Gjuha

“Gjuhaime.com”: Komentet e LAPSH-it në Zvicër

Për Hamzë Morinen, portali është befasi e këndshme nga Ministria e Diasporës. Por brenda LAPSH-it ka edhe mendime të ndryshme

Projekti “Gjuha ime”, i lansuar ditë më parë nga Ministria e Diasporës, ka marrë vlerësimin pozitiv nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.

Madje, koordinatori i LAPSH-it, Hamzë Morina, kishte marrë pjesë edhe në publikimin e këtij projekti në Prishtinë.

Ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm projektin, duke e quajtur adresë të përgjithshme për fëmijët, jo vetëm në diasporë, por edhe për ata që jetojnë në Kosovë, pasi që atyre u mundëson të njohin edhe historinë, gjeografinë dhe kulturën kombëtare në përgjithësi.

Hamze Morina, koordinator i  LAPSH-it

„Për mua personalisht dhe për LAPSH-in “Naim Frashëri” ishte një befasi e këndshme që Ministria e Diasporës në fillimet e punës së saj, ashtu siç ishte deklaruar, po fillon të realizojë në praktikë zotimin për t‘i dhënë prioritet mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Diasporë“, deklaroi për albinfo.ch koordinatori i LAPSH-it, Hamzë Morina.

Për kreun e LAPSH-it, ky portal do t’u dalë në ndihmë në rend të parë fëmijëve në diasporë duke i vënë në kontakt me gjuhën dhe kulturën e tyre.

„Ky do të ndihmojë edhe prindërit e interesuar dhe të gjithë bashkatdhetarët që synim kanë të përcjellin diturinë mbi gjuhën te gjeneratat që po rriten në mes të dy gjuhëve, që ata jo vetëm të mos e harrojnë, por edhe të kultivojnë gjuhën e tyre të dashur. Përmes këtij portali ata do të jenë në kontakt elektronik me gjuhën e tyre, më të mirën dhe do të gjejnë elementet fillestare të saj, siç janë shkronjat e alfabetit“, shprehet i entuziazmuar Morina.

E veçanta e portalit, sipas koordinatorit të LAPSH-it, është Abetarja elektronike, e cila nuk ofrohet vetëm si shkronjë e shkruar dhe si ilustrim, por plotëson edhe kushtin tjetër që deri tash nuk u ofronin abetaret në dispozicion, anën fonologjike, që është tejet e rëndësishme për mësimin dhe kapjen e tingujve për të vazhduar me shkrimin e tyre.

„Zbërthimi i tingujve me zë do t’u ndihmojë fëmijët në artikulimin e drejtë të një varg tingujsh që gjuhët e vendeve ku jetojnë nuk i kanë dhe kjo është shumë e rëndësishme, që theksimi i deformuar i këtyre tingujve të paraqitet i plotë shqip, me zë për të krijuar mundësinë e drejtshqiptimit gjatë të folurit“, thekson koordinatori i LAPSH-it në Zvicër, Hamzë Morina.

Pak më ndryshe mendon Vaxhid Sejdiu, pedagog dhe kryetar i Këshillit të Arsimtarëve të Kantonit të St. Gallenit, rajon ky ku gravitojnë më së shumti nxënës shqiptarë në Zvicër.

Vaxhid Sejdiu, pedagog dhe kryetar i Këshillit të Arsimtarëve të Kantonit të St. Gallenit

“Portali “Gjuha ime” i lansuar nga Ministria e Diasporës, pa dyshim se është një “dritare” e re, një “dritare” më se e nevojshme për gjuhën shqipe dedikuar fëmijëve shqiptarë. Këtu theksohet se fjala është për fëmijët e mërgatës shqiptare, por në të vërtetë, portali si i tillë është i mirëseardhur për të gjithë fëmijët, pa dallim”, deklaron Vaxhid Sejdiu.

Lexuesit në këtë portal gjejnë abetaren elektronike, vjersha, përralla, ninulla, anekdota dhe lojëra, të cilat janë interesante për fëmijët.

Por, për mësuesin Vaxhid Sejdiu mbetet e paqartë nëse një portal i tillë mund të përdoret në mënyrë individuale dhe mund të përdoret edhe nga të tjerët, të cilët nuk janë të përfshirë në kuadër të shkollës shqipe?

Ai, po ashtu është shprehur skeptik se një projekt i tillë i Ministrisë së Diasporës mund të ndihmojë në tërësi procesin mësimor në gjuhën shqipe në Zvicër.

“Vështirë është të thuhet se sa mund ta ndihmojë procesin mësimor në shkollat e mësimit plotësues, sepse këtu punohet me grupe, me klasë të ndryshme, si p.sh. nga numri i vogël i nxënësve pjesëmarrës ne kemi raste kur kemi numër të vogël të nxënësve dhe brenda një klase kemi nxënës nga klasa I deri në klasën VIII. Pra nuk e kemi atë mundësi që ta marrim një abetare elektronike dhe ta paraqesim para nxënësve, sepse kemi edhe nxënës të cilët këto mësime i kanë mësuar më herët”, deklaron pedagogu Sejdiu.

Por, mësuesi shqiptar në St.Galen, Vaxhid Sejdiu, thotë se megjithatë një projekt i tillë është i mirëseardhur për ciklin e parë të nxënësve të mësimit shqip.

“Pra, thënë më shkurt, ajo do të ndihmojë vetëm në ato pika shkollore, ku kemi numër të konsiderueshëm të nxënësve dhe ka mundësi të punohet me cikle shkollore dhe, për ciklin e parë kjo “dritare” është e mirëseardhur”, tha Sejdiu.

Për mësimdhënësin Vaxhid Sjediu, shkollave shqipe të mësimit plotësues në diasporë i nevojitet pa dyshim një projekt i detajuar me numrin e nxënësve, pikat shkollore, numrin e mësuesve, planprogramin mësimor sipas kushteve të mërgatës, etj.

“Me sensibilizimin e opinionit shqiptar, njoftimin e prindërve shqiptarë që së bashku me fëmijët e tyre t`u drejtohen shkollave shqipe, që ata ta ndiejnë se e kanë një obligim dhe një detyrim ligjor, sepse gjuha dhe identiteti kombëtar nuk është punë qejfi. Që mësuesit e të gjitha niveleve, veprimtarët e çështjes kombëtare dhe politika e ditës nëpërmjet medieve elektronike dhe të shkruara t`u drejtohen prindërve shqiptarë me një këshillë të tillë”, thekson Sejdiu.

Pas kësaj, ai mendon se brenda një periudhe të shkurtër do të ndryshojë gjendja, me arsyetimin se prindërit shqiptarë do të marrin obligime morale dhe prindërore që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollën ku mësohet gjuha shqipe.

Vaxhid Sejdiu, mësues në pikat shkollore: Flums, Buchs, Niederurnen, Glarus, Netsal, Mitlödi dhe Rapperswill – Jona ka përsëritur edhe një herë kërkesën se mërgata shqiptare ka nevojë për ndihmën institucionale, të përgatitur dhe të projektuar sipas kërkesave të shkollave shqipe në vendet ku zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe.

“Deri tani nuk kemi diçka të organizuar dhe të filluar në bazë të këtyre standardeve, është filluar me fletoret e punës të nivelit të ulët, tani edhe portali, por unë shpresoj që duhet të fillohet me një projekt gjithëpërfshirës, me të gjitha kriteret e nevojshme për përfshirjen e fëmijëve të mërgimtarëve në shkollat shqipe. Pra, një prej dobësive kryesore në këtë drejtim, i cili nuk mund të arsyetohet me asnjë retorikë, është mosdërgimi i fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës amtare”, thekson Sejdiu.

Ndryshe, ky projekt i Ministrisë së Diasporës është i pari nga institucionet përmes të cilit mësohen dhe zgjerohen njohuritë për gjuhën amtare dhe u dedikohet sidomos fëmijëve në diasporë.

Për promotorët e këtij projekti, mësimi i gjuhës jo vetëm që është i lehtë, por është edhe argëtues për fëmijët.

Faqja (gjuhaime.com) ngërthen në vete informata të ndryshme për gjuhën, kombin, historinë dhe gjeografinë e shtetit të Kosovës, si dhe lojëra, fletore pune, abetaren, e shumë gjëra të tjera të dobishme për zhvillimin e njohurive te fëmijët.