E-Diaspora

Gjithçka gati: Koreografia e Eno Peçit bën hapjen e „Opernball“ sonte në Vjenë

Koreografit të njohur shqiptar në Austri, Eno Peçit i është besuar për herë të dytë hapja e “Opernball”, evenimentit më të madh artistik që organizohet sonte në Vjenë

Opera shtetërore e Vjenës pritet të shndërrohet sonte në sallën më të bukur të vallëzimit në botë. Nën moton “Mbretëresha e natës” sonte do të mbahet “Opernball”, evenimenti më i madh artistik i kryeqytetit austriak, raporton albinfo.ch.

Mbi 5 mijë mysafirë VIP nga të gjitha fushat jetësore në Austri pritet të jenë të pranishëm. Afro 2 milionë shikues llogaritet që do të ndjekin nga televizioni këtë mbrëmje gala. Për shkak të pjesëmarrjes në një samit të BE-së do të mungojë kancelari Sebastian Kurz.

Në anën tjetër nuk do të mungojnë fytyra të njohura botërore që vijnë si mysafirë specialë. Tashmë ka arritur në Vjenë aktorja e famshme italiane, Ornela Mutti e cila është e ftuar si përcjellëse në këtë mbrëmje e biznesmenit të njohur në Austri, Richard Lugner.

Por, sapo mysafirët do të zënë vendin e tyre, të gjithë sytë do të jenë të drejtuar në hapjen e kësaj mbrëmjeje artistike. E kjo i është besuar koreografit shqiptar në Austri, Eno Peçit, raporton “albinfo.ch.

„Eno Peçi është anëtar i Baletit shtetëror të Vjenës që prej 20 vitesh dhe balerin solo që nga viti 2009. Koreografi bën hapjen e „Opernball“ për herë të dytë pas vitit 2018. Një zgjedhje e mirë kjo, pasi Peçi është një koreograf i shquar, i cili përveç në Vjenë, ka krijuar balet edhe në Moskë dhe në qytetin e tij të lindjes, në Tiranë“, shkruajnë mediat austriake.

Eno Peçi gjatë përgatitjeve

Eno ka zgjedhur vet që të përformojë sonte me valsin “Abendblätter” të Zhak Offenbach: “Sigurisht që unë e njoh valsin e Straussit, „Morgenblätter”, por për mbrëmjen e sotme mendoj se “Abendblätter” përshtatet më mirë“, ka thënë ai.  Të dyja këto valse janë performuar në ballon Concordia në vitin 1864 në Vjenë, përcjell albinfo.ch. Muzika është shumë elegante, e gjallë dhe do të jetë e re për shumë njerëz!

Eno Peçi është balerin shqiptar që jeton në Austri. I lindur në Tiranë, është shkolluar në Akademinë e Baletit në këtë qytet dhe pastaj ka vazhduar shkollimin për balet në Operën Shtetërore të Vjenës. Në vitin 2000 i është bashkuar këtij institucioni dhe më 2003 është bërë solist. Ai është i pari valltar shqiptar që ka performuar “live” në një koncert në Vjenë.