Integrimi

Gjykata vërteton: 7 vjet burg për therësin në Interlaken

Gjykata e Lartë e Bernës e ka vërtetuar dënimin pej 7 vitesh burg për ksoovarin, dënim të cilin më parë e kishte shqiptuar Gjykata Regjonale në Thun

Ankesa e avokatit mbrojtës të kosovarit Rasim R. i cili kishte therur dy vite më parë mundësin zviceran Karin Zingrich, nuk është marrë parasysh nga trupi gjykues. Kryetari i këtij trupi, Fritz Aebi, ka thënë me këtë rast se, madje, shikuar nga rrezikshmëria e goditjes me thikë, Rasim R. mund t`i shqiptohej një dënim edhe më i lartë. Thika për pak nuk e ka prekur arterien kryesore të qafës, dhe në rast se do të ndodhte, kjo do t`ia rrezikonte seriozisht jetën viktimës.

Zingrich është shprehur i küenaqur me lartësinë e dënimit. Ai njëherësh ka thënë se nuk ia fal sulmuesit të tij këtë akt.

Rasim R., do të vazhdojë vuajtjen e dënimit prej 7 vitesh burg. Ende nuk dihet nëse ai, pas përfundimit të burgut do të dëbohet në Kosovë ose jo.

————————————————————————-

Rreth dy vjet pas sulmit dhe një vjet pas gjykimit të parë, bëhet rigjykimi i rastit të kosovarit që ka therur mundësin zviceran në Interlaken të Kantonit të Bernës. Në procesin e ri që ka filluar të marte në Gjykatën e lartë të Bernës, mbrojtësi i kosovarit të dënuar kërkon që klientit të tij t`i zvogëlohet masa e dënimit nga shtatë në katër vjet.

Sipas tij, kosovari sot 33 vjeçar ka vepruar në vetëmbrojtje dhe i gjithë rasti duhet të kualifikohet si ekses në vetëmbrojtje. Ai e ka bërë këtë veprim duke besuar se mundësi e kishte sulmuar vëllanë e tij dhe ky duhej t`i dilte atij në mbrojtje. Ai kishte menduar se njëri nga dy zviceranët, me të cilët dy kosovarët kishin hyrë në konflikt verbal po ia mësynte për ta sulmuar vëllanë e tij.

Por, zvicerani në vend të kësaj, vetëm kishte hedhur birrën e mbetur në shishe në drejtim të vëllait të të gjykuarit, shkruan “Der Bund”.

Ngjarja ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2011 në tarracën e një restoranti në Interlaken.

Avokati pretendon se duke e therur zviceranin atëbotë 45 vjeçar, kosovari ka mundur vetëm të supozojë vdekjen e tij nga ky veprim. Dhe kjo nënkupton që nuk bëhet fjalë për qëllim të drejtpërdrejtë (të vrasjes), siç figuron në vendimin gjyqësor të shpallur në tetor të vitit 2012, por për një qëllim të kushtëzuar.

Më tutje, avokati Lukas Bürge ka thënë se Gjykata Regjionale e Berner Oberlandit në Thun, me rastin e shqiptimit të dënimit vitin e kaluar ka marrë fare pak në konsideratë ndikimin dehës të alkoolit.

Nga ana tjetër, nënprokurori i përgjithshëm Markus Schmutz ka kërkuar nga gjykata që ta vërtetojë plotësisht vendimin gjyqësor të shkallës së parë. Sipas tij, pretendimi i avokatit, sipas të cilit bëhet fjalë vetëm për një ekses vetëmbrojtjeje është një delikt që nuk mund të trajtohet fare nga Gjykata Supreme pasi që ankesa e kryerësit i referohet vetëm masës ndëshkuese. Ndërsa në rastin e therjes me thikë është bërë fjalë për një veprim me dashje të drejtpërdrejtë, edhe nëse vrasja “ka qenë vetëm qëllim sekondar”, ka thënë prokurori. Sipas tij, kryesi nuk ka qenë i dehur.

Më 5 tetor, Gjykata regjionale Berner Oberland e pati dënuar kosovarin 33 vjeçar me shtatë vjet heqje lirie pa kusht, për veprën penale tentim vrasjeje të qëllimtë.

I sulmuari është një ish mundës dhe ish kandidat nga partia SVP-UDC për parlamentin e Kantonit.

Kjo therje ishte bërë shkas për një fushatë shumë të kontestuar të SVP-së, përmes afisheve në të cilat bëhej identifikimi problematik i viktimës si “zviceranë” dhe dorasit si “kosovar”. Me këtë fushatë kjo parti synonte të sensibilizonte popullatën për qëllimet e saj elektorale.