Integrimi

Gjoni: Ambasada Shqiptare nuk ka për qëllim anashkalimin e LAPSH-it

Ambasadori Ilir Gjoni: "Njohja e Ambasadës së Shqipërisë nga kantoni i Zyrihut si sponsor zyrtar (jo si OJQ) nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe nuk ka se si dhe as nuk mund të ketë si qëllim dublimin apo anashkalimin e LAPSH e cila vepron në bazë të statutit të saj dhe rregullave e ligjeve të vendit"

Në raportimin që albinfo.ch ka bërë nga kuvendi i LAPSH-it, i mbajtur të dielën në Spreitenbach, është përmendur edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Ilir Gjoni. Duke ndjekur parimin e të drejtës së të gjitha palëve për ta shprehur qëndrimin e tyre, albinfo.ch në vijim publikon qëndrimin e z. Gjoni.

Më lejoni në radhë të parë që përmes kësaj mundësie që më ofrohet përmes albinfo.ch të shpreh urimet  dhe mirënjohjen e Ambasadës së RSH në Bernë për të gjithë mësuesit, prindërit dhe nxënësit që ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe për përkushtimin dhe impenjimin në përmbushjen e këtij misioni të madh patriotik.

Në përgjigje të interesimit tuaj, pasi u njoha me diskutimet e bëra në mbledhjen e Kryesisë së LAPSH-it përmes informimit të gazetarit të Albinfo (për fat të keq, Ambasada e RSH nuk ka marrë një ftesë për pjesëmarrje në këtë aktivitete ndryshe nga gjithë vitet e tjera dhe duke mos qenë vetë i pranishëm në këtë aktivitet më duhet t`i marr me rezerva) më duhet gjithsesi të saktësoj disa çështje për të cilat kam dijeni se është krijuar keqkuptim apo konfuzion dhe që  kanë nevojë për të sqaruar opinionin shqiptar në diasporë, por dhe sidomos mësimdhënësit e gjuhës shqipe, nxënësit dhe prindërit.

Pikësëpari duhet sqaruar pozicioni dhe objektivi i Ambasadës së RSH në Bernë që është rritja e pjesëmarrjes së nxënësve në klasat e mësimit të gjuhës shqipe. Është i vërtetë fakti që Ambasada e RSH që nga muaji korrik i këtij viti njihet zyrtarisht nga kantoni i Zyrihut si bartëse e mësimit të gjuhës shqipe. Për rrjedhojë, kërkesa për sponsorship është bërë në funksion të përmbushjes së objektivit të mësipërm. Ambasada e RSH në Bernë nuk mund të rrijë indiferente ndaj faktit që nga një potencial prej afërsisht 30-35 mijë fëmijë të moshës shkollore që i përkasin diasporës shqiptare, vetëm afërsisht 1700-800 syresh ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe në nivel Konfederal. Kjo situatë ka vite që vijon të jetë e tillë.

Gjithësesi, dëshiroj të sqaroj me forcë se njohja e Ambasadës së Shqipërisë nga kantoni i Zyrihut si sponsor zyrtar (jo si OJQ) nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe nuk ka se si dhe as nuk mund të ketë si qëllim dublimin apo anashkalimin e LAPSH-it, e cila vepron në bazë të statutit të saj dhe rregullave e ligjeve të vendit. Ajo është veçse një vlerë e shtuar që shton mundësitë për të ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes së nxënësve në mësimin e gjuhës shqipe. Po ashtu duhet theksuar se bashkëpunimi i Ambasadës së RSH me strukturat e LAPSH-it në të gjitha kantonet e Zvicrës ku kjo organizatë kryen veprimtarinë e saj, është intensiv dhe i vazhdueshëm. Për rrjedhojë pohimi i bërë nga disa individë se ambasada nuk dëshiron të bashkëpunojë me LAPSH është i pavërtetë dhe i pabazë e nuk pasqyron realitetin. Eshtë fakt i verifikueshëm se, që nga korriku i këtij viti, falë angazhimit të mësuesve (të cilët janë pjesë e LAPSH) është bërë e mundur që vetëm në kantonin e Zyrihut të hapen 20 klasa me 349 nxënës. Po ashtu në 2 shkolla ne Kantonin e St. Gallenit me 22 nxënës. Në 8 shkolla pritet të merret lokali dhe po punohet dhe në 5 kantone të tjera të hapen klasa të reja.Vetë ky fakt tregon se njohja e Ambasadës së RSH si sponsor zyrtar i mësimit të gjuhës shqipe ka dhënë efekte të pamohueshme dhe se i shërben vetëm një qëllimi, atij të zgjerimit të pjesëmarrjes së nxënësve në klasat e mësimit të gjuhës shqipe.

Dhe, së fundi, por jo për nga rëndësia, për Ambasadën e RSH është shumë e rëndësishme që të arrihet objektivi i rritjes së numrit të nxënësve që ndjekin klasat e mësimit të gjuhës shqipe. Fjalët e tepërta janë fukarallëk, thotë populli ynë. Të lëmë veprat të flasin vetë.

Dua të siguroj të gjithë mësuesit, prindërit, nxënësit dhe kryesinë e LAPSH se Ambasada e RSH do të jetë gjithmonë e gatshme të ofrojë ndihmën dhe bashkëpunimin e saj të pakursyer. Eshtë po ashtu e rëndësishme që edhe ndonjë keqkuptim që mund të jetë krijuar të sqarohet menjëherë. Kam bindje të plotë se edhe ata elementë në kryesinë e LAPSH që kanë shprehur ndonji pakënaqësi dhe paqartësi bien dakord me faktin që të gjithë jemi të interesuar që fëmijët shqiptarë të ndjekin masivisht mësimin plotësues në gjuhën shqipe si një element kyç për integrimin e tyre dhe rritjen e dijeve dhe njohurive për gjuhën, kulturën dhe historinë e kombit tonë.