Integrimi
Gjuha shqipe në Zvicër, një realitet në rritje, që pret të njihet
Dr. Dr. Naxhi Selimi: “Kjo qasje ndaj shqipes do të ndryshojë, jo vetëm për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë këtu, por për faktin se komuniteti shqiptar kontribuon në të gjitha fushat, edhe në atë të arsimit dhe gjuhësisë”
Prania e madhe e shqiptarëve në Zvicër është një realitet i konstatuar prej kohësh. Nisur nga ky realitet, edhe të dhënat e publikuara kohë më parë nga Zyra Federale e Statistikave, të cilat e nxjerrin shqipen si gjuhën e huaj më të folur (pas anglishtes), ishin të pritshme. Por, nëse shtrirja e shqipes në Zvicër është diçka e mirëqenë, ka disa pikëpyetje lidhur me trajtimin e kësaj gjuhe në këtë vend, nga shteti por dhe nga vetë folësit e saj, shqiptarët.
Për të gjetur përgjigje rreth kësaj tematike, Albinfo.ch ka pyetur Dr. Naxhi Selimin, docent në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Schwyz.
Albinfo.ch: Gjuha shqipe, edhe sipas statistikave më të reja, është gjuha e huaj me më së shumti folës, në Zvicër, pas anglishtes. Konstatimi në fjalë ngre natyrshëm edhe pyetje përkatëse: Duke ditur numrin e folësve, pra “sasinë” e tyre, tani, cila është “cilësia” gjegjësisht, ku është e pranishme shqipja, jashtë ambienteve ku banojnë dhe frekuentojnë shqiptarët këtu?
N. Selimi: Statistikat aktuale vërtetojnë numrin e lartë të folësve të gjuhës shqipe në Zvicër dhe kërkojnë me të drejtë përgjigje rreth cilësisë së pranisë së saj përtej rrethanave dhe konteksteve joformale, siç janë familja, shoqatat, festat apo kontaktet private. Formalisht përdoret vetëm në përfaqësitë e vendeve amë dhe në mësimin plotësues shqip, por fatkeqësisht jo edhe në shkollat, universitetet apo ambientet tjera, si për shembull në administratë, biznes ose hapësira mediatike. Në universitete, fjala vjen, ka studentë nga të gjitha grupet gjuhësore që janë të interesuar të dinë më tepër rreth gjuhës shqipe. Kjo nevojë ende nuk merret në konsideratë. Madje as edhe institutet e gjuhëve të huaja ende nuk ofrojnë seminare apo kurse në gjuhën shqipe, përpos ndonjë prezantimi të vogël sporadik. Mendoj se kjo qasje dalëngadalë do të ndryshojë, jo vetëm për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë këtu, por për faktin se komuniteti shqiptar kontribuon në të gjitha fushat, edhe në atë të arsimit dhe gjuhësisë.
Albinfo.ch: Dihet se themelet e studimit të shqipes janë hedhur kryesisht në hapësirën kulturore gjermane, si në Austri dhe Gjermani. A mund të flitet për ndonjë traditë, qoftë dhe modeste të studimit të shqipes ose të studimeve albanologjike edhe në Zvicër?
N. Selimi: Vetë fakti se universitetet zvicerane ende nuk kanë hapur ndonjë institut të albanologjisë tregon se nuk ka ndonjë traditë në këtë fushë. Madje do të thosha se masa dërmuese e zviceranëve vonë e kuptuan se ka shqiptarë në mesin e tyre. Për një kohë të gjatë kanë munguar kontaktet dhe bashkëpunimet ndëruniversitare. Kurse me Austrinë dhe Gjermaninë kemi një histori tjetër, falë gjuhëtarëve tani më të shumëcituar të këtyre dy vendeve që janë marrë me gjuhën shqipe dhe ua kanë hapur dyert e universiteteve dhe bibliotekave studiuesve shqiptarë. I vetmi studim që vlen të përmendet është ai i profesorit Basil Schader me nxënës dhe adoleshentë shqiptarë para dy dekadash. Kohëve të fundit vërehet një interes i shtuar për projekte shkencore në fushën e albanologjisë.
Albinfo.ch: Ka pasur herë pas here projekte të udhëhequra nga institute të ndryshme zvicerane (dhe gjermane) mbi gjuhën shqipe në Zvicër. Njëri, në kuadër të Universitetit të Cyrihut, pjesë e të cilit keni qenë dhe ju dhe një tjetër, në Universitetin e Bazelit. A mund të na flisni shkurtimisht për këto projekte dhe nëse ka, edhe për ndonjë tjetër, të ngjashëm?
N. Selimi: Pikërisht këtë doja të thosha kur përmenda interesin e shtuar kohëve të fundit. Projekti “Gjuha shqipe në kontakt” trajtoi praktikat dhe ndërgjegjësimin gjuhësor të shqiptarëve të të tre brezave në Zvicrën gjermanishtfolëse dhe në Bavari të Gjermanisë, meqë edhe Universiteti i Munihut ishte i përfshirë në këtë projekt shkencor. Nga ky hulumtim rezultoi se përdorimi i gjuhës shqipe dhe asaj gjermane zë vend kyç në komunikimin e përditshëm. Varësisht nga konteksti social dhe bashkëbiseduesit, shqiptarët e përdorin gjuhën shqipe apo atë gjermane, edhe pse në hapësira publike dominon gjermanishtja, kurse në mjediset private shqipja. Edhe pse në ndërkohë janë publikuar rezultatet e këtij projekti nëpër revista të ndryshme shkencore dhe një përshkrim i gjerë do ta tejkalonte formatin e kësaj interviste, desha megjithatë ta potencoj një fakt që bëri përshtypje. Të anketuarit nga brezi i dytë dhe i tretë në Gjermani i vlerësojnë njohuritë e tyre në të folurit në standardin e shqipes dukshëm më lartë se brezi i dytë dhe i tretë në Zvicër. Mirëpo, një analizë e intervistave të transkribuara vërteton të kundërtën: Të anketuarit në Zvicër posedojnë një sfond fjalësh më të madh, bëjnë më pak lëshime gramatikore dhe përdorin më pak fjalë gjermane gjatë artikulimit me gojë në gjuhën shqipe. Siç duket, brezi i dytë dhe i tretë në Zvicër janë më kritik ndaj njohurive të tyre në gjuhën shqipe sesa bashkëmoshatarët në Gjermani. Sidoqoftë, ky detaj interesant dhe njëkohësisht ngacmues kërkon analiza të mëtejme. Kurse sa i përket projektit të Universitetit të Bazelit nuk di të them më tepër se ajo që lexojmë në faqen e këtij Universiteti. Në shikim të parë më duket shumë i vlefshëm, sepse synon të kuptojë më mirë rrënjët e gjuhës shqipe në kohët e lashta. Shpresoj që ky studim t’i kontribuojë debatit aktual (shpesh edhe polemizues) rreth vjetërsisë dhe aspektit etimologjik të gjuhës shqipe. Përveç kësaj jam në dijeni edhe për një projekt të Universitetit të Bernës, por që ende nuk e di nëse i ka siguruar mjetet financiare. Ky projekt ka objekt studimi dialektet në kontakt dhe do të përshijë gjuhën spanjolle, portugeze, angleze dhe shqipe.
Albinfo.ch: Një gjë që konstatohet lehtë është se në gjithë Zvicrën nuk ka asnjë seminar ose katedër universitare që ofron mësimin e gjuhës shqipe. Ndërkohë, gjuhë me më pak folës, si gjuhët “ish jugosllave”, mësohen, të paktën në tre universitetet e mëdha të Zvicrës Gjermane, në kuadrin e seminareve të sllavistikës. Është folur pak vite më parë rreth planeve për një katedër ose seminar të gjuhës shqipe në Bernë gjegjësisht në Cyrih. A keni njohuri, është bërë ndonjë hap konkret në këtë drejtim?
N. Selimi: Fatkeqësisht flitet e premtohet shumë, por bëhet ende pak ose aspak. Në këtë drejtim duhet të jenë përfaqësitë tona më aktive. Disa kolegë nga institutet në fjalë më thonë në biseda joformale se janë të interesuar dhe të gatshëm të angazhohen në këtë drejtim, fjala vjen në përpilimin e planprogrameve, në organizimin e seminareve apo ligjëratave. Njëkohësisht kërkojnë mbështetje financiare. Siç flasin edhe statistikat e fundit, askush nuk e konteston prezencën e gjuhës shqipe në Zvicër. Nevojitet vetëm gatishmëria e shteteve tona amë dhe e ministrive të kantoneve të arsimit për të bashkëfinancuar hapjen e një katedre të gjuhës shqipe.
Albinfo.ch: Nëse do të hapej një katedër ose seminar, a mendoni se ekziston kuadri përkatës, nga shqiptarët (por dhe zviceranët) e këtushëm?
N. Selimi: Padyshim se po! Ne kemi në ndërkohë studentë dhe studente me master apo që janë duke kryer doktoratura dhe që janë shumë kompetentë në fushën e gjuhësisë. Jam i bindur se kuadri ynë së bashku me kolege dhe kolegë të interesuar zviceranë do të jepte një kontribut profesional dhe cilësor në përpilimin dhe zbatimin e planprogrameve gjegjësisht seminareve në gjuhën shqipe. Potenciali shkencor dhe akademik ekziston, tani na nevojitet vetëm përkrahja financiare. Prandaj i inkurajojmë aktorët vendimmarrës ta shtyjnë përpara çështjen e financimit, kurse punën tjetër e kryejmë dinjitetshëm ne të fushës së arsimit.
Albinfo.ch: Për ruajtjen dhe kultivimin e shqipes tek shqiptarët e brezit të dytë, të tretë e më tutje, nevojitet në radhë të parë një rrjet funksional i shkollës shqipe në Zvicër. Ky rrjet ndërkaq, në vend se të zgjerohet e forcohet, në rastin tonë është dobësuar shumë, në krahasim me dy ose tri dekada më parë. A mendoni se ky është “fati i parashkruar” që çon drejt bjerrjes së pashmangshme të shqipes jashtë vendit te origjinës apo ka ende shpresë?
N. Selimi: Ky fenomen është vërtet shqetësues, sepse numri i nxënësve të mësimit plotësues shqip bie dukshëm nga viti në vit. Faktorët janë të shumtë, duke filluar nga koha e kufizuar, perceptimi gjuhësor e arsimor i fëmijëve dhe të rriturve, kualifikimi i mësimdhënësve, kushtet e punës, promovimi i pamjaftueshëm i gjuhës shqipe nga vetë ne e shumë variable tjera. Mosvijimi i mësimit shqip padyshim e përshpejton procesin e asimilimit. Prandaj, në vend që të ngremë pluhur retorik, le të punojmë seriozisht që t’ia japim gjuhës dhe komunitetit shqiptar vendin e merituar. Meqë ra fjala, kjo vlen jo vetëm për diasporën shqiptare, por edhe për ata që jetojnë në trojet tona, sepse edhe atje flasin shumë familje me fëmijët e tyre anglisht, ndoshta duke imagjinuar privilegje për fëmijët e tyre apo një dashuri të verbër ndaj anglishtes. Thënë këtë, me mendime pa përmbajte dhe eufori nuk arrihet gjë, sepse sidomos kjo e fundit, siç e dimë, sfumohet me t’u paraqitur sfida e parë. Ruajta e gjuhës kërkon një koncept të qartë dhe punë afatgjate nga të gjithë ne.
E-Diaspora
-
Shqipëri: Vota e diasporës, aplikacioni gati në 1 janar 2025 Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në Shqipëri Ilirjan Celibashi në një intervistë për “faktoje.al”, foli për procesin...
-
Alvin Karaqi, një kampion i madh i karatesë dhe mjek ambicioz në Zvicër
-
Rrugëtimi i Alfabetit shqiptar të Manastirit u kujtua në Lozanë
-
Shërbimet në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih do të ofrohen deri më 23 dhjetor
-
Gjermanët po varfërohen
Jeta në Zvicër
-
Deputetët kërkojnë një rritje të zbritjes minimale të sigurimit shëndetësor Pas Këshillit të Shteteve, Këshilli Kombëtar ka miratuar gjithashtu një propozim për rritjen e bashkëpagesës minimale...
-
Lidl do të hapë dyqane të reja, do të krijojë më shumë vende pune në Zvicër
-
Zvicra do të prezantojë bazën e të dhënave të pasagjerëve ajror
-
Alvin Karaqi, një kampion i madh i karatesë dhe mjek ambicioz në Zvicër
-
Trafiku i kushton publikut miliarda