ferizajt, me qëndrim prej pothuaj gjysmë shekulli në Zvicër, ka dhjetë vjet që vesh rregullisht kostumin kombëtar. Mjekrën karakteristike dhe mustaqet i kultivon prej një kohe edhe më të gjatë.
“Ka qenë 26 maji i vitit 1964, ditë e hënë, dita kur e kam shkelur për herë të parë tokën e Zvicrës”, kujton baca Raif. Ai nuk është shqiptari i parë në Zvicër, por i takon gjithsesi kontingjentit të parë të shqiptarëve të Kosovës, të ardhur këtu përmes enteve të punësimit të Jugosllavisë së atëhershme.
“Ne, punëtorët që enti i punës po na dërgonte në Zvicër, na kishin pritur në Beograd. Bujtëm dy net dhe pastaj do të niseshim. Na thanë se ne ishim të privilegjuar që po na sillnin në Zvicër, sepse, sipas tyre kishin mundur të dërgonin edhe të tjerë. Por ata ishin përcaktuar për ne, kosovarët. E vërteta ishte se ne po na shitnin si fuqi të lirë punëtore”, kujton Raif Hajrullahu, sot, kur kanë kaluar afër 48 vjet nga ngjarja. Ai thotë se sipas marrëveshjes që kishte Jugosllavia e atëhershme me Zvicrën, enti i punës merrte para të majme nga “shitja”.
Të rrallë ishin shqiptarët…
©Raifi me familjen zvicerane te e cila punonte në vitet 60
Baca Raif nuk di për asnjë shqiptar që do të ketë qenë para grupit të tij, në Zvicër. “Së paku unë nuk kam parë të tjerë. Edhe grupin tonë e patën shpërndarë nëpër vende të ndryshme kështu që pothuaj asnjë prej tyre nuk e kam takuar më vonë. Ne, në vitet e para kishim të drejtë pune vetëm në bujqësi”. Aq të rrallë ishin shqiptarët në Zvicër atëbotë dhe aq të vështira lidhjet mes tyre, sa që Raifi kujton rastin, kur, për të shkuar nga rrethina e Bernës për në Cyrih, ku do të takonte një të njohur, kishte udhëtuar me biçikletë! Dhe, brenda ditës duhej të kthehej në fermë, sepse duhej mjelë lopët. “Në atë fillim, nuk kishte ditë të lira. Punonim edhe të dielave, kujton `gastarbajteri` i orëve të para.
“Në fillim, të ardhurat këtu ishin dukshëm më të mëdha se në Kosovë, ku edhe ashtu nuk mundesha të gjeja punë. Ndërsa në vitet shtatëdhjetë erdhi një kohë, kur shumë prej nesh lëshuan punën në Zvicër sepse tashmë kishe llogari më shumë të punoje në Kosovë, nëse gjeje punë. Por, unë, për fat, nuk e kam lëshuar Zvicrën asnjëherë dhe mendoj se nuk më ka rënë keq…”, thotë ai, me mirënjohje për vendin mikpritës.
Gjatë këtij gjysmë shekulli, Raif Hajrullahu megjithatë ka pasur nja dy shkëputje. Mbetja pa punë për një sezon dhe shpirti i tij aventurier, e degdisën në Britani të Madhe. Ka ndodhur kjo në vitet 1971-1973.
“E pata gjetur një shpallje në një gazetë ku thuhej se një firmë në Londër kërkonte punëtorë. Pa e zgjatur shumë, mora rrugën dhe drejt e në Londër. Atje fillova që ditën e parë punën në një restorant ku mbeta dy vjet”. Dhe, ia ka parë hairin. Nga ajo kohë atij i ka mbetur një anglishte bazike, e mjaftueshme për komunikim. “Por, pagesa atje ishte shumë e ulët. E pakrahasueshme me atë të Zvicrës”.
Kështu, baca sërish ka gjetur mundësinë të kthehej në Zvicër dhe prej atëherë deri më sot vazhdon të jetojë këtu.
Ka pasur 30 vjet kur ka ardhur, dhe tash ka kaluar të 77-at. “Ka kohë që e kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime në Zvicër”, bën llogari i moshuari simpatik, i cili në pension ka dalë disa vjet pasi ka mbushur moshën për pensionim. Këtë “peshqesh” e ka nga prindërit, të cilët e kishin regjistruar 3 vjet pas ditëlindjes së vërtetë. “Për të shtyrë ushtrinë”, kujton ai. Viti i tij i lindjes “në letra” është 1937, ndërsa viti 1934 është viti i vërtetë i lindjes.
I don’t smoke
©albinfo.ch
“Për moshën që kam, ndjehem shumë mirë. Kam dëshirë të shëtis në ajër të pastër, kam kujdes me ushqim dhe, çka është me rëndësi: `I don`t smoke`, përkujton anglishten e tij baca Raif, tek thekson se ka prirje për të mësuar shpejt gjuhët e huaja. Një sezon ka punuar edhe në Lozanë, ku ka mësuar diçka edhe nga frëngjishtja, italishtja dhe spanjishtja.
Por, krahas punëve të rënda që nuk i janë ndarë asnjëherë deri në pension, Raifi ka ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve edhe pasionin e tij për lexim. Ka lexuar librat dhe revistat që asokohe i kanë rënë në dorë.
“Gazetat nga Kosova deri në vitet e nëntëdhjeta nuk vinin këtu. Ne lexonim materialet nga Shqipëria, që siguroheshin në rrugë ilegale. I lexonim ato dhe i shpërndanim, duke marrë edhe rrezik mbi vete. Por, për tu informuar, më është dashur të lexoj edhe gazeta si ato të emigracionit perëndimor kroat por edhe të tjera, nga ish Jugosllavia. Ishte një kohë krejt e pakrahasueshme me këtë të sotmen. Ishte një kurbet krejt tjetër nga i sotmi. Bile mund të them se ishte kurbet i Nolit e Konicës”, shprehet plaku i pasionuar pas leximeve.
Duke mos pasur fatin që të shkollohej, ai është përpjekur që së paku fëmijëve t`ua siguronte shkollimin. “Nuk kam ndërtuar pallate e as nuk kam blerë makina të shtrenjta”, thotë, duke konsideruar shkollimin si kapitalin e vetëm të vërtetë.
Ai kujton edhe kohën e demonstratave dhe protestave që organizoheshin, sidomos gjatë viteve të tetëdhjeta në Zvicër. “Nuk kam munguar në asnjërën prej tyre, kurdoherë që kam qenë i informuar”, thotë Raifi.
Egzotiku i fundit
©albinfo.ch
Por, si filloi “historia” e tij me veshjet kombëtare dhe me pamjen karakteristike me mjekër e mustaqe?
Merakun për mjekër e ka që nga vitet shtatëdhjeta dhe sebep për këtë është bërë simpatia për Rexhep Qosjen, si shkrimtar i cili binte në sy me mjekrën e tij, asokohe të rrallë, pranon sot Raifi.
Ndërsa pamjen ekzotike e të pazakonshme, me veshje kombëtare, baca e kultivon prej rreth dhjetë vitesh.
“Kompletin e veshjes kombëtare e kam blerë së pari në vitin 2001. Prej atëherë e vesh atë rregullisht nëpër manifestimet tona kudo ku ato mbahen, në Zvicër”. Por edhe në Kosovë ka ndodhur të shëtisë qyteteve e fshatrave me kostumin kombëtar.
“Edhe kur nuk ka manifestime, unë çdo të shtunë e vesh këtë kostum dhe dal. Jo, deri më tash nuk më ka ndodhur që dikush të më provokojë lidhur me këtë veshje”, thotë Raifi, i pyetur nëse pamja e tij ka ngjallur urrejtjen ose përçmimin e dikujt. “Ndoshta dikush më ka shikuar vëngër… Por, fjalë nuk kam pasur. Ka ndodhur e kundërta. Shumë zviceranë ose turistë të huaj kanë dashur të dinë se çfarë kostumi është ky, cilit popull i takon dhe kanë shprehur dëshirën të fotografoheshin me mua”.
Mysafir në Konsullatën e Kosovës, me zëvendëskonsullin Sali Sefa
Pas kostumit të bardhë kombëtar, të blerë para dhjetë vitesh, ai ka blerë edhe kostumin e zi. Të dyja, ai i vesh me krenari dhe i ruan me fanatizëm duke i mirëmbajtur. “Janë prej zhguni të vërtetë, origjinal, të punuara në Prizren”, thotë ai, tek flet për kualitetin e veshjes.
Baca, si shumë pensionistë tjerë, kalon një kohë të mirë në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare. Atje, pos një pjese të familjarëve, ka edhe shumë miq. “Kaloj disa javë në vit, kryesisht verës, në Kosovë dhe në Shqipëri. Do të rrija edhe më gjatë, por më pengon vapa”, ankohet ai, teksa përmend listën e miqve të tij, krijues, gazetarë, këngëtarë, politikanë etj. me të cilët takohet atje.
Pastaj, ai ka lëshuar rrënjë në Zvicër. Janë pothuaj 48 vjet jete të kaluara këtu. Shumicën nga 7 fëmijët, bashkë me nipat e mbesat, i ka në Zvicër. Në Brug të kantonit Aargau ku jeton, bacën e njohin edhe shumë zviceranë. Deri sa ecim rrugëve të qytezës, ai ndalohet nga disa prej tyre. Ndërron ndonjë fjalë, bën një copë muhabet, përshëndetet.
“Kjo është jeta. Nuk mund të jetosh i izoluar. Njerëz jemi dhe kemi halle të përbashkëta”, thotë ai, pasi ka përshëndetur të njohurin e tij, një shitës zviceran që po paketonte stendën e tij, në qendrën e Brugut.
© albinfo.ch
Raif Hajrullahu në librin “Kosova-Schweiz”
Një portret më i gjatë i Raif Hajrullahut dhe emigrantëve tjerë të hershëm shqiptarë në Zvicër gjendet në librin “Kosova-Schweiz”. Die albanische Arbeits und Asylmigration zwischen Kosovo und der Schweiz (1964-2000) (Kosova-Zvicra. Migrimi shqiptar i punës dhe i azilit në mes të Kosovës dhe Zvicrës (1964-2000). Autorë: Hans-Peter von Aarburg dhe Sarah Barbara Gretler, LIT 2011, 2.Auflage.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor