Lajme

Gjobitet kryetari i kryeqytetit të Panamasë, shkeli rregullat e karantinës

Edhe pse ishte vetë ai kishte bërë vazhdimisht thirrje te qytetarët që t’i respektojnë rregullat dhe masat anti-Covit, kryetari i kryeqytetit të Panamasë, Panama City, Jose Luis Fabrega, u ndëshkua nga policia për shkak të shkeljes së rregullave të karantinës.

Sipas CNN, kryetari i këtij qyteti u ndalua nga një gjykatës dhe policia para shtëpisë së tij afër plazhit, përcjell albinfo.ch.

“Do të jem i qartë, jam i pari që kërkoj respektim të rregullave për ta pakësuar përhapjen e Covid-19. Për shkak që dola jashtë, u gjobita dhe e pagova gjobën në mënyrë të përgjegjshme”, ka thënë ai.

Megjithatë, Fabrega ka kërkuar falje publike dhe është zotuar se do t’i respektojë masat.

“Kërkoj falje për këtë situatë dhe zotohem si dhe i ftoj të gjithë që prerazi t’i respektojnë masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Fabrega.

Panamaja është shteti që ka më së shumti raste të koronavirusit në Amerikën Qendrore, pasi deri më tani i ka regjistruar 66,383 të infektuar. Më shumë se gjysma e këtyre rasteve janë regjistruar vetëm në kryeqytet.