Integrimi

Refuzohet ankesa e kosovares për dhunë nga burri: Ajo duhet të lëshojë Zvicrën

Pasi akuza për dhunë në familje nuk u dëshmua në gjykatë, gruaja humbi lejen e qëndrimit dhe duhet të largohet nga Zvicra

Martesa nuk zgjati shumë. Dasma u bë në janar të vitit 2017 ndërsa ndarja, në tetor të po atij viti. Në kohën kur gruaja raportoi burrin e saj për ushtrim dhune në familje, ajo kishte vetëm pesë muaj qëndrim në Zvicër, shkruan gazeta “Aargauer Zeitung”.

Menjëherë pas hyrjes në vend, gruaja kosovare kishte marrë lejen e qëndrimit (Viza B) e cila, sipas rregullit, nuk mund të vazhdohet pas prishjes së martesës. Ajo bëri përpjekje të mbrohej kundër këtij vendimi të Zyrës së Migracionit të Kantonit Aargau, por ankesa e saj u hodh poshtë nga autoritetet kantonale.

Së fundi, në nëntor 2020 edhe nga Gjykata Administrative e Kantonit Aargau.

Pas kësaj ajo përsëriti kërkesën për vazhdimin e lejes së qëndrimit, kësaj here para Gjykatës Federale, si shkalla më e lartë e gjyqësisë në vend.

Por, problemi është se në këtë rast gjykata fokusohet në çështjen nëse gruaja ka qenë viktimë e dhunës në familje ose jo, transmeton albinfo.ch. Po të ishte viktimë, ajo do të lejohej të qëndronte në Zvicër. Atëherë leja e saj e qëndrimit, të cilën ajo e mori si rezultat i martesës me një bashkatdhetar që kishte leje të përhershme qëndrimi (Vizë C) mund të zgjatej, pavarësisht ndarjes. Ky përjashtim në ligj ka për qëllim të parandalojë një person të qëndrojë me bashkëshortin/en abuziv/e nga frika se do t` duhet të lëshojë Zvicrën.

Një parakusht për pranimin e dhunës martesore është “abuzimi sistematik me qëllim të ushtrimit të pushtetit dhe kontrollit”, ka deklaruar Gjykata Supreme Federale në gjykimin e saj të publikuar të mërkurën.

Gruaja kishte bërë akuza serioze kundër burrit të saj. Procedimet penale ishin në proces kundër tij nën dyshimin e përdhunimit, sulmit seksual dhe kërcënimeve. Por, procedura u ndërpre në mars  të vitit 2019. Arsyeja për ndërprerjen ishte se kishte konfrontim të deklaratave të dy palëve në konflikt. Një gjendje e tillë ndikon gjithashtu në vendimin për lejen e qëndrimit.

Gjykata Administrative e Kantonit Aargau kishte konsideruar se deklaratat e burrit ishin më të besueshme se ato të gruas, transmeton albinfo.ch. Kjo gjykatë kishte pranuar që ai e kishte trajtuar atë ashpër, e kishte abuzuar dhe ishte përpjekur dy herë ta godiste me shuplakë, por ajo nuk kishte qenë viktimë e dhunës martesore, në kuptimin që kërkohet për zgjatjen e lejes së qëndrimit.

Një vlerësim ky që edhe Gjykata e Lartë Federale ndan me gjykatën e mëparshme,  atë të shkallës së ulët: Në përgjithësi, nuk ka indikacione të mjaftueshme për këtë.

Përveç kësaj, është e rëndësishme që “mungojnë deklarata nga palë të treta që mund të kenë dëgjuar diçka nga incidentet e pretenduara ose të cilëve u ka treguar ankuesja për këtë gjë”, deklarojnë dy gjykatësit dhe gjykatësja.

Për më tepër: Gjatë procesit penal, gruaja ka dëshmuar disa herë se e donte burrin e saj dhe donte të vazhdonte marrëdhënien, përcjell albinfo.ch. Me kusht që ai t’i premtonte asaj se nuk do të kishte më sulme në të ardhmen.

Gjykata e Lartë Federale vendosi që Gjykata Administrative Aargau me të drejtë e ikishte nterpretuar këtë si një tregues kundër dhunës në martesë.

“Në funksion të këtyre deklaratave të përsëritura dhe shprehjeve të dashurisë, nuk duket e besueshme që kërkuesja ishte e ekspozuar ndaj një trajtimi degradues të vazhdueshëm nga burri i saj. Një trajtimi që do të ishte aq i rëndë sa që nuk mund të pritej që ajo të mbante martesën vetëm për arsye të sigurimit të vazhdimit të lejes së qëndrimit”.

Ankesa e gruas refuzohet dhe ajo duhet të largohet nga Zvicra.