Koronavirusi: çast pas çasti
Gjithçka rreth Covid-19, përgjigjen mjekët shqiptarë në Zvicër
Platforma albinfo.ch online&print, në bashkëpunim me Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, do të ofrojë këshilla mjekësore, të personalizuara falas.
Specialistë të fushave të ndryshme janë vënë tashmë në shërbim të bashkëkombasve shqiptarë kudo që ndodhen në Zvicër, nëpërmjet pyetjeve-përgjigjeve online.
Bëhet fjalë për specialistët më të mirë shqiptarë në Zvicër, shefa klinikash dhe drejtues departamentesh, të cilët vihen në dispozicion të komunitetit tonë.
Gjithçka mundësohet shpejt dhe mjafton që të lidheni me albinfo.ch për të marrë menjëherë përgjigje lidhur me shqetësimet shëndetësore që keni rreth koronavirusit.
Përgjigjet e mjekëve në vijim:
Da Mo: Do të doja të dija nëse kjo fazë e pandemisë do të ketë pasoja psikike dhe sa p.sh. qëndrojnë rrëfimet për një rikthim të pandemisë në vjeshtë?
Përgjigje nga Dr.med Valbona Hysenaj Miftari:
Padyshim që pandemia aktuale me SARS-CoV-2 ka shënuar efekte psiqike negative tek shumë persona.
Pikë së pari frika nga infeksioni është një komponentë që ka përjetuar tashmë çdo njeri i globit. Frika megjithatë mund të bëhet ngarkesë tejet shqetësuese sidomos për njerëzit që posedojnë një ankth ekzistues, çrregullim obsesiv-kompulsiv, depresion, gjendje psikotike apo çfarëdo çrregullimi tjetër të natyrës mendore.
Gjithashtu masat e parapara nga OBSH-ja, sidomos izolimi në shtëpi kanë dërguar në rritje të konsiderueshme të konflikteve në familje. Papritmas njerëzit u detyruan të qëndrojnë brenda mureve të shtëpive dhe për shumë kënd marrëdhëniet ekzistuese filluan të bëhen jo të lehta dhe konfliktuoze. Njerëzit megjithatë u ndërgjegjësuan se ç’rëndësi të madhe ka liria e lëvizjes që e kishin deri më tani. Kështu që privimi nga kjo liri dërgoi në rritje të irritueshmërisë e cila jo rrallë kontribuoi më tej në përshkallëzimin e gjendjes dhe dhunës në familje.
Pastaj duke qenë se izolimi shoqëror dhe distanca sociale promovojnë vetminë, vetmia shkakton trishtim, e trishtimi në mungesë resursesh dërgon në shtimin e konsumit të substancave narkotike, përkeqësimin e depresionit si dhe të problemeve tjera të natyrës psiqike.
Humbjet ekonomike, gjegjësisht humbja e vendit të punës i bëjnë njerëzit të dëshpërohen thellë dhe të zhyten në depresion, ngase pozita sociale e një individi ndikohet fuqimisht nga pozita profesionale. Do të thotë në njëfarë mase njeriu e identifikon veten me punën që bën. E kur ai humb punën, ka ndjenjën se ka humbur substancën e tij. Andaj pandemia globale e shoqëruar me humbjet ekonomike rëndoi në mënyrë masive psiken e njeriut duke rritur pasigurinë dhe duke shtuar frikën për të ardhmen.
Ndërsa sa i përket hipotezave të një rikthimi të pandemisë unë do të kursehesha ngase kjo mbetet të shihet në muajt në vijim.
Florian Haçkaj: Përshëndetje të nderuar mjekë. A po përhapet panikë me valën e dytë të pritshme në mënyrë që njerëzit të ruhen apo ka një rrezik të vërtetë?
Përgjigje nga Dr.med Valbona Hysenaj Miftari:
Vala e dytë quhet shtim i ri i numrit të infeksioneve pas një periudhe stabilizimi. Aktualisht numri i infeksioneve të reja është në një nivel të ulët. Numri i reproduktimit (riprodhimit) është aktualisht nën 1. Pra kjo do të thotë secili person i infektuar do të infektonte më pak se një tjetër. Në valën akute të pandemisë ky reproduktim ishte në raport deri në 1:16.
Edhe përkundër mendimit të shumë ekspertëve dhe instituteve të njohura që do të ketë një valë të dytë, mendoj që ende nuk ka një përcaktim të qartë dhe definitiv se a do të ketë dhe poashtu që nëse do të ketë, si do të jenë shifrat konkrete për një valë të dytë. I gjithë ky supozim se do të ketë një valë të dytë bazohet natyrisht në përvojat me pandemitë e mëparshme të cilat kanë pasur karakter të tillë fazor.
Unë sugjeroj, që në vend të pritjes me panik, duhet që secili individi të vetëdijesohet, se edhe pandemitë janë pjesë e jetës, që secili të jetë i gatshëm për përballjen me valën tjetër po që se ajo do të vie. Fundja është sjellja njerëzore faktori kryesor në kontrollimin e mirë të koronavirusit. Rregullat e distancës dhe kërkesat e higjienës mbesin akoma shumë të rëndësishmet për të shmangur infeksionet e mëtejme.
Vala e dytë do t‘duhej t‘na gjente shumë mirë të përgatitur falë përvojës që kemi fituar dhe padyshim që do t’a kalojmë edhe shumë më lehtë po që se do të vie.
Basri Skodra: A mund që shkaku i krizës së krijuar nga virusi Korona njerëzit mund të bëhen agresivë ?
Përgjigje nga Dr.med Valbona Hysenaj Miftari:
Fatkeqësisht, pandemia ka përkeqësuar tensionet psikike. Agresiviteti si pasojë e tensionit të rënduar psikik, nuk ka të bëjë domosdo me praninë e një problemi ekzistues mendor por ka të bëjë me individin e caktuar dhe reziliencën e mangët tek disa individë. Po ashtu ka të bëjë me aftësitë e tyre menaxhuese të krizave. Nëse ndonjërit i mungon toleranca ndaj frustrimeve, në përgjithësi ai do të tregojë tendenca agresiviteti. E gjendja e pandemisë natyrisht që ishte një gjendje e shoqëruar me frustrim enorm, kështu që personat e predisponuar të reagojnë më mënyrë agresive, shfaqin shenja agresiviteti.
Në kohën kur pandemia ishte akute, duke iu zvogëluar secilit gama e lëvizjes, personat me tendencë të tillë ishin tejet të frustruar dhe kjo rezultoi në vështirësi të mëdha sidomos për anëtarët e familjes të cilët nuk mund t‘i shmangeshin njëri- tjetrit për shkak të izolimit.
Sugjerim: Për t’iu shmangur situatave të tilla duhet koncentruar në aktivizimin e resurseve personale të cilat çdo njeri posedon, marrjen me ndonjë hobi, bërjen e gjërave që shkaktojnë kënaqësi.
Shtrohet pyetja se a mundet që virusi në vetvete të provokojë agresivit fizik në mënyrë të drejtpërdrejtë?.
Ata që e kaluan Covid-19 dhe që nuk kishin nevojë të shtriheshin në spital, rrëfejnë që p.sh. dhimbjet e kokës që ata kanë pasur, apo simptomet respiratore, t’i kenë bërë të ndjeshëm ndaj shqetësimeve nga jashtë, por jo medeomos agresivë. Efektet e mundshme somatike të virusit si të vetme për shfaqjen e agresivitetit pa predispozitat paraprake dhe faktorët e rënduar socio- ekonomikë nuk janë ende të njohura.
Assesi nuk bën pa e përmendur se pandemia na mësoi edhe gjëra të mira, si p.sh. na mësoi t’a vlerësojmë lirinë, por edhe nxiti solidaritetin midis njerëzve. Duke përjetuar një vuajtje të përbashkët, njerëzit u bënë më të vëmendshëm për nevojat e familjarëve, fqinjëve të moshuar etj. gjë e cila i nxiti ata për shembull për ndihmat vullnetare. Pra empatia dhe virtytet e solidaritetit ndër njerëzor u bënë më të theksuara dhe kjo pati ndikim tejet pozitiv në tejkalimin e kësaj periudhe.
Ju falemnderit!
Pyetje nga Hisnije Sali Celebi:
A do të ekzistojë ky virus, d.m.th. a do të jetë prezent si çdo virus tjetër, si ai i gripit sezonal me ftohje?
Faleminderit!
Përgjigjet Dr.med. Mentor Bilalli:
Deri sa nuk kemi një terapi efikase apo një vaksinë, sëmundja e Covid-19 nuk mund të eliminohet krejtësisht.
Pyetje nga Drita Preniqi Potoki:
Çka do të ndodhë me grupet e rrezikuara, d.m.th. ata që kanë edhe probleme të tjera ose sëmundje të tjera kronike, e që nuk mund të punojnë momentalisht. Sa do të jenë të mbrojtur?
Përgjigjet Dr.med. Mentor Bilalli:
Personat me sëmundje kronike dhe imunitet të komprimituar konsiderohen si më të rrezikuarit. Varësisht dhe duke u bazuar në punën që këta persona ushtrojnë dhe natyrisht sëmundjet përcjellëse që i kanë, duhet të bëhet vlerësimi për mundësinë e rikthimit në punë. Për këtë duhet të diskutohet më mjëket trajtues dhe punëdhënësit në përputhje me këshillat e Zyrës Federale të Shendetit Publik (BAG).
Pyetje nga Alban Hamza :
Pse Zvicra nuk i ka bërë obligative maskat ?
Përgjigjet Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti: Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) rekomandon që personat e shëndetshëm të mos mbajnë maskë në publik. Kjo nuk i mbron ata mjaftueshëm nga një infektim nga koronavirusi. Përveç rastit kur: Mbajtja e distancës nuk është e mundur. Nga ana tjetër, një maskë mund të parandalojë që një person tashmë i infektuar t’ua ngjitë sëmundjen të tjerëve.
Pyetje nga Alban Hamza : Sa kishin sukses Testet e antitrupave për trajtuar të sëmurët me coronavirus ?
Përgjigjet Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti:Testet serologjike mund të zbulojnë antitrupa specifikë kundër virusit SARS-CoV-2 (COVID-19) në gjak, gjë që tregon se personi i testuar është infektuar dhe ka zhvilluar antitrupa. Testet serologjike aktualisht në dispozicion nuk janë të përshtatshme për diagnostikimin e një infeksioni akut.
Pyetje nga Alban Hamza :Skuqja e syve a është simptomë që keni koronavirus ?
Përgjigjet Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti: Konjuktiviti është simptom i infekcionit me Covid-19 , por është më i rrallë se simptomet e tjëra.
Pytje nga Migjen Kajtazi: Do dëshiroja të kam njohuri më të madhe lidhur me kërkimet për zbulimin e Vaksinës kundër Koronavirusit :
Cfarë e banë të komplikuar një kërkim të tillë duke pasur parasysh që në faktë njerëzimi është duke pritur një vaksinë efikase në gjendje të jashtëzakonshme që do të thotë në këto kushte të mbijetesës shkënctarët e kanë rolin kryesor ?
Dhe pyetja e dytë : nëse nuk do ketë vaksin kundër koronavirusit a do jemi të detyruraur që për shkak të vazhdimit të jetës do jemi të detyruar ti ekspozohemi « imunizimit të detyrushëm » ?
Që kush shpëton shpëton në një farë mënyre do jemi të detyruar të ekspozohemi « kirurgjisë ushtarake » ?
Përgjigjet Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti: Aktualisht nuk ka asnjë vaksinë ose terapi spezifike për trajtim të infekcionit me COVID-19. Aktualisht afer 120 vaksina të mundshme janë duke u testuar në laboratore te ndryshëm në kafshë dhe në disa raste edhe ne njerëz. Një vaksinë duhet të kalojë në disa faza të zhvillimit.
Faza paraklinike ; kryhet së pari psh tek minjet dhe në një fazë të avancuar tek majmunët. Ndërsa studimet klinike te njerëzit kryhen në katër faza.
Duke i pasur parasysh të gjitha këto procedura , nevoitet nje kohe e gjatë për të zhvilluar një vaksinë. Mendoj që do të kemi një vaksine, por ende smund te thuhet deri ne fund të këti viti apo vitin që vjen.
Sipas të dhënave që kemi mund të thëm , që një pjes e madhe e të infektuarve kan simptoma të lehta deri mesatare dhe e kalojn infekcionin pa pasoja.
Cilat mund të jenë pasojat nga infektimi me COVID-19?
Përgjigjet Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti:
Momentalisht nuk mund të thuhet definitivisht se cilat janë pasojat. Ende nuk kemi të dhëna të mjaftueshme. Por, një pjesë e madhe e të infektuarve kanë simptoma të lehta deri mesatare dhe e kalojnë infektimin pa pasoja.
Pyetja nga Qëndresa Reçica:
Nëse në restoran porosit ushqim, dhe personi kollitet, a mund të bartet virusi përmes ushqimit?
Përgjigje Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti:
Personat e infektuar me COVID-19 nuk kanë të drejtë të punojnë. Duhet të jenë, natyrisht nëse kanë nëvojë, në trajtim mjekësor në spital apo të qëndrojnë në shtëpi (karantinë), sipas rregullave të Zyrës Federale të Shëndetit Publik( BAG).
Deri më tani nuk dihet se a mund të bartet koronavirusi përmes ushqimit. Mbajtja e higjienes është shumë me rëndësi.
Pyetje nga Tefik Bajrami:
Deri kur pritet të ndalen infektimet e reja?
Përgjigjet Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti:
Nuk mund të thuhet një date e saktë.
Pyetje nga Tefik Bajrami:
A do të ketë valë të re të infektimeve?
Përgjigjet Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti:
Sipas empidemiologëve dhe virologëve, mund të ketë një valë të dytë të infektimeve.
Pyetje nga Imeri Bedrije:
Vajzën e kam të infektuar. Kam plot 12 ditë që rri e mbyllur, por nuk kam asnjë simptomë?
Përgjigjet Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti:
Personat e kontaktit të afërt (personat që banojnë në të njëjtën familje, që kanë kontakte të afërta) duhet të qëndrojnë në shtëpi për 10 ditë (vetëkarantinë). Udhëzuesin për vetëkarantinën e gjeni në faqen e internetit të Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG): www.bag.admin.ch/neues-coronavirus.
Vetëkarantina fillon nga dita e izolimit të personit të sëmurë.
Pyetje nga Mensur Emrulai:
Ku është dallimi mes SARS Covid2 dhe Covid 19?
Përgjigjet Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti:
Koronavirusi i ri u zbulua në fund të vitit 2019 në Kinë, për shkak të një grumbulli të jashtëzakonshëm të pneumonive në qytetin qendror kinez Vuhan. Virusi mori emrin SARS-CoV-2 dhe bën pjesë në të njëjtën familje si virusi patogjen i “Middle-East Respiratory Syndrome” MERS dhe “Sindroma respiratore akute e rëndë” SARS.
Sëmundjes që shkaktohet nga koronavirusi i ri, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka dhënë një emër zyrtar më 11 shkurt 2020: COVID-19, shkurt për “coronavirus disease 2019” ose në shqip “Sëmundja e koronavirusit 2019”.
Pyetje nga Shqipe Lutfiu:
Përshëndetje, desha të bëj një pyetje: Desha të bëj testin e koronavirusit, kur mund ta bëj?
Përgjigjet Dr.med.univ. (A) Naim Mehmeti:
Në rast infektimi me Covid-19, mund të shfaqen simptomat e mëposhtme:
• Kollë (kryesisht e thatë)
• Dhimbje fyti
• Vështirësi në frymëmarrje
• Temperaturë, ndjesi temperature
• Dhimbje muskujsh
• Humbje e menjëhershme e shqisës së
nuhatjes dhe/ose të të shijuarit.
Më të rralla janë:
• Dhimbje koke
• Simptoma të problemeve me stomakun dhe zorrët
• Konjuktivit
• Rrufë.
Nëse ju keni një ose më shumë nga simptomat e përshkruara më lart, si më të zakonshmet, ka shumë të ngjarë që të jeni sëmurë me koronavirusin e ri. Duhet te kontaktohet mjeku dhe të bëhet testi.
Pyetje:
Sa rrezikohen personat me sëmundje kronike të zemrës edhe pas pandemisë, duhet të kenë me siguri kujdes të shtuar, si të mbrohen ky grup i njerëzve?
Përgjigjet jepen nga PD.Dr. med. Flroim Cuculi:
Sëmundjet kronike të zemrës janë me të vërtetë problematike me Covid-19. Pasi që Covid-19 me siguri nuk do zhduket edhe muaj të tërë, këta persona duhet të kenë kujdes një kohë më të gjatë. Por duhet të precizojmë një sëmundje kronike të zemrës. Vetëm prezenca e sëmundjes koronare stabile pas implantimit të një stenti nuk e bën pacientin me rrezik të lartë. Pacienti me pamjaftueshmëri të zemrës që ka pasur një infarkt të madh të zemrës sigurisht është më i rrezikuar, d.m.th. duhet bërë një vlerësim individual.
Unë mendoj që pacientët kardiakë duhet t’i përcjellin rekomandimet për distancim fizik dhe t’i dezinfektojnë rregullisht duart e tyre. Të rikujtojme që vaksinimi mund të vonojë dhe duhet të jemi të durueshëm.
Pyetje Ylfete Mehmetaj Salihaj:
Sa mund të jetë rreziku për një paciente me diagnoza DCIS dhe Papillom B3, terapitë janë bërë vetëm rrezatimet për arsye se hormonet kanë rezultuar 0% negativë.
RESPEKT për të gjithë!
Përgjigjet Prof. Dr. Alban Y. Neziri:
E nderuara Ylfete Mehmetaj!
Me kënaqësi do t’i përgjigjem pyetjes suaj, duke e sqaruar shkurtimisht llojin e sëmundjes, terapinë e nevojshme dhe në fund edhe rrezikun nga SARS CoV-2 për pacientët me DCIS dhe radioterapi (pa sëmundje të tjera paraprake).
Sqarim për termin DCIS: Karcinoma duktale in situ (anglisht: ductal carcinoma in situ) është një rritje patologjike e qelizave kancerogjene në kanalet e qumështit të gjirit. DCIS është një stad para-kancerogjen (stad i hershëm i kancerit të gjirit, i lokalizuar), pra qeliza degjeneruese nuk kanë kaluar ende kufirin e kanalit të qumështit (mjek. membrana bodrum) (“në vend”, in situ).
Terpia e DCIS: prekanceroza DCIS është gjithmonë e shërueshme dhe normalisht nevojitet vetëm një ndërhyrje kirurgjike. Në raste specifike, kur receptorët hormonalë janë negativë (mjek. DCIS triple negativ, recpetorët hormonalë të progesteronit, estrogjenit dhe HER janë 0%), bëhet rrezatim preventiv (radioterapi).
Rreziku nga SARS CoV-2 pas radioterapisë të pacientëve me DCIS (triple negativ): Pacientët, pas intervenimit kirurgjik dhe largimit të plotë të ndryshimeve prekancerogjene DCIS, nëse receptorët hormonalë janë negativë, i nënshtrohen radioterapisë (rrezatimit). Radioterapia, zakonisht, zvogëlon imunitetin. 3 muaj pas radioterapisë, kthehet funksioni normal imunitar. Pacientet, të cilat i janë nënshtruar radioterapisë, gjatë kohës sa zgjat radioterapia dhe afërsisht 3 muaj pas seancës së fundit, duhet të konsiderohen pjesë e grupit me rrezikshmëri të lartë nëse infektohen me SARS CoV-2.
Masat mbrojtëse kundër infeksionit dhe transmetimit të virusit që janë rekomanduar për popullatën e përgjithshme, vlejnë edhe për pacientet që kanë kaluar terapinë e DCIS dhe nuk kanë sëmundje të tjera sistemike (sidomos sëmundje të mushkërive, të zemrës dhe diabet).
Pyetje: Sa rrezikohen gratë shtatzëna dhe si duhet të mbrohen nga COVID 19?
Përgjigjet Prof. Dr. Alban Y. Neziri:
Shtatzënia normale: Në pak raste të publikuara të COVID-19 te gratë shtatzëna nuk është paraqitur asnjë dëshmi se një infeksion Sars-CoV-2 (COVID-19), në shtatzëni, jep më shpesh simptoma të sëmundjes sesa te gratë joshtatzëna.
Sidoqoftë, një sëmundje akute (veçanërisht nëse shoqërohet me kollë e fortë ose ethe) mund të ketë një efekt të pafavorshëm në rrjedhën e shtatzënisë. Prandaj, një grua shtatzënë patjetër duhet të mbrohet nga infeksioni me masat e propozuara për popullatën e përgjithshme.
Shtatzënia me rrezikshmëri të lartë dhe shtatzënat me sëmundje paraprake: Gratë shtatzëna me sëmundje të mëparshme ose me shtatzëni me rrezikshmëri të lartë, duhet të trajtohen si raste me rrezikshmëri të lartë. Masat specifike tek kjo kategori, duhet të përcaktohen nga obstetri, i cili kujdeset për shtatzëninë. Në Kosovë është paraqitur një rast i vdekjes së një gruaje shtatzënë të infektuar me COVID-19, megjithatë nuk është publikuar si rast në asnjë revistë shkencore dhe nuk janë dhënë informacionet për sëmundjet e mëparshme apo komplikimet gjatë shtatzënisë.
Testi për COVID-19 gjatë shtatzënisë: Një test për një infeksion Sars-CoV-2 gjatë shtatzënisë, sipas Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve të Zvicrës, duhet të bëhet vetëm nëse paraqiten simptomat tipike të një infeksioni viral. Megjithatë, ka klinika që testojnë gratë shtatzëna gjatë lindjes.
Transmetimi intrauterin, nga shtatzëna te fetusi: Në rastet e ekzaminuara të shtatzënave me COVID-19, nuk është dëshmuar transmetimit intrauterin tek fëmija para lindjes. Virusi deri më tani nuk është izoluar as në lëngun amniotik e as në placentë. Megjithatë, deri më tani, nuk ka raste të hulumtuara në tremujorin e parë dhe të dytë të shtatzënisë.
Lindja: Gjatë lindjes, masat mjekësore duhet ti përshtaten gjendjes së përgjithshme të gruas shtatzënë. Infeksioni me COVID-19 ende nuk konsiderohet indikacion për lindje me prerje cezariane.
Përmbledhje e shkurtër:
Deri më tani nuk ka asnjë dëshmi se shkalla e infeksionit me Sars-CoV-2 është më e lartë te gratë shtatzëna sesa në popullatën e përgjithshme.
Aktualisht, masat mbrojtëse kundër infeksionit dhe transmetimit të virusit që janë rekomanduar për popullatën e përgjithshme, vlejnë edhe për gratë shtatzëna.
Vazhdoni me pyetjet:
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?