Portrete të firmave
Gjevat Balaj: Në Austri erdha për 3 muaj, mbeta mbi 32 vjet
Në këtë intervistë të parë për një media shqiptare për “albinfo.at”, z. Balaj flet për jetën dhe veprimtarinë e tij në Austri si dhe për menaxhimin e suksesshëm të firmës, duke e bërë njërën nga firmat më të suksesshme shqiptare në Austri
Shqiptarët si shumë popuj të ndryshëm të botës kanë qenë të detyruar të emigrojnë ndër shekuj. Ata për shkaqe të ndryshme sociale – ekonomike apo politike kanë braktisur vendin e tyre. Përgjithësisht, familjet shqiptare kanë ditur të integrohen në mentalitetin e vendit ku jetojnë. Në Austri, ashtu sikur edhe në vende të tjera perëndimore, shumë bashkëkombës janë përshtatur me shkollat dhe ambientet e Perëndimit, ku punojnë në profesione të ndryshme dhe kanë biznese të suksesshme. Një prej tyre është edhe biznesmeni nga Peja që jeton në Vjenë të Austrisë, Gjevat Balaj. Ai, jo vetëm që udhëheq shtëpinë botuese “Alba digital Druck-kopie”, por njihet edhe si veprimtar, aktivist dhe përkrahës i pandalshëm i aktiviteteve shqiptare që zhvillohen në Austri. Në këtë intervistë të parë për një media shqiptare për “albinfo.at”, z. Balaj flet për jetën dhe veprimtarinë e tij në Austri si dhe për menaxhimin e suksesshëm të firmës duke e bërë njërën nga firmat më të suksesshme shqiptare në Austri.
Albinfo.at: Z. Balaj, na tregoni, përse zgjodhët Austrinë të migroni?
Gjevat Balaj: Në vitin 1986 erdha për herë të parë si student në Austri, gjegjësisht te daja im i dashur Rexhep Gjoci, në Salzburg. Në atë kohë kishim të drejtë të punonim nga tre muaj. Erdha të punoja dhe të bëja ca para të cilat do t’i shpenzoja për studime në Kosovë. Pas disa muajve qëndrimi tek daja, dëshiroja të pavarsohem dhe nga Salzburgu erdha në Vjenë. Në Vjenë, takova disa shqiptarë të cilët ishin duke u ndjekur nga shërbimi informativ i ish Jugosllavisë. Kur u ktheva në Kosovë, më ndaluan dhe më morën në biseda informativ. Ata më kishin fotografuar gjatë një takimi që kisha me një mik timin që ishte pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Shërbimi informativ më ndaloi disa ditë. Kur dola nga aty, babai më tha se duhej të ikja sa më shpejt sepse isha duke u kërkuar. Në vitin 1987 u ktheva sërish në Vjenë dhe regjistrova fakultetin ekonomik. Isha vetëm 19-vjeçar.
Cilat kanë qenë vështirësitë e para kur keni ardhur në Austri?
Fillimisht kisha probleme financiare për të ardhur deri në Austri. Ia mora në atë kohë dhëndrrit tim, të ndjerit, Januz Shatri, 400 marka gjermanë. Kur erdha në Vjenë, ishte atëherë një kafene “Prishtina” e vetmja kafene shqiptare, me pronar Behxhet Bicin. Kam shkuar aty dhe kam takuar disa shqiptarë. E kam gjetur një banesë në qarkun (Bezirk) e 9-të. Menjëherë e kam paguar banesën 100 marka. Doja të rrija i qetë sa i përket të paktën banimit. I kisha vetëm edhe 300 të tjera. Kur nuk kisha ligjërata, shkoja dhe punoja punëtor krahu në çfarëdo pune që mund ta siguroja.
Si fillove të punosh në këtë firmë që më pastaj u bë pronë e juaja?
Këtu kam filluar të punoj në vitin 1987. Fillimisht punoja natën. Ditën shkoja në fakultet e natën punoja. Në momentin kur u keqësua gjendja familjare dhe i larguan vëllezërit nga puna, të ardhurat që merrja vetëm nga puna e natës nuk më mjaftonin. M’u desht të punoja edhe ditën. Puna ime ishte si libër lidhës. E fillova zanatin këtu nga viti 1988 – 1991. Pas 13 vitesh si punëtor në këtë firmë, ish pronari dëshironte ta shiste firmën dhe ma ofroi mua që ta blija. E bleva në vitin 2001. Firma i kishte 22 filiale, ndërsa unë i bleva tri prej tyre. Pastaj, prej tri filialeve, i kombinova dhe i solla të gjitha makineritë këtu. Të them të drejtën ideja ishte që ato makineri t’i dërgoja në Kosovë që të kthehem dhe të punoj atje. Gjithmonë qëllimi im ishte që fëmija im, germat e para t’i mësojë në gjuhën shqipe. Kur e mora firmën në pronësi time, në vitin e dytë, shkova në Kosovë që të bëj bartjen e makinerisë atje. Kjo ka qenë në vitin 2002. Tentova të investoj, por duke parë që situata nuk dukej aq komode për investime, u largova sërish. Në përgjithësi, këtu punoj që 32 vjet, ndërsa prej afro 19 vjetësh firma por edhe trualli janë pronë e imja.
Te komuniteti shqiptar në Austri njiheni shumë, sidomos në Vjenë. Jo vetëm si biznesmen, por edhe si aktivist dhe veprimtar i palodhshëm. Merrni pjesë në shumicën e aktiviteteve që zhvillohen në Austri.
Që në vitet e 90-ta e kemi formuar shoqatën „Dardania“ në Vjenë që për mendimin tim ishte shoqata e parë shqiptare jashtë ombrellës së Ambasadës Jugosllave të asaj kohe. Duke e falënderuar shtetin austriak, bëmë të mundur që shqiptarët ta mësojnë gjuhën gjermane falas. Shpeshherë kishim pengesa nga Ambasada Jugosllave e cila ishte kundër aktiviteteve tona të pavarura. Ishim një grup të rinjsh prej 10-15 personave. E formuam Bibliotekën e Gjuhës Shqipe. Dhe, prej asaj kohe ka nisur edhe aktiviteti i mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Unë, mund të mburrem që kam pasur fatin dhe mundësinë të punoj në atë drejtim. Në atë kohë ishte vetëm një mësues shqiptar në gjithë Austrinë. Ai ishte, mësuesi Shefqet Gashi. Me aktivitetin e shoqatës, arritëm t’i bënim 3 mësues. Në vitin 1993-94 arritëm marrëveshje me Ministrinë e Arsimit të Austrisë, që studentëve nga Kosova t’ua mundësojmë shkollimin dhe fakultetin pa pagesë. Pra, studentët nga Kosova ishin të liruar të paguanin për regjistrim dhe semestër. Kjo marrëveshje vazhdoi deri në vitin 1996, kur shteti austriak zbuloi se shumë të rinj vinin si studentë, ndërkohë punonin punë të ndërtimtarisë.
Të kthehemi pak te biznesi. Firma apo shtëpia botuese e juaj quhet “Alba Kopie” Cila është veprimtaria e saj?
Veprimtaria kryesore është në shtypjen e skripteve, librave, pllakateve të ndryshme me format të gjerë deri 1,3 metra; gjatësi 50 metra, kartëvizita, vula, bluza, çdo gjë që lidhet me shtyp. Bëjmë dizajne të ndryshme për firma të ndryshme.
Kush janë klientët tuaj?
Afërsisht 85 për qind janë klientë austriak ndërsa 15 për qind janë shqiptarë. Klientët e mi janë pos të tjerëve edhe profesorë të fakulteteve që shtypin skriptat dhe librat e tyre, zyrat e arkitektëve që bëjnë plane për ndërtimtari dhe profesione të tjera nga lëmenj të ndryshëm.
Çfarë ju bën juve konkurrues në tregun austriak. Sa është e vështirë të jeni konkurrent në këtë treg?
Mendoj, puna serioze dhe oferta që ua bëjmë klientëve. Ne kemi 22 makineri dhe tek ne klienti vetëm mund të na japë idenë dhe në fund e merr produktin e gatshëm. E kemi kombinuar në atë mënyrë që klienti t’i gjejë të gjitha në një vend. Kam bashkëpunime edhe me vende të tjera evropiane, bie fjala me kompani nga: Cyrihu, Gjeneva, Berlini e të tjera të cilët kanë seminare në Vjenë. Na i dërgojnë skriptet për t’ua përgatitur, ne i shtypim dhe ua dërgojmë në vendin ku ata do të mbajnë aktivitetet e tyre në Vjenë.
Po ashtu keni qenë gjithmonë afër aktiviteteve shqiptare në Austri. Jo vetëm që iu ndihmoni dhe keni ndihmuar me material të nevojshëm por edhe financiarisht. Si ia keni dalë?
Ishte viti 93-94 dhe u formua një shoqatë në Baden. Ishte hera e parë që shkoja në një koncert shqiptar. Për herë të parë pash një grup fëmijësh prej 30-40 anëtarësh shqiptarë me veshje kombëtare. U preka thellë emocionalisht. Kur përfundoi koncerti, shkova prapa skenës dhe i premtova organizatorit që do ta ndihmoj këtë aktivitet me mundësitë e mia, edhe për nevoja të dizajnit por edhe financiarisht. Në atë kohë kanë qenë vetëm 3-4 shoqata, sot ekzistojnë mbi 30, por 20 prej tyre janë funksionale. Sa herë të kam mundësi, mundohem t’i ndihmoj, qoftë me materiale për shtyp por edhe financiarisht, të gjitha aktivitetet shqiptare, e sidomos studentët shqiptarë, të cilëve shpesh herë të gjitha materialet e studimeve ua bëj me çmim minimal. Jo rrallë, edhe falas.
Në Austri ekziston një numër i madh i firmave shqiptare. Sa keni bashkëpunim me ta?
Shumica e klientëve të mi janë austriakë. Po ashtu, fatmirësisht janë mbi 30 firma shqiptare që janë klientë të mi. Suksesi i firmave sidomos shqiptare, është edhe suksesi im.
Sa punëtorë i keni që punojnë këtu?
Jemi 7 punëtorë. I kam pesë austriakë, unë dhe djali im.
Sa fëmijë i keni?
I kam tre fëmijë: Atdheu, Albani dhe Alba.
Se sa jeni atdhetar shihet edhe nga emrat e fëmijëve. Por me biznes a keni ndonjë lidhje me Kosovën?
Mjerisht jo. Kam tentuar me disa kompani të mëdha të Kosovës, por për arsye të ndryshme dhe që shteti i Kosovës i di, nuk arritëm të bashkëpunojmë.
Si është të besh biznes në Austri?
Në biznesin çfarë e bëj unë ka qenë jashtëzakonisht e rëndë. Për t`ia bërë qejfin dikujt, unë nuk e ndryshoj kurrë as emrin dhe as nacionalitetin. Nuk i kam thënë kurrë askujt, që emri im është as Franc dhe as Hans, por Gjevat dhe jam nga Kosova. Personat që më rrethonin në fillim në firmën time, ishin austriakë, miq të mi. Ata më sugjeronin që të mos ia vej firmës emrin “Alba”. Kjo në njërën anë më ka kushtuar shumë edhe financiarisht, edhe me klientë, edhe me punë e me mund, por asnjëherë nuk jam penduar dhe nuk e ndërroj me asnjë emër tjetër në botë.
Ndoshta nuk keni dëshirë të flisni por unë do të kërkoj përgjigje nga ju. Një detaj interesant është se ju jeni të parët që keni bërë shtypjen e indekseve për Universitetin e Tetovës. Sa ka qenë e vështirë kjo për ju?
Meqë po kërkon përgjigje, atëherë po ta jap. Ky është indeksi i parë i Universitetit të Tetovës, i shtypur në vitin 1994. Dhe, këtë që po e shihni është punuar nga duart e mia. Në atë kohë na duhej t’i punojmë në mënyrë ilegale dhe t’i transportojmë në Maqedoni. Pikërisht për këtë, unë i kam pasur 3 vite ndalesë hyrjeje në Maqedoni.
Cilat janë synimet e kompanisë suaj?
Djali i dytë, Albani, tash disa vjet është duke punuar këtu. Jam duke e përgatitur që gradualisht t` ia përcjell atij këtë biznes, ndërkohë unë prej më shumë se 1 vit e gjysmë së bashku me Bashkimin Evropian kemi një projekt të hapim disa shkolla profesionale të industrisë që mungojnë profesionet e caktuara në Kosovë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me Odën Ekonomike të Austrisë dhe jemi të interesuar që të bëjmë diçka për rininë shqiptare që nuk ka orientim profesional. Kemi rastin që në Fier, Shqipëri, shumë punëtore nga Bullgaria punojnë për ÖMV, firmë austriake, dhe zanatet e atyre bullgareve janë: axhustatorë, farkëtarë, saldues e profesione të tjera të ndryshme. Këto punë nuk është që shqiptarët nuk dinë t`i bëjnë, por nuk kanë diplomë. Dhe, firmat ndërkombëtare nuk marrin punëtorë pa qenë i diplomuar. Kemi pasur takim me ministrin e Arsimit, takim me kryetarin e Mitrovicës, me kompani të ndryshme në Kosovë. Kemi biseduar edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës z. Veliaj, po ashtu edhe në Shkup dhe ideja është që të jetë një projekt Ballkanik por fokusi të jetë te shqiptarët. Ky projekt pritet të startojë në fund të vitit 2020 .
Foto:Granit Tërstena
P.s: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë Gjykata ka konfirmuar se prifti ishte treguar naiv, nisur nga vetë misioni i tij, por se...
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa
-
Zvicra përpiqet të tërheqë sa më shumë milionerë