Kosova
Gjuha dhe kombësia, mesazhet kryesore të Kuvendit Kombëtar të Gjuhës Shqipe
Intervistë me Dr. Vaxhid Sejdiun, bashkëkryetar i LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër dhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës
Vaxhid Sejdiu është një nga emrat më të shquar të mësimdhënies së gjuhës shqipe për diasporën shqiptare në Zvicër. Si bashkëkryetar i LAPSH “Naim Frashëri” dhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD), ai ka dëshmuar përkushtim të madh për ruajtjen dhe përçimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj.
Puna e tij vetëmohuese në bashkëpunim të ngushtë me veprimtarë të arsimit shqip dhe prindër, ka rezultuar në një sukses të veçantë: hapjen e dhjetëra shkollave për mësimin e gjuhës shqipe në mbarë Zvicrën vetëm në katër apo pesë vjetët e fundit. Ky angazhim i tij ka bërë që mijëra fëmijë shqiptarë të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën e tyre amtare dhe të lidhen më fort me rrënjët e tyre.
Roli i tij si model i përkushtimit dhe frymëzimit shërben si shembull për të gjithë ata që angazhohen për ruajtjen e vlerave dhe traditave kombëtare në mërgatë.
Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë të përqendruar kryesisht në mbajtjen, ditë më parë, të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe, në Tiranë.
Albinfo.ch: Cila është rëndësia e organizimit të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe në prag të Ditës së Alfabetit?
Vaxhid Sejdiu: Në prag të Ditës së Alfabetit më 21-22 nëntor 2024 në Tiranë, u organizua nga ana e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë Kuvendi Kombëtar për gjuhën shqipe, në të cilin Kuvend kisha nderin të jem pjesëmarrës në panelin “Gjuha shqipe në Diasporë”, në të cilin u bisedua për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në Diasporë.
Rëndësia e Kuvendit Kombëtar lidhet ngushtë me përkujtimin dhe promovimin e rolit historik të alfabetit shqip dhe zhvillimit të gjuhës shqipe deri më sot. Kuvendi shërbeu si një platformë për të rikujtuar përpjekjet e Rilindjes Kombëtare dhe Kongresit të Manastirit (1908), që vendosi alfabetin e njehsuar shqip për të gjithë shqiptarët. Ky kuvend në rend të parë është motivues por ka edhe për qëllim ndërgjegjësimin e të gjithë shqiptarëve për rëndësinë, mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Kuvendi ofroi një hapësirë për studiuesit, gjuhëtarët dhe intelektualët të diskutojnë sfidat aktuale dhe rrugët për zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe.
Në përgjithësi, ky kuvend ishte një moment reflektimi për rolin e gjuhës shqipe si një pasuri e përbashkët që duhet ruajtur, zhvilluar dhe promovuar, si dhe rasti më i mirë që me një Kuvend kombëtar për gjuhën të shoqërohet edhe vendimi i qeverisë shqiptare, që 22 Nëntori të shpallet ditë feste në Shqipëri.
Albinfo.ch: Si ndikon pjesëmarrja e figurave të shquara dhe institucioneve në promovimin e shqipes?
Vaxhid Sejdiu: E kam thënë ndër vite se “bashkimi bën fuqinë”. Pjesëmarrja e figurave të shquara dhe institucioneve në promovimin e shqipes ka një ndikim të madh. Nuk kishte nder më të madh se të dëgjosh ligjëratat e profesorëve, gjuhëtarëve të nderuar si Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Anila Omari, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj, Dhurata Shehri etj. Veprimet e përbashkëta frymëzojnë gjeneratat të kenë kujdes më shumë me gjuhën amtare. Figurave të shquara, si akademikë, artistë, shkrimtarë dhe gjuhëtarë, duhet t`iu jepet mundësia të shërbejnë si model frymëzimi për mësuesit, nxënësit, qytetarët dhe këto përpjekje pa dyshim rrisin interesin për shqipen në hapësirën gjithëkombëtare dhe në mërgatë.
Po ashtu mesazhet në shërbim të ruajtjes së gjuhë shqipe forcojnë ndjenjën e unitetit kombëtar. Në këtë kohë ku teknologjia dhe globalizmi bëjnë të veten, të gjithë ne pa dallim, duhet të bashkohemi për të ruajtur gjuhën si një simbol i përbashkët identitar, pavarësisht ndryshimeve.
Figurat e shquara të kombit nëpërmjet mesazheve dhënë mediave të shkruara dhe atyre vizuale do të rrisnin ndërgjegjësimin e të gjithë shqiptarëve ndaj kësaj çështje vitale të kombit.
Albinfo.ch: Çfarë simbolike përcjell deklarata e Kryeministrit Rama për shqipen si një gjuhë të ardhshme zyrtare të BE-së?
Vaxhid Sejdiu: Deklarata e Kryeministrit Edi Rama për shqipen si një gjuhë të ardhshme zyrtare të Bashkimit Evropian ka një simbolikë të shumëfishtë, që lidhet me aspiratat kombëtare, identitetin kulturor dhe rolin e Shqipërisë në proceset evropiane. Ajo përfaqëson dëshirën për një integrim të plotë, jo vetëm politik dhe ekonomik, por edhe kulturor dhe gjuhësor. Ajo përforcon idenë se shqipja, si një gjuhë me rrënjë të lashta dhe me një histori unike, ka një vend të merituar në arenën ndërkombëtare. Deklarata është një simbolikë për të gjithë shqiptarët, përfshirë ata në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe diasporë, duke nënvizuar faktin se shqipja është një element i përbashkët identitar që i lidh ata me njëri-tjetrin dhe me Evropën.
Mendoj se më në fund gjuhës shqipe – gjuhës së shekujve, duhet t`i jepet vendi i merituar.
Albinfo.ch: Si ndikon shpallja e vitit 2024 si viti i gjuhës shqipe në ruajtjen dhe forcimin e saj?
Vaxhid Sejdiu: Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë siç dihet muaj më parë vitin 2024 e ka shpallë “Vit të gjuhës shqipe” dhe gjatë këtij viti kemi qenë dëshmitarë se janë zhvilluar një varg aktivitetesh të ndryshme, veçanërisht me nxënësit e shkollave shqipe në Shqipëri. Është shkruar dhe është folur më shumë se çdo vjet tjetër për gjuhën shqipe, për rëndësinë e saj, problemet dhe vështirësitë me të cilat përballet gjuha shqipe nga folësit e saj. E gjithë kjo ka për qëllim rritjen dhe ndërgjegjësimin e të gjithëve pa dallim, brenda trojeve shqiptare por edhe jashtë saj, duke tërheqë vëmendjen e publikut, institucioneve dhe komuniteteve shqiptare kudo në botë për sfidat që përballet gjuha shqipe, përfshirë këtu edhe ndikimet e globalizimit, emigrimit dhe përdorimin e gjuhëve të huaja. Përmes aktiviteteve dhe organizimeve të ndryshme Ministria e Arsimit, Shoqatat apo Lidhjet e Shkollave dhe të Mësuesve kanë ndihmuar në ndërgjegjësimin e të gjithë shqiptarëve për rëndësinë e gjuhës amtare. Fakt është se kemi nevojë për një nxitje të përhershme të edukimit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Në përgjithësi, shpallja e vitit 2024 si “Viti i Gjuhës Shqipe” është një mundësi për të forcuar lidhjen e shqiptarëve me gjuhën e tyre, për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe për të garantuar që shqipja të ruajë një vend të rëndësishëm si brenda kufijve kombëtarë, ashtu edhe jashtë tyre.
Albinfo.ch: Pse konsiderohet shqipja një gjuhë e veçantë në kontekstin evropian?
Vaxhid Sejdiu: Fakt është se shqipja është pjesë e familjes indoevropiane të gjuhëve, por ajo përbën një degë të saj më vete, pa lidhje të drejtpërdrejta me gjuhë të tjera të kësaj familjeje. Kjo do të thotë se nuk ka “gjuhë motra” të afërta, siç kanë gjuhët romane, sllave ose gjermanike. Shqipja ruan shumë tipare të veçanta dhe arkaike, të cilat nuk gjenden në gjuhët e tjera indoevropiane. Shqipja ka një strukturë gramatikore dhe një leksik të veçantë.
Shqipja është gjuhë me të cilën identifikohet kombi ynë dhe për këtë arsye rëndësia është e dorës së parë. Për ta ruajtur atë duhet të kujtojmë fjalët e dijetarit shqiptar Sami Frashërit, të cilat fjalë duhet t`i kemi gjithmonë parasysh se “Shenja e kombësisë është gjuha, çdo komb mbahet nga gjuhët”. Kur një komb e humb gjuhën, humb dhe veten”.
Albinfo.ch: Si e ndihmon ruajtja e shqipes identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve?
Vaxhid Sejdiu: E përmenda, gjuha është simbol i identitetit kombëtar. Ajo është element i përbashkët i të gjithë shqiptarëve kudo ku janë duke krijuar ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë kombëtare. Përmes ruajtjes së saj, shqiptarët arrijnë të mbajnë gjallë lidhjen me origjinën, historinë dhe kulturën e tyre. Shumë elemente të kulturës shqiptare janë të mishëruara në gjuhë – nga letërsia, këngët popullore, proverbat dhe shprehjet, deri te dokumentet historike. Shqipja luan një rol të rëndësishëm në përcjelljen e traditave nga brezi në brez, duke siguruar vazhdimësinë e tyre.
Për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, ruajtja e gjuhës është themelore për të mbajtur gjallë lidhjen me rrënjët e tyre. Gjuha ndihmon diasporën të ruajë identitetin e vet dhe të transmetojë këtë identitet te brezat e ardhshëm.
Albinfo.ch: Si mund të bashkëpunojnë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut për ruajtjen dhe promovimin e saj?
Atdheu ynë, Shqipëria dhe Kosova, së bashku me të gjitha hapësirat shqiptare si dhe mërgatën, po e theksoj mërgatën shqiptare, sepse tani më dihet se gjysma e kombit jeton jashtë atdheut, e ka për obligim moral dhe kombëtar të kujdeset më shumë se deri më tani për gjuhën shqipe. Ekzistojnë një mori rrugësh që duhet ndjekur me qëllim që në fund të çdo 28 Nëntori të shohim se kemi bërë më shumë se dje për gjuhën e shqipe dhe, të mos pajtohemi me atë që kemi bërë duke kërkuar rrugë të reja, për të bërë më shumë për ata qindra mijëra fëmijë shqiptarë që lindin dhe rriten larg Atdheut, në mbarë botën pa fajin e tyre. Ky obligim mund të shoqërohet me një mori përpjekjesh siç janë tekstet shkollore, librat për fëmijë, krijimi i platformave të përbashkëta kulturore, platformave digjitale të mësimit të shqipes, aplikacioneve nëpërmjet të cilave shqiptarët kudo në botë të kenë mundësinë të shfletojnë trashëgiminë kulturore të përbashkët, si monumentet, festivalet dhe traditat. Të organizohen takime letrare, festivale për fëmijë, festivale të shkollave shqipe, takime letrare të shkollave shqipe, ekspozita të përbashkëta, shëtitje me karakter shkollor etj. Investimi në arsim dhe edukim është investimi më i madh kombëtar për të gjitha kohërat. Prezantimi i trashëgimisë, gjuhës dhe kulturës kombëtare në botë është investimi më i madh që mund të bëjnë shqiptarët në ditët e sotme sepse në këtë mënyrë përmbysim teoritë antishqiptare për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe hapim një faqe të re të pasurisë sonë kombëtare.
Albinfo.ch: Pse është e rëndësishme ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë?
Vaxhid Sejdiu: Në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën shqipe, organizatorët ishin kujdesur edhe për mësuesit në Diasporë, që edhe ata të thonë fjalën e tyre. Një panel i veçantë me mësues nga diaspora si Vaxhid Sejdiu (Zvicër), Drita Gjongecaj (ShBA), Teuta Tabaku (Turqi), Miradije Berishaj (Austri), Aurela Konduri (Greqi), Anila Berberi (Itali), shtruan një mori kërkesash dhe dhanë një varg mendimesh se si të veprohet në shërbim të mërgatës shqiptare si pjesë e kombit, që edhe ata në mënyrë institucionale ta ruajnë gjuhën amtare. Në këtë mënyrë të ruajmë identitetin kombëtar sepse nëpërmjet gjuhës mërgimtarët e të gjitha gjeneratave kanë mundësi ta ruajnë edhe identitetin kombëtar. Gjuha ndihmon brezat e rinj në diasporë të komunikojnë me anëtarët e familjes që jetojnë në atdhe. Kjo ndihmon në ruajtjen e lidhjeve familjare dhe transmetimin e vlerave tradicionale. Ruajtja e gjuhës amtare ndihmon që shqiptarët të mos humbasin identitetin e tyre përmes asimilimit. Dygjuhësia ofron përparësi intelektuale dhe sociale, duke u dhënë fëmijëve mundësi më të mëdha në shkollim dhe në karrierë. Pra të gjitha këto e bëjnë shumë të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme gjuhën amtare.
Komunitetet shqiptare që flasin shqip në diasporë luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e kulturës dhe traditave shqiptare në mbarë botën. Ata mund të jenë “ambasadorë” të gjuhës dhe kulturës, duke rritur ndërgjegjësimin për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ruajtja e gjuhës shqipe ndihmon që brezat e rinj të mbajnë një lidhje të gjallë me vendin e origjinës, duke krijuar një urë mes tyre dhe historisë, kulturës dhe zhvillimeve në Shqipëri, Kosovë dhe në mbarë trojet shqiptare. Ruajtja e gjuhës në diasporë kërkon përpjekje kolektive përmes shkollave shqipe, aktiviteteve kulturore, shoqatave shqiptare dhe mbështetjes nga institucionet shqiptare. Kjo është një mënyrë për të siguruar që gjuha dhe identiteti shqiptar të mbijetojnë dhe të lulëzojnë, pavarësisht largësisë gjeografike.
Albinfo.ch: Çfarë u kërkua konkretisht? Cilat ishin kërkesat?
Vaxhid Sejdiu: Përveç që pata rastin të prezantojë hapjen e shkollave shqipe në Zvicër si një histori suksesi, të prezantojë modelin e punës dhe përkushtimit tonë të përbashkët në Zvicër me qëllim që të kemi sa më shumë pika shkollore ku fëmijët shqiptarë mund të vijojnë në mënyrë të rregullt mësimet në gjuhën shqipe shtrova në emër të Këshillit Koordinues të Diasporës edhe kërkesën që përveç mësimit me prezencë, të fillojmë edhe me mësimin online. Mësimi online do të hapte një faqe të re të mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë. Fjalë bëhet për organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në platformën online për të gjithë fëmijët shqiptarë kudo në mërgatën shqiptare, pra të përcaktohemi edhe për mësimin Online, kërkesë që ua kishim dërguar edhe para 2-3 javëve edhe zyrtarisht Institucioneve në Tiranë.
Dihet se çdo fillim është i vështirë por asgjë nuk zhvillohet pa u filluar. Këtë kërkesë e shtruam me rastin e përvjetorit të 116-të të Kongresit të Alfabetit, të shpirtndriturve, të cilët na e lanë amanet alfabetin e bekuar. Dhe ne nëpërmjet mësimit online mund ta vazhdojmë edhe në mënyrë më të organizuar amanetin e tyre sepse në këtë mënyrë përhapim “dritën e diturisë” në gjuhën amtare kudo ku ka shqiptarë, duke i shfrytëzuar mediat elektronike, platformat digjitale, dhe i japim një frymëmarrje të re gjuhës së shekujve – gjuhës shqipe.
Albinfo.ch: A ka sot një kurrikulë të përbashkët?
Vaxhid Sejdiu: Po, për fatin tonë të mirë, dy institucionet tona të Arsimit Shqipëri – Kosovë, para disa viteve kanë hartuar kurrikulën e përbashkët dhe në bazë të së cilës janë hartuar edhe tekstet shkollore për fëmijët e diasporës me qëllim që të arrijmë në unifikimin e shkollave shqipe në mbarë mërgatën shqiptare.
Albinfo.ch: Si ndihmon licencimi i mësuesve dhe certifikatat për nxënësit në forcimin e programit?
Vaxhid Sejdiu: Licencimi i mësuesve është një hap tjetër që krijon një rrjet të mësuesve që plotësojnë kriteret profesionale dhe pedagogjike të kërkuara. Kjo ndihmon Institucionet për të përgatitur platformat e tyre politike në fushën e arsimit. Para 3-4 viteve në Tiranë është filluar me licencimin e mësuesve. Do të ishte mirë që këtij angazhimi t`i bashkëngjitet edhe Prishtina me qëllim që sa më shpejtë, që të jetë e mundur të krijohet ky formacion i mësuesve në diasporë me qëllim veprimi sa më të gjerë.
Përmes trajnimeve dhe procesit të certifikimit, mësuesit zhvillojnë aftësi të reja dhe përditësohen me metodologjitë moderne të mësimdhënies duke përmbushur edhe qëllimet e parashtruara në dobi të arsimit shqip. Kjo formë e punës institucionale rritë përgjegjësinë dhe profesionalizimin në këtë lloj mësimi.
Albinfo.ch: Si mund të angazhohen më shumë komunitetet shqiptare në diasporë për këtë iniciativë?
Vaxhid Sejdiu: Ekzistojnë një mori faktorësh të cilët ndikojnë në organizimin e komunitetit kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët. Edhe pse secili shtet ka specifikat e veta unë do të them disa gjëra të cilat janë të përbashkëta dhe mund të ndikojnë në organizimin sa më të mirë të komunitetit shqiptar në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.
E para, duhet të bashkëpunojmë ngushtë me institucionet tona të Arsimit dhe të Punëve të jashtme në veçanti me Ambasadat tona, të cilat kanë mundësi të ndihmojnë në të gjitha pikëpamjet.
E dyta, nevojiten drejtues që sakrifikojnë kohën dhe dijen në shërbim të gjuhës shqipe, të cilët durojnë shumë çka për hir të interesit të përgjithshëm, të punojnë dhe veprojnë me gjithë përkushtimin e tyre. Një sakrificë e këtillë është e domosdoshme. Pra, është në pyetje filozofia e punës.
E treta, t`iu hapet rrugë të gjithë kolegëve pa dallim nga të gjitha trojet shqiptare me qëllim që misioni të jetë i realizueshëm. T`i këshillojmë ata dhe t`i ndihmojnë në çdo kohë.
E katërta, duhet të komunikojmë urtë me prindërit shqiptarë, të cilët janë themel i shkollave shqipe dhe përkrahësit më të mëdhenj në këtë rrugëtim, pavarësisht nivelin e tyre arsimor sepse ne, në mërgatë nuk mund t`i ndryshojmë shumë gjërat.
E pesta, duhet të bëhet një përzgjedhje e prindërve, e atyre të cilët e duan arsimin, gjuhën dhe kulturën kombëtare, por edhe janë në gjendje të sakrifikojnë kohën e tyre në shërbim të arsimit shqip dhe me ta, të formohen këshillat prindëror.
Albinfo.ch: Cilët janë hapat e ardhshëm për ta bërë këtë projekt një realitet?
Vaxhid Sejdiu : Për ta bërë projektin e mësimit online një realitet, hapat e ardhshëm duhet të përfshijnë një qasje të strukturuar dhe të mirë planifikuar. Është shumë me rëndësi fillimisht të identifikohen nevojat, të përcaktohen qëllimet dhe të analizohen burimet.
Pastaj një prej faktorëve kryesorë është përcaktimi për platformën online të mësimit, e cila platformë duhet të ofroj qasje të lehtë dhe funksione sa më praktike për mësim. Të krijohen materiale mësimore të përshtatshme për këtë lloj mësimi në përputhje me zhvillimet e fundit në metodologjinë e mësimdhënies.
Të bëhet përpjekje maksimale në ndërgjegjësimin e familjeve dhen komunitetit, mbi të gjitha ndërgjegjësimi i familjeve shqiptare që ta ndjejnë mirë e drejtë obligimin e tyre moral dhe kombëtar që fëmijëve të tyre t`ua mësojnë dhe ruajnë gjuhën amtare.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Greenhouse merr certifikatën OAE: Një hap përpara në zhvillimin ekonomik të Kosovës Kompania “Greenhouse” është një nga emrat kryesorë në sektorin e prodhimit të shtëpive të parafabrikuara në...
-
Gjuha dhe kombësia, mesazhet kryesore të Kuvendit Kombëtar të Gjuhës Shqipe
-
Festimi në Danimarkë i 112-vjetorit të Pavarësisë dhe 80-vjetorit të Çlirimit të atdheut
-
Arianit Shaqiri, një aktor shqiptar në dramën “Wilhelm Tell” të teatrit zviceran
-
Ambasadori shqiptar reflekton për pavarësinë, në Ditën e Flamurit, në Bernë
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Të pasurit po bëhen më të pasur Sipas “Bilanz”, 300 njerëzit më të pasur në Zvicër kanë për herë të parë një pasuri...
-
48 mijë franga për këtë targë të veçantë
-
Zvicër: 770,000 punonjës planifikojnë të ndryshojnë vendin e punës
-
14 miliardë më shumë për zgjerimin e rrjetit hekurudhor
-
48 persona konsiderohen si kërcënim për sigurinë