Integrimi

Gjykohet kosovari për tentimvrasjen e porositur të gruas së bankierit

Kosovari 29 vjeçar i ishte premtuar 400 mijë franga për të bërë vrasjen e cila më vonë ka dështuar, pasi që bashkëshortja e bankierit i ka mbijetuar sulmit

Një bankier 57 vjeçar kishte angazhuar një të ri 29 vjeçar për t`ia mbytur gruan. Si shpërblim për këtë shërbim ai do t`i paguante atij 400 mijë franga. Ajo qe duket si skenar filmash, ka ndodhur me të vërtetë, në Gjenevë dhe ndër protagonistët, njëri është shqiptar. Fjala është për të riun e paguar për të bërë vrasjen e cila më vonë ka dështuar, pasi që bashkëshortja e bankierit i ka mbijetuar sulmit.

Sot, krahas bankierit, para Gjykatës së Gjenevës, pos dy të përmendurve përgjigjen edhe një ndërmarrës 48 vjeçar dhe një bojaxhi 33 vjeçar. Procesi ka filluar me marrjen në pyetje të personit të paguar për vrasje. Ai para trupit gjykues ka deklaruar se nuk ka pasur forcë dhe guxim ta përfundonte vrasjen e synuar, për këtë arsye pati ikur nga vendi krimit.

“Askush nuk më ka urdhëruar ta ndërpres vrasjen”, ka deklaruar kosovari, duke e kundërshtar kështu urdhërdhënësin i cili ka thënë se gjoja ai e kishte urdhëruar ndërprerjen e aktit të vrasjes.

Ngjarja ka ndodhur ne mbrëmjen e 19 shkurtit 2012, kur gruaja rreth dyzetvjeçare e bankierit qe kthyer në Gjenevë me taksi nga pushimet. Duke hyrë te porta e oborrit ajo qe sulmuar nga një person me thikë. Gruaja alivanoset por e mbijeton sulmin.

Fillimisht sulmi mbetet i pasqaruar. Por, ushtruesi i sulmit pak muaj më vonë kapet nga policia për një delikt tjetër me ç`rast policia i bie në gjurmë edhe aktit të tentimvrasjes së gruas së bankierit. Në fokus të policisë ishte vënë bashkëshorti i gruas së sulmuar. Ai po qëndronte në shtëpi së bashku me dy fëmijët e përbashkët. Bankieri kishte humbur një shumë të madhe të hollash në skandalin e shkaktuar nga spekulanti amerikan i bursës, Bernard Madoff. Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij ishte trashëgimtare e një pasurie prej 23 milionë frangash dhe çifti ndodhej në procedurën e shkurorëzimit.

Procesi pritet të zgjasë deri më 10 tetor.