Opinione

Gjuha nuk është një mall që shitet në treg!

Duhet kuptuar së paku se gjuha nuk do të duhej të jetë një mall që shitet apo blihet në treg

Për ata që tregojnë pasionin apo kureshtjen për ta kuptuar domethënien reale të gjuhëve në kuadër të funksionimit të shteteve të mirëfillta multietnike, ndoshta ia vlen të shfletohen vetëm disa faqe të historisë së “bashkëjetesës gjuhësore” në shoqërinë zvicerane.

Nëse gjurmohet bile edhe sipërfaqësisht kjo histori, shpejt kuptohet se origjina e respektimit të gjuhëve që promovohen dhe respektohen në hapësirat e një shteti të përbashkët nuk e ka gjenezën e saj as në Kushtetutë, e as në lojërat dhe kalkulimet politike, por krejtësisht diku tjetër.

Kështu tingëllonte edhe debati preliminar i aktorëve të themelimit të shtetit zvicerane, para se t’i përvishen analizës për aspektet ligjore dhe kushtetuese. Çështjen e respektimit të gjuhës të të gjitha komponentëve të shoqërisë e definuan si një parakusht të domosdoshëm të bashkëjetesës dhe prosperitetit, të mirëqenies së përbashkët.

U privilegjuan konsensuset dhe kompromiset në mes të aktorëve të ndryshëm të asaj kohe. Shumë të tjerë e kanë trasuar rrugën e tyre, ashtu si edhe shumë breza të njëpasnjëshëm deri ditën e sotëm, dhe akoma asgjë s’ka përfunduar.

Kurse te ne, në Maqedoni të Veriut, duket se disa sende trajtohen nga prizmi i të kundërtës, si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen! Sa kohë mbrapa jemi!?

Gjithë ato debate, gjithë ato komentime për çështjen e gjuhës. Gjithë ato tentime për të gjetur një zgjidhje, pa ndonjë rezultat për lëvdata!

E tani, sytë janë drejtuar edhe kah një institucion gjyqësor, Gjykata Kushtetuese. Kërkohet që ajo të tregohet vigjilente, që të mos marrë një vendim të papranueshëm, e as të zgjedhë apo të korrigjojë një problem, që normalisht është në barrë të dikujt tjetër.

Paralelisht, gjithë ai “përkushtim politik” për t’ i mbrojtur disa “vlera”, në këtë vrull debatesh, për të përcjellë këshillat sa më të mençura në adresë të gjykatës! U zgjuan edhe ata që ishin një gjumë të thellë!

Një analizë hipotetike mund të shpie lehtë në konkludimin se edhe një rregull e përsosur kushtetuese apo ligjore mbi çështjet gjuhësore nuk do të arrinte asnjëherë të ofrojë një zgjidhje optimale në kuadër të funksionimit të një shoqërie, e cila është thellë e zhytur në pazarllëqet e tepërta politike. Është pikërisht rasti i Maqedonisë së Veriut.

Mbetet të shpresohet megjithatë se do të respektohet rregulla mbi ndarjen e pushtetit. Nuk do të ishte me siguri e ndershme nëse Gjykata Kushtetuese do të shndërrohej në rolin e një “kompanie riparimi”, për t’ i zgjedhur telashet e atyre që kacafyten!

Krahas aspekteve mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të një ligji, kjo gjykatë duhet të mbajë llogari për interpretimin sa më objektiv të vlerave supreme të gjuhës, e cila paraqet edhe një ndër shtyllat kryesore të katalogut të të drejtave themelore.

Kjo gjykatë mund ta mbajë edhe rolin e lehtësueset të implementimit praktik të drejtave të tilla, e jo të shkaktuesit të telasheve shtesë! Kjo do të shihet më mirë pas seancës së saj më 11 dhjetor.

Kurse ata të cilët shprehin aq shumë interesimin për t’i mbrojtur disa parime gjuhësore, do të ishte mirë që kjo të debatohet përmes një qëndrimi pragmatik, e jo vetëm përmes disa kalkulimeve dhe diskurseve të zakonshme politike të veshura me petkun e konfuzioneve, përçarjeve dhe ndarjeve të kampeve politike.

Çdo përkushtim sipërfaqësor ndaj këtyre çështjeve bart në vete pasoja të rënda. Vetëm fakti i nevojës së implikimit të Gjykatës Kushtetuese dëshmon me siguri atë se deri tani nuk është arritur të propozohen zgjidhjet adekuate për çështjen e gjuhës në Maqedoni të Veriut. Pa marrë parasysh se e kujt është fajësia!

Duhet kuptuar së paku se gjuha nuk do të duhej të jetë një mall që shitet apo blihet në treg!