Koronavirusi: çast pas çasti

Gjermania, shembulli që duhet ndjekur për menaxhimin e pandemisë

Mjekja Elona Meta- Haubrich, në një intervistë për albinfo.ch, tregon përse Gjermania është një shembull i mirë i menaxhimit të situatës së virusit COVID-19

Elona Meta-Haubrich është mjeke e specializuar në Gjermani dhe njëkohësisht kryetare e “Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë”. Ajo është me prejardhje nga Shqipëria, nga Fieri, një intelektuale me vizion dhe krenare për origjinën e saj. Elona tani është mjeke e specializuar, ushtron detyrën e saj si mjeke familjare në Gjermani dhe pa dyshim biografia e saj është njëra ndër historitë e suksesit të diasporës sonë në fushën e mjekësisë.

Duke qenë se jeton dhe punon në Gjermani, Elona Meta- Haubrich, në një intervistë për albinfo.ch, tregon përse Gjermania është një shembull i mirë i menaxhimit të situatës së virusit COVID-19.

Gjermania, sipas statistikave zyrtare, është pa dyshim shteti me më shumë të shëruar nga Covid 19 në Evropë. Sipas mjekes Meta, e gjitha kjo ka ardhur si rezultat i menaxhimit të mirë mjekësor

Po ashtu, mjekja shqiptare thotë se nuk duhet të ketë vend për panik, por duhet të ketë ndërgjegjësim dhe zbatim të rregullave të shpallura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Albinfo.ch: Na tregoni me pak fjalë, kush është Elona Meta-Haubrich?

Kam lindur në qytetin Fier, në një ndër familjet më të vjetra fierake, ku stërsgjyshi ka qenë një drejtues me emër për zonën e Fierit. Në kohën e regjimit komunist edhe familja ime, sikundër edhe shumë familje të tjera që kishin pozicione drejtuese dhe prona u shpronësua dhe u internua me zhvendosje të vendbanimit në periferi. Kështu unë së bashku me familjen e gjyshit tim kalova një pjesë të mirë të fëmijërisë sime në qytetin e Patosit.

Albinfo.ch: Na tregoni rreth rrugëtimit tuaj, sa ishte e vështirë të ambientoheni dhe të punoni si mjeke në Gjermani?

Unë kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 2012, pastaj në mungesë të ofrimit të punësimit, u detyrova të largohesha në tetor të vitit 2013 në Gjermani, me qëllim punësimi dhe zhvillimi profesional. Vitin e parë mësova gjuhën gjermane dhe arrita zyrtarisht të punësohesha në tetor të vitit 2014 si mjeke, ku ndërkohë diploma nuk më ishte njohur. Pas një viti e gjysmë punë arrita të jepja provimet e konvertimit të diplomës shqiptare në Universitetin e Göttigenit. Vazhdova specializimin për „Mjeke familjare“ dhe për momentin jam në klinikën time private, të cilën edhe e drejtoj, si mjeke familje.

Fillimi ishte shumë i vështirë derisa dukej i pamundur, por nëpërmjet këmbënguljes, si e vetmja mënyrë mbijetese, arrita të mbaroja specializimin me shumë sakrifica të mëdha. Njohja me bashkëshortin në vitin 2015 dhe fakti i të pasurit një pjesë të familjes në Gjermani, përkatësisht motrën, ndikuan në vitet në vazhdim pozitivisht në integrimin tim në Gjermani.

Albinfo.ch: A është një shembull i mirë Gjermania në trajtimin e situatës se COVID-19, si po menaxhohet atje kjo krizë?

Po, patjetër Gjermania është më e përgatitur për faktin se është një shtet i fuqishëm me kapacitete të mëdha mjekësore në krahasim me vendet të tjera të Bashkimit Evropian, ku zotëron dyfishin e shtretërve intensivë në kohë krize në krahasim me ato që kanë në kohë normale. Ndërkohë, edhe kultura nordike e përgjegjshme, shumë e informuar si dhe pak e ftohtë çojnë në mirëmenaxhim të krizës pandemike.

Albinfo.ch: Cilat janë masat që janë marrë në Gjermani dhe çfarë strategjie po ndiqet në fushën e mjekësisë?

Karantinimi si e vetmja rrugëzgjidhje si dhe mospërzierja e pacienteve të spitaleve akute me pacientët e dyshuar për Coronavirusin, siç ndodhi në Itali, ku u infektuan të sëmurët në spital, por edhe personeli mjekësor. Përveç kësaj, nxorën dy rregulla të forta për kriteret në lidhje me kryerjen e testit. Duhet të testohen vetëm:

  1. personat që kanë shqetësime akute të frymëmarrjes të çdo lloj shkalle ose shqetësime të përgjithshme specifike dhe që kanë qenë në kontakt me personat e infektuar të vërtetuar, dhe
  2. personat me shqetësimet akute të frymëmarrjes të çdo lloj shkalle dhe që në 14 ditëshin e fundit kanë qenë në zonat e rrezikut me pandeminë. Personat që nuk kanë shqetësime nuk duhet të bëjnë testin, pasi kjo ngarkon sistemin shëndetësor dhe ka edhe pasoja ekonomike të shmangshme, duke qenë se testi PCR është i kushtueshëm.
Keystone

Albinfo.ch: Sipas statistikave, ka një numër të madh të të shëruarve në Gjermani, por cilët janë hapat që duhet të ndjekë një i shëruar (a duhet prapë t’i nënshtrohet një testi të tretë)?

Që pacienti të quhet i shëruar, duhet të kaluar të paktën 10 ditë pas vendosjes së diagnozës dhe përveç kësaj, pacienti të ketë kaluar 48 orë pa ethe si dhe 24 orë pa shqetësime të tjera si, kollë apo simptoma të përgjithshme. Por, ajo që vendos është testi i dytë që përsëritet dy herë, me një diferencë kohe prej 24 orësh. Një test i passhërimit nuk është i rekomandueshëm. Personat që e kanë kaluar një herë infeksionin, janë imunë, por sa kohë zgjatë imuniteti, nuk dihet. Rasti aktual është në Korenë e Jugut, ku 51 persona janë përsëri të sëmurë me COVID 19 pozitiv, kjo për faktin se antitrupat që ishin formuar nuk kanë qenë të mjaftueshme. Gjithsesi „virologët“ do të diferencojnë nëse është riinfektim apo riaktivizim i virusit. Testi mund të dalë pozitiv edhe pse pacienti është i shëruar pasi PCR detekton gjenomen e virusit jo virusin infektoz, kështu që edhe pas shërimit mund të ndodhë që testi të dalë pozitiv, pasi gjenoma e virusit është akoma në trup, por jo virusi infektoz siç ka qenë rasti i Ebolës apo është në rastin e fruthit, ku gjenoma e virusit qëndron në trup mbi disa muaj pas shërimit, por jo virusi infektoz.

Albinfo.ch: A është më i madh paniku te njerëzit se sa vetë virusi?

Në fakt, nuk duhet të ketë panik, sepse ul imunitetin dhe ka efekte negative sesa pozitive. S‘duhet të ketë vend për panik, por ndërgjegjësim dhe zbatim të rregullave të shpallura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Albinfo.ch: Shumë pacientë të prekur me koronavirus që nuk kanë ankesa të mëdha, zgjedhin të vetëtrajtohën në shtëpi, pra në kushte izolimi, çfarë duhet të kenë kujdes këta persona dhe çfarë terapie u nevojitet atyre?

Trajtimi i personave të prekur me pak simptoma është simptomatik, do të thotë luftohen vetëm shenjat joshkaktare, pra rekomandohen medikamentet që ulin temperaturën dhe minimizojnë dhimbjen, siç është Paracetamoli, ushqimi i mirë proteinik, marrja e vitaminave dhe një mirëqenie emocionale dhe psikike janë të nevojshme.

Albinfo.ch: A janë masat e duhura dhe a jeni e kënaqur nga këndi i përgjithshëm i situatës së menaxhimit në Shqipëri dhe Kosovë?

Karantinimi ka sjellë efektet e veta pozitive, ishte e domosdoshme, pasi kapacitetet mjekësore të Shqipërisë dhe Kosovës janë tepër të vogla, kështu nuk mund të përballonin pacientët me probleme të frymëmarrjes. Ndërkohë, duke qenë se dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të papunë, kjo nuk ka ndikuar shumë në rënie të ekonomisë, siç ka ndodhur në vendet e tjera të Evropës, ku shtetet evropiane po mbulojnë të ardhurat mujore të popullatës në karantim dhe pasojat e mbylljes së kompanive të mëdha.

 

Platforma Online e mjekëve nga diaspora

Ne si Federatë e Mjekëve Shqiptarë në Evropë ndiejmë përgjegjësinë për t‘u qëndruar afër bashkëkombësve tanë shqiptarë kudo që janë, me informacione profesionale mjekësore nga specialistët më të mirë të mjekësisë në Evropë, por edhe një mbështetje psikologjike për t‘u treguar shqiptarëve të të gjitha trevave që nuk jeni vetëm.