Kosova
Gjykata e shpall të pafajshme Donika Gërvallën nga akuza për mosdeklarim të pasurisë
Gjykata e Prishtinës e ka shpallur të pafajshme zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën, nga akuza për mosdeklarim të pasurisë, përcjell albinfo.ch.
Shpallja e aktgjykimit u bë më 19.11.2024 nga gjyqtari Dibran Jusufi.
Gjyqtari tha se gjykata ka ardhur në përfundimin se vepra penale për të cilat akuzohet Gërvalla, nuk përbën vepër penale.
“Gjykata ka analizuar me vëmendje pretendimet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, por gjen që të njëjtat pretendime në asnjë provë të vetme nuk mund të vërtetohet se me veprimet e të akuzuarës janë përmbushur elementet e veprës penale ‘mosdeklarim i pasurisë’”- tha gjyqtari Jusufi.
Tutje Jusufi tha se mosdeklarimi i pa saktë i pasurisë së ligjshme është kundërvajtje dhe jo vepër penale.
Ai shtoi se lidhur me pasurinë e cila ishte objekt shqyrtimi për mosdeklarim tha se Prokuroria nuk ka kërkuar që pasuria e të akuzuarës Gërvalla të konfiskohet.
Për akuzën e prokurorisë të datës 31.01.2023, ministrja Gërvalla nuk e kishte pranuar fajësinë gjatë shqyrtimit fillestar të mbajtur më 07.03.2024.
Gjykata e Prishtinës kishte marrë vendim me të cilin ministres Donika Gërvalla – Schëarz ia kishte refuzuar kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës për mos deklarim të pasurisë.
Më 05.04.2024 avokatja e ministres Donika Gërvalla kishte kërkuar nga Gjykata e Prishtinës që të hidhet poshtë aktakuza ndaj ministres pasi provat sipas mbrojtjes janë të pambështetura, duke pretenduar se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë.
Sipas avokates Saranda Keqekolli, nga provat që i ka bashkangjitur prokuroria në aktakuzë nuk ka asnjë prej tyre që e implikon klienten e saj se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Keqekolli këtë aktakuzë e kishte konsideruar si të mangët.
E njëjta kishte thënë se sa i përket mos deklarimit të të ardhurave personale të bashkëshortit të të pandehurës, e pandehura kishte menduar se meqenëse ai është i nënshtetësisë gjermane dhe nuk ka lidhje fizike e juridike me Kosovën, të dhënat e tij mbrohen me ligje gjermane.
Sipas Gërvallës, Ligji për privatësinë e të dhënave si dhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale përcakton se është e ndaluar që të zbulohen të dhënat financiare të një qytetari gjerman pa pëlqim paraprak.
Gërvalla kishte potencuar faktin se kur ka plotësuar formularin për pasuri, nuk e ka pasur ende aprovimin paraprak për të dhënat personale.
Kurse sa i përket pretendimit për mos deklarim të saktë të pasurisë së paluajtshme, mbrojta kishte thënë se Gërvalla ka deklaruar një truall me shtëpi, tokë pyjore dhe një tokë bujqësore, të cilat ishin të gjitha trashëgimi nga prindërit dhe se kjo pasuri nuk ishte fituar në kohën kur është bërë deklarimi i pasurisë, por të njëjtat janë përfituar nga prindërit e saj.
Ndërsa, sa i përket pretendimit të prokurorisë për mosdeklarim të biznesit “ALBLINGUA UG” dhe Fondacionit Gërvalla, sipas mbrojtjes së të akuzuarës është bërë lëshim kur Gërvalla ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet e 14.02.2021.
Sa i përket biznesit “ALBLINGUA UG”, sipas pretendimit të mbrojtjes e pandehura nuk ka vazhduar me përpjekje për funksionalizimin e kësaj platforme online.
Sipas mbrojtjes, Fondacioni Gërvalla nuk kishte qenë asnjëherë funksional që nga vitit 2006-2007, nuk ka gjeneruar asnjë të hyrë dhe ky fondacion kishte kaluar në emrin e nënës së saj.
Sipas gjykatës, kjo kërkesë e mbrojtjes së të akuzuarës është e pabazuar. Aktakuza thuhet se është e mbështetur në prova dhe nuk ka elemente me të cilat përjashtohet përgjegjësia penale, duke shtuar faktin se nuk ka elemente të tjera të cilat do të pengonin ndjekjen penale.
A ktakuza ndaj Gërvallës për mosdeklarim të pasurisë është ngritur më 31.01.2023.
Përmes Facebook-ut kishte reaguar vetë ministrja Gërvalla.
“Prokuroria paska zgjedhur ditën e sotme që të publikojë faktin që në janar, pra para 4 muajsh, ka ngritur aktakuzë ndaj meje për “mosdeklarim të pasurisë”. Çfarë rastësie!” – kishte thënë Gërvalla.
Tutje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pati thënë se kjo është një fushatë ndaj saj
“Në fakt, kjo çështje është sqaruar përfundimisht që para dy vjetësh, pra në vitin 2021. Tani është aktualizuar nga prokurorë të caktuar, gjatë përpjekjeve të përsëritura për të hedhur baltë dhe inkriminuar përfaqësuesit e institucioneve të Republikës dhe për t’i shërbyer kështu fushatave politike e jo vënies së drejtësisë” – kishte thënë ajo.
E-Diaspora
-
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër nis përgatitjet për zgjedhjen e kryesisë së re në janar 2025 Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare po hyn në një fazë të rëndësishme të organizimit të...
-
Sot i jepet lamtumira e fundit mërgimtarit që vdiq në aksident
-
PEN Qendra e Austrisë bën bashkë shkrimtarët nga Ballkani
-
Konsulli Berisha bën bashkë komunitetet fetare dhe klerikët shqiptarë në Zvicër
-
Pas Zvicrës, Hamza do të mbajë takime me mërgimtarët në Gjermani
Jeta në Zvicër
-
Çfarë pritet të ndodhë në Zvicër në vitin 2025? Me përfundimin e vitit 2024, në vende të ndryshme të botës, planifikohen ndryshimet për vitin e...
-
Shpenzimet zvicerane për kujdesin shëndetësor – ‘mbi 100 miliardë dollarë’
-
Në Zvicrën gjermanishtfolëse ka mungesë “babadimrash”
-
Pronarët e makinave në Gjenevë, të tronditur nga rritja e taksave
-
Ndryshimet ligjore nga 1 dhjetori në Zvicër