Lajme

Gjykata Federale dënon pronaren për ngarkim të tepruar të qirasë

Gjykata Federale e Zvicrës ka dënuar një grua për shfrytëzim të situatës së vështirë të qiramarrësve në Cyrih, duke ngarkuar qira jashtëzakonisht të larta. Ajo përfitoi nga mungesa e banesave, duke dhënë me qira dhoma me çmime deri në 158% më të larta se normat lokale, shkruan The Local.

Gruaja kishte ndërtuar mure shtesë në apartamentet ekzistuese dhe jepte me qira secilën dhomë deri në 1,260 franga në muaj, edhe pse shumë prej tyre kishin kushte të këqija banimi, si myku, buburrecat dhe madje edhe infektim me minj. Viktimat e saj ishin kryesisht persona në situata të pafavorshme sociale dhe azilkërkues me njohuri të kufizuara të gjuhës gjermane.

Drejtuesja e Shoqatës së Qiramarrësve, Linda Rosenkranz, e përshëndeti vendimin e gjykatës, duke theksuar se ai dërgon një mesazh të qartë: “Shfrytëzimi i vështirësive të qiramarrësve është një krim”, përcjell albinfo.ch.