Zhvillim

Gjirokastritja që rrëmbeu zemrat e turistëve zviceranë

Ditë më parë, derisa një grup zviceranësh po sodisnin bukuritë e qytetit të vjetër të Gjirokastrës, Leo hyri në një dyqan suvenirësh për të blerë ca kartolina me pamje të qytetit. I përqëndruar në shumësinë e eksponateve artizanale, Leo harroi porofolin në dyqan dhe me nguti iu bashkangjit grupit që po shkonte drejt hotelit „Çajupi“. Jonida Dhrami një grua 27-vjeçare, që, përveç shitjes, ishte e angazhuar edhe si guidë lokale, por edhe pronare dhomash me qira kishte vërejtur një portofol të harruar nga ndonjë blerës. Në kujtesën e saj kishte ngelur imazhi i Leos, një burrë mbi 60-vjeç me flokë të gjata lidhur bisht, por nuk ishte e sigurt dhe nuk e dinte se në ç’hotel ishte vendosur. Meqë ishte e zënë me përgatitjen dhomave për një grup turistësh që sapo do arrinin, ajo hapi portofolin dhe identifikoi emrin e Leos nga një biletë udhëtimi. Angazhoi të fejuarin e saj që të shkojë deri në hotelin „Çajupi“ për të verifikuar nëse Leo ishte i vendosur aty.

Punëtorja e recepcionit shpejt alarmoi Leon për ndodhinë, i cili ende nuk e kishte vërejtur mungesën e portofolit. Pasi u njoh me gjithë situatën, ai deshi ta takonte Jonidën dhe ta shpërblente për këtë gjest madhështor të një gjirokastriteje; shkoi në dyqan, deshi t’ia paguante shpërblimin, por Jonida u mjaftua vetëm me një falënderim. I fascinuar me këtë gjest bujar të Jonidës, Leo iu drejtua: „ E nderuara Jonidë, unë ju falënderoj shumë për këtë gjest tuajin dhe po ju qiti rruga në Zvicër dëshiroj të jeni mysafire në familjen time. Unë dhe bashkëshortja ime Barbara do të jemi të nderuar.“ Më pas, Leo njoftoi kolegët e grupit për këtë gjest, të cilët gjatë kohë do ta mbajnë në mend dhe do ta bisedojnë me shokë e miq zviceranë. Kështu, duke ruajtur imazhin personal, Jonida pasqyroi edhe imazhin bujar të banorëve gjirokastritë.