Futboll

Gjimshiti po rikthehet në formën e dikurshme

Ai luajti 90 minuta në Serie A përballë Frosinones dhe në Ligën e Evropës

Berat Gjimshiti është rikthyer një titullar tek Atalanta, duke luajtur në kualifikimet e Ligës së Evropës, dhe në përballjen e fundit në Serie A përballë Frosinones. “Kam mundur të largohem, megjithatë, kam vendosur të qëndrojë tek Atlanta. Ky vit mund të jetë vendimtar për mua. Dëshiroja të qëndroja dhe të tregoja vlerat e mia”, është shprehur Gjimshiti, pas fitores së thellë 4:0 ndaj Frosinones, përcjell albinfo.ch.

Ai ishte i kënaqur me fitoren e fundit. “E nisëm shumë mirë kampionatin, nuk pësuam gol dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për ne. Nuk ka ndeshje të lehta. Frosinone ishte me shumë emra të rinj në skuadër, por me përvojë të madhe në Serinë A”, theksoi tutje mbrojtësi i Kombëtares shqiptare.

Të enjten Atalanta do të ndeshet me Copenhagenin në fazën “Play-off” në Ligën e Evropës.

“Do të përballemi me një krejt tjetër dhe do të tentojmë të fitojmë në “Mapei Stadium”, sepse në Danimarkë do ta kemi shumë të vështirë. Po punojmë me shumë besim”, shtoi tutje mbrojtësi shqiptar, transmetojnë mediat shqiptare.