Shkurt.ch

Gjykata Federale: Akuza për islamizim nuk është racizëm

"Kushdo që në Zvicër deklarohet kundër përhapjes së islamizmit dhe për mbrojtjen e krishterimit, nuk guxon të quhet racist”

Akuza e drejtuar kundër një politikani të SVP-UDC-së për racizëm është shpallur e pabazë nga instanca më e lartë e gjyqësisë zvicerane, gjegjësisht nga Gjykata Federale.Politikani në fjalë, Benjamin Kasper, atëbotë kryetar i të rinjve të SVP-së në Thurgau  akuzohej si racist për faktin se me një fjalim të tij të mbajtur në vitin 2009 kishte fyer besimtarët islamë.

Ai kishte thënë veç tjerash se krishterimi nuk guxon të  zmbrapset nga invazioni i islamizimit. Dhe, ndalimi i minareve nga ana e Zvicrës është shprehje e qëndrimit për ruajtje të identitetit zviceran.

Fondacioni kundër racizmit dhe antisemitizmit, në faqen e vet të internetit e kishte quajtur këtë deklarim të tij si “racizëm verbal”. Ndërsa politikani i apostrofuar ishte ankuar në Gjykatën e lartë të Thurgaut, e cila e ksihte shpallur të pafajshëm. Me vendimin  e kësaj gjykate është pajtuar edhe Gjykata Federale.

Kushdo që në Zvicër deklarohet kundër përhapjes së islamizmit dhe për mbrojtjen e krishterimit, nuk guxon të quhet racist”, ka qenë arsyetimi i Gjykatës Federale.