Integrimi

Gjykohet kosovari për therjen në Interlaken

Ndërkohë, autoritetet kanë ndërprerë procedurën ndaj vëllait të tij, të implikuar në këtë rast

Kosovari 32 vjeçar, njëri nga dy vëllezërit e akuzuar për therjen e ish mundësit zviceran Kari Zingrich që kishte ndodhur më 15 gusht të vitit të kaluar në Interlaken, do të paraqitet para gjyqit.

Rasti i rëndë pati bërë bujë të madhe në mediet zvicerane dhe qe bërë shkak edhe për fushata ksenofobike të drejtuara ndaj shqiptarëve.

Në mbrëmjen e 15 gushtit, para restorantit Waldrand në Interlaken, pas ngacmimeve me fjalë në mes të dy vëllezërve shqiptarë dhe zviceranit, kandidat i SVP-UDC-së për Parlamentin e qytetit, njëri nga vëllezërit e kishte therur atë me thikë. I atakuari me këtë rast kishte pësuar një plagë të gjatë dhe të thellë disa centimetra, në qafë, të shkaktuar nga thika.

Pak kohë pas ngjarjes, policia kishte arrestuar dy vëllezërit, ndaj njërit prej të cilëve tash do të zhvillohet procesi gjyqësor. Ai përballet me akuzën për tentim vrasjeje me paramendim.

Ndërkohë, autoritetet kanë ndërprerë procedurën ndaj vëllait tjetër të implikuar në këtë rast. Ato nuk kanë mundur të gjejnë prova nëse ai ka ditur se vëllai i tij do të sulmonte tjetrin me thikë, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë Shtetërore të Berner Oberland.