Maqedonia

Gjermania u kërkon kujdes shtetasve të vet kur udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut

Alarmet e rrejshme për bomba në Maqedoninë e Veriut, të cilat po ndodhin tash e sa kohë, kanë bërë që shtetet evropiane t’u bëjnë apel qytetarëve të tyre që të kenë kujdes kur udhëtojnë për në Maqedoni.

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka paralajmëruar qytetarët gjermanë që para se të udhëtojnë për në Maqedoni, të informohen nga media të besueshme lokale dhe sociale lidhur me situatën aktuale dhe t’i ndjekin rekomandimet e autoriteteve të sigurisë.
“Kërcënime me bomba kundër institucioneve dhe objekteve publike në kohën e fundit janë regjistruar në Shkup. Në fillim ishin nëpër shkolla dhe objekte shtetërore, por në ndërkohë janë shtrirë edhe te hotelet dhe institucione të tjera. Së fundi, i domosdoshëm ishte evakuimi i Aeroportit Ndërkombëtar në Shkup, ku qarkullimi, patjetër duhej të ndërpritej përkohësisht”, thonë nga Ministria e Punëve të jashtme të Gjermanisë, transmeton DW, përcjell albinfo.ch.